Ramiz Alia: Pse ika nga skena politike më 1992
Në pjesën e fundit të intervistës së Ramiz Alisë dhënë revistës "ABC", ribotuar e plotë në gazetën "Shekulli", ish-presidenti komunist rrëfen rënien e komunizmit në Shqipëri, që sipas tij, ndodhi kryesisht për arsye të jashtme, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Alia mendon se ndërrimi i sistemeve mund të kishte qenë më i lehtë dhe gradual, se mund të ishin evituar shkatërrimet si dhe dufi antikomunist që sipas tij shoqëron tranzicionin. Madje ish-presidenti komunist shprehet se edhe midis dy partive kryesore shqiptare ndihet ende sot urrejtja "klasore". Më tej në këtë pjesë të fundit të intervistës së tij të gjatë Alia rrëfen, për herë të parë, çështjen e kredisë prej një milion dollarësh që është folur se Gjermania i ka ofruar Shqipërisë, ndërsa PPSH-ja nuk e ka pranuar. Alia komenton edhe marrëdhëniet e vështira të shtetit komunist me SHBA-në dhe Anglinë deri te marrëdhëniet aktuale me shtetin fqinj, Greqinë. Në fund ai rrëfen se pse u largua nga skena politika shqiptare në vitin 1992.
Na thoni diçka për rënien e komunizmit në Shqipëri. A kishte mundësi të evitohej dhe, nëse po, si? Ç´rol kishte në këtë rënie konceptimi rixhid i sistemit ekonomik të tij?
Ramiz Alia: Rënia e komunizmit nuk ishte një fenomen vetëm shqiptar. Ky fenomen ishte rezultat i "Luftës së Ftohtë", i përpjekjeve që bota perëndimore antikomuniste bëri gjatë dhjetëra vjetëve kundër Bashkimit Sovjetik fillimisht dhe vendeve të Lindjes evropiane më vonë, me qëllim përmbysjen e sistemit që u vendos në këtë pjesë të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadrin e "Luftës së Ftohtë" Perëndimi e tërhoqi Bashkimin Sovjetik në garën e ethshme të armatimit. Kjo bëri që në këtë drejtim të përqendrohen burime të mëdha financiare, duke lënë prapa, si rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ashtu edhe nivelin e jetesës së qytetarëve sovjetikë.
Në librin e vet "E ardhmja është te liria" E. Shevarnadze, që ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Gorbaçovit, ministër i Jashtëm i tij, ka shkruar: "Arritëm të bëhemi një superfuqi, falë, mbi të gjitha, potencialit luftarak. Por pikërisht ky zhvillim i tepruar i këtij potenciali, si dhe ekspansioni i tij i pakontrolluar e kanë katandisur vendin si të ishte një fuqi e rangut të tretë dhe kanë gjeneruar procese që e kanë shtyrë atë në buzë të katastrofës.... Siguruam vendin e parë në tregun botëror të armatimeve ... por u gjendëm në vendin e 60-të në botë përsa i përket nivelit të jetesës së popullsisë, në të 32-tin për jetëgjatësinë dhe në të 50-tin për mortalitetin infantil". Natyrisht diversioni perëndimor përfitoi edhe nga këto dobësi të zhvillimit të brendshëm të Bashkimit Sovjetik.
Përsa i përket Shqipërisë, rënia e komunizmit erdhi si pasojë e përmbysjes që ndodhi kudo në Lindje pas rënies së Murit të Berlinit. Pra primar ishte faktori i jashtëm, ndikimi i ngjarjeve në Lindje, si dhe presioni direkt (politik dhe ekonomik) që bëhej ndaj "dominosë së fundit" në shumë rrugë e mënyra. Por padyshim, përmbysja erdhi edhe si pasojë e gjendjes së vështirë që kalonte vendi, e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Ju pyesni a kishte mundësi të evitohej përmbysja që ndodhi? Kur rendi socialist ra në të gjithë Evropën Lindore, ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të mbahej më këmbë ky rend shoqëror në një vend të vogël si Shqipëria. Por mendimi im ka qenë dhe është se mund të kalohej më lehtë nga njëri sistem te tjetri, se, duke ndjekur kalimin gradual, mund të evitoheshin ato shkatërrime që shoqëruan të famshmet "terapi shock" apo fillimi nga "niveli zero", se mund të evitohej ai duf antikomunist që shoqëroi dhe shoqëron tranzicionin, ajo urrejtje "klasore" që shfaqet edhe sot midis dy partive kryesore të skenës politike shqiptare.
Ju keni qenë artefic i lëvizjeve për hapjen drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera. Ndërsa me Gjermaninë dështuat, ekziston një hipotezë. A ka diçka të pathënë në këto përpjekje? A u bëtë ju i papranueshëm për Perëndimin për vazhdimin e tranzicionit shqiptar?
Ramiz Alia: Jo vetëm për mua, por edhe për shokë të tjerë të udhëheqjes ishte e qartë se u duhej hapur rruga marrëdhënieve me botën e jashtme, duke përfshirë edhe vende të tilla si SHBA-ja, Anglia, RFGJ-ja e BS-ja, me të cilët vendi ynë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. E vërteta është se për marrëdhëniet me Republikën Federale Gjermane si dhe me SHBA-në e Britaninë e Madhe bisedimet kishin filluar duke pasur edhe mendimin pozitiv të Enver Hoxhës. Dihet se kancelari i Bavarisë, Shtraus, ka ardhur në Shqipëri në verën e vitit 1984, pra kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Ai autorizoi që Shtrausi të pritet nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, si dhe dha udhëzimet lidhur me kërkesat tona për reparacionet, si parakusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Edhe për bisedimet me Anglinë e SHBA-në ka qenë dakord Enver Hoxha. Në vitin 1984 si anglezët, ashtu edhe amerikanët, me anën e Ambasadës Franceze në Tiranë kërkuan që të zgjidhej çështja e floririt shqiptar, të mbajtur në bankat britanike qysh nga mbarimi i Luftës Dytë Botërore. Enveri edhe për këtë gjë ishte dakord dhe dha porositë e nevojshme. Në shtypin tonë ka pasur mjaft spekulime lidhur me marrëdhëniet me RFGJ-në. Janë hedhur dyshime, duke e paraqitur çështjen sikur RFGJ-ja i propozuan Shqipërisë një miliard dollarë kredi, kurse PPSH-ja nuk i paska pranuar për t´i qëndruar besnike parimit që nuk marrim kredi nga vendet kapitaliste!
Më vjen keq se, ndonjëherë, turbullirë për këtë çështje ka shkaktuar edhe ndonjë diplomat që gjoja në ato kohë paska marrë vesh nga x person gjerman ose i një kombësie tjetër se Shqipëria e paska refuzuar kredinë gjermane. Jo, kategorikisht, jo! Gjermanët asnjëherë nuk kanë propozuar ndonjë kredi të atyre dimensioneve. Pala jonë iu ka kërkuar gjermanëve reparacionet e Luftës (po, miliona, bile një miliard dollarë). Por gjermanët na janë përgjigjur zyrtarisht se të tilla nuk jepnin dot, sepse ua kishte ndaluar Konferenca e Londrës e vitit 1953 midis SHBA-së, Anglisë dhe Francës, që ishin tutorë të Gjermanisë Perëndimore në atë kohë.
Më në fund, për t´i mbyllur bisedimet dhe për të treguar se më vonë mund të rriteshin marrëdhëniet tona, gjermanët vendosën t´i jepnin Shqipërisë 20 milionë dojçmarka kredi me 1 deri 10 % interes dhe me një afat shlyrjeje 40-vjeçar, njëkohësisht 20 milionë dojçmarka falas për teknikë e teknologji gjermane. Dhe qeveria shqiptare, pavarësisht se Kushtetuta e ndalonte, e pranoi këtë kredi. Në atë kohë ne nuk ishim aq "fanatikë" të nenit të Kushtetutës që ndalonte marrjen e kredive! Po të ishte kredia prej 1 miliard markash, do ta kishim pranuar edhe më me entuziazëm. "Gjynahu" njësoj bëhet, si duke pranuar 20 milionë, apo duke pranuar 1 miliard! Ja, kjo është e vërteta.
Për ta mbyllur përgjigjen e kësaj pyetjeje, ju kujtoj se marrëdhëniet diplomatike u vendosën me RFGJ qysh në vitin 1987. Një ditë pas shpalljes së vendosjes së këtyre marrëdhënieve, unë prita dhe zhvillova bisedime miqësore me zotin Gensher. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe u vendosën në vitin 1990, megjithëse bisedimet për zgjidhjen e çështjes së floririt shqiptar, që ishte parakusht i lidhjeve diplomatike, kishin filluar qysh në vitin 1985. Përsa i përket çështjes, nëse unë u bëra i papranueshme për Perëndimin lidhur me tranzicionin shqiptar, nuk më rezulton një gjë e tillë. Unë dhashë dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës në prill 1992, jo pse kisha ndonjë presion nga jashtë, por sepse e quajta të arsyeshme të mos qëndroja në atë post, pasi zgjedhjet e marsit 1992 u fituan thellë nga PD-ja dhe, për pasojë, ajo do të kishte si shumicën absolute në Parlament, ashtu edhe qeverinë. Në klimën e asaj kohe kishte rrezik që presidentit t´i rezervohej roli i "kukullës". Prandaj dhashë dorëheqjen.
A keni ndonjë sugjerim për marrëdhëniet me Greqinë? Ndonjë gjë që vjen nga ajo kohë?…
Ramiz Alia: Kam menduar edhe më parë, po kështu mendoj edhe sot, se marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, por edhe me fqinjët tjerë, duhet të jenë sa më të mira. Njeriu nuk bën dot pa fqinjët. Ky është ligj i njohur. Përveç faktorëve të mëparshëm, për marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, është shtuar edhe një faktor shumë i rëndësishëm, sa për Shqipërinë, aq edhe për Greqinë. E kam fjalën për emigrantët, që thuhet se janë rreth 800 mijë veta. Me punën e djersën e tyre këta emigrantë i sjellin vendit tonë të ardhura të mëdha, që ndihmojnë në rritjen e nivelit ekonomik të Shqipërisë. Por në të njëjtën kohë ata ndihmojnë zhvillimin edhe të ekonomisë greke, sepse janë të përfshirë në të gjithë sistemin ekonomik të vendit fqinj.
Nga ana politike emigrantët shërbejnë si ndërlidhës midis dy popujve tanë, ashtu siç shërbejnë për këtë qëllim edhe minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri. Midis Shqipërisë e Greqisë nuk ka probleme të pazgjidhura që do të pengonin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Minoriteti grek në Shqipëri jeton i lirë, me të drejta të plota si çdo qytetar shqiptar. Qëndrimi i organeve shtetërore është korrekt ndaj minoritarëve dhe respekton normat ndërkombëtare për minoritetet. Në shtypin tonë nga koha në kohë flitet për të drejta të çamëve në Greqi. Eshtë fjala për pasuritë që ata kanë matanë kufirit shtetëror.
Më duket se në kuadrin e marrëdhënieve miqësore, me durim e mirëkuptim, çdo gjë mund të zgjidhet. E drejta e pronësisë është e njohur edhe nga normat e organizmave ndërkombëtare. Por zbatimi i këtyre normave kërkon përpjekje nga të dy palët, kërkon durim dhe jo nervozizëm, që fatkeqësisht vihet re ndonjëherë, duke e shndërruar këtë gjë në një problem politik që helmon marrëdhëniet midis dy vendeve. Mendimi im është që organet shtetërore të vendit tonë, si këtu në qendër, por edhe në ambasadën tonë në Athinë, kanë detyrime të shumta ndaj shqiptarëve-emigrantë që gjenden në Greqi. Eshtë e pakuptueshme që rreth 800 mijë shqiptarë nuk kanë shoqata të organizuara, të njohura si nga ambasada jonë, ashtu edhe nga autoritetet greke, lokale dhe qendrore. Emigrantët kanë shumë probleme, ndonjë herë edhe konfliktuale me autoritete e me vendas. Kush i mbron interesat e tyre? Kush ndihmon që ata të ndreqen kur gabojnë, kur shkelin normat e sjelljes apo rregullat e vendit ku punojnë e jetojnë? Çfarë bëhet me fëmijët e emigrantëve? Me shkollimin e tyre, me mësimin e gjuhës amtare? Greqia është mjaft e përhapur, për pasojë edhe emigrantët gjenden në çdo anë të saj, në të gjithë ishujt. Ekzistenca e shoqatave të emigrantëve do të ishte një ndihmë e madhe që ata ta ndjejnë veten sa më afër atdheut e familjeve të tyre.
Ju mbeteni një figurë e keqkuptuar në përpjekjet tuaja politike. Nuk ju duan demokratët, por dhe një pjesë e komunistëve. Cili është mezazhi juaj i jetës që mund t´u jepte përgjigje këtyre keqkuptimeve apo...?
Ramiz Alia: Unë nuk pretendoj që çdo politikan, i cilitdo korrent të jetë dakord me mua, ose të miratojë qëndrimet e veprimet e mia. Në të gjithë veprimtarinë time kam ndjekur atë që më ka thënë ndërgjegja ime. Pikërisht me këtë bindje kam marrë pjesë në Luftën Antifashiste për çlirimin e vendit, kam milituar në radhët e PPSH-së dhe me këtë bindje kam punuar me të gjitha fuqitë e mia për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së vendit, ashtu siç i jam përkushtuar ndërtimit të Shqipërisë së re, të një shoqërie të drejtësisë e të barazisë shoqërore, siç e dëshironim ne, mbështetur në teorinë marksiste. Kur, si pasojë e përmbysjes që ndodhi në tërë Lindjen Evropiane, socializmi do t´ia linte vendin demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut, me ndërgjegje u përpoqa që ky ndryshim të bëhej pa trauma të mëdha shoqërore e veçanërisht pa gjakderdhje e luftë vëllavrasëse. Jam i lumtur, që në bashkëpunim me të gjithë shokët dhe protagonistët politikë të kohës, ndryshimi u bë i qetë. Padyshim, si çdo njeri, gjatë jetës sime kam bërë edhe gabime. Por asnjëherë për të përfituar ndonjë gjë personalisht, asnjëherë me qëllim që të dëmtoj me ndërgjegje popullin tim apo ndonjë person të veçantë.
Botuar me lejen e "ABC"
Krijoni Kontakt