Universiteti i Tiranës, në 5 më të mirët e Evropës
Ajo që kishte nisur si një lëvizje e thjeshtë studentore, as që ishte menduar të finalizohej me një triumf. Kompeticioni i radhës në Kanada vërtetoi realisht se studentët e Universitetit të Tiranës nuk të mahnisnin vetëm me anglishten perfekte, por edhe me projekte ambicioze në fushën e sipërmarrjes së lirë. Gjashtë projekte të Universitetit të Tiranës u prezantuan dhe ngjallën kureshtje të veçantë nga ana e jurisë, mes 1 000 universitetesh nga e gjithë bota. “Ky vlerësim nuk është vetëm kaq. Kjo tregon se shkolla shqiptare po integrohet në nivele ndërkombëtare edhe me cilësi, duke hyrë në garë me universitete prestigjioze që kanë një traditë në sipërmarrje. Arritëm të hyjmë në garë, madje edhe të lëmë pas vende si Kanadaja, Suedia apo Japonia”, - tregojnë dy pedagogët që kanë punuar me studentët, ërofesor Halit Xhafa dhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, duke kujtuar se vlerësimi i projekteve që u prezantuan u bë nga një komision prej 200 vetësh, me emrat më të njohur të biznesit në rang ndërkombëtar. Prezantimi i bërë përpos kornizës së përcaktuar tregoi se një brez të rinjsh, të ardhur nga një vend i vogël, kishin realizuar projekte të cilat jo vetëm janë një shkëndijë bashkëpunimi mes bizneseve dhe studentëve, por edhe një mundësi e cila u jep kryesisht studentëve të Ekonomikut të flasin përtej arritjeve në shkollë. Këtu nis edhe zanafilla e punësimeve të tyre në tregun vendës, pse jo edhe në atë ndërkombëtar.
Kupa e botës
Për tri ditë me radhë, nga datat 5-7 tetor, mbi 1 200 studentë, rreth 400 biznesmenë të suksesshëm dhe 100 profesorë universitetesh nga 45 vende, morën pjesë në Kupën e Botës 2005 në Toronto, Kanada. Mes 45 skuadrave SIFE të përzgjedhura në konkurset kombëtare, Universiteti i Zimbabvesë u shpall Kampion Bote, ndërsa Universiteti Drury i SHBA-së u rendit në vend të dytë. Në pjesëmarrjen e tij të dytë radhazi në një eveniment të tillë ndërkombëtar, Universiteti i Tiranës arriti të kalojë në finale duke u renditur mes 5 skuadrave më të mira në Evropë që vinin nga vende me traditë në arsimin e lartë si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Rusia.
Projektet
18 projekte Made in Albania, u prezantuan në kompeticionin e SIFE në Kanada. Drejtori Ekzekutiv i SIFE për Shqipërinë, Jorida Tabaku, shpjegon se ky prezantim ishte kurorëzimi i punës njëvjeçare të studentëve dhe ishte vërtet i rëndësishëm, por akoma më i rëndësishëm është ndikimi i punës së këtyre studentëve në jetën e komunitetit. “Projektet kanë qenë të gjithanshme në fushën e sipërmarrjes, turizmit, etikës në biznes, dhe edukimit të rinisë me principet e ekonomisë së tregut. Në fokusin e projekteve, turizmi i periferisë së kryeqytetit ishte një prej tyre, ku u përfshinë banorët e Pezës edhe Petrelës”. Studentët ndihmuan që në këto zona të hapeshin dyqane, ku prodhimet tradicionale artizanale, jo vetëm që rritën të ardhurat, por ishin një hap, i cili çeli mundësinë e integrimit të turizmit në këto zona.
Ishte emocionuese - tregon koordinatori i SIFE Saimir Sallaku - tek shikoje interesin e gjithanshëm që u tregua për skuadrën shqiptare. Kjo jo vetëm për prezantimin në konkurs dhe projektet, por edhe për gjatë shkëmbimit kulturor që është kthyer në një aktivitet tradicional të evenimentit ndërkombëtar. Gjatë këtij ekspozimi, të pranishmit patën mundësi të njiheshin me bukuritë natyrore dhe potencialet ekonomike që ofron Shqipëria për bizneset dhe turistët ndërkombëtar. Gjatë vizitës në stendën e Shqipërisë kryebashkiaku i Torontos, David Miller, u shpreh se “Kisha dëgjuar për Shqipërinë, por tani po ndjehem i mahnitur më bukuritë e saj”. Suksesi i sivjetshëm në Kanada pret tani më shumë projekte dhe po kaq vëmendje nga ata që mbështesin financiarisht që janë emrat e njohur të biznesit. Një ndër mbështetësit e SIFE, Behar Male, që shoqëroi ekipin si përfaqësues i Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare, shprehet mjaft entuziast për punën e studentëve dhe mendon se iniciativa të tilla duhet të mbështeten fuqishëm dhe të përbëjnë urat lidhëse midis bizneseve dhe universiteteve. Ndërkohë një tjetër mbështetës, Andi Derhemi, drejtor i investimeve 2K Group, pohon se mbështetja duhet të bëhet e qëndrueshme dhe të kalojë në nivelin e bordeve këshilluese, për të promovuar lëvizjen SIFE dhe ndikimin që ka puna e studentëve në komunitetin tonë.
Çfarë është SIFE?
SIFE (Students In Free Enterprise) është një lëvizje studentore ndërkombëtare, krijimi i së cilës daton qysh më 1975-ën, ndërkohë që nga mesi i viteve 90 shtriu shumë shpejt rrjetin e saj nga Amerika në të gjithë globin. Kjo lëvizje ka si qëllim t’u japë studentëve mundësi për të konkretizuar njohuritë e tyre në vizione për të ardhmen dhe projekte që mund të shfrytëzohen në dobi të biznesit duke krijuar mundësi ekonomike në komunitetet ku ata jetojnë. Skuadra e parë e SIFE në Shqipëri është krijuar në mars të vitit 1996, duke u përqendruar fillimisht vetëm në Fakultetin Ekonomik të kryeqytetit, ndërkohë që më pas rrjeti u zgjerua, derisa në tetor të po këtij viti SIFE Albania kishte strukturat e saj në 5 universitete të tjera. Më shumë se 1 100 studentë janë përfshirë deri më sot në më shumë se 270 projekte SIFE, duke përmirësuar jetën e gjashtë komuniteteve të rëndësishme universitare, atyre të Tiranës, Kamzës, Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.
PROJEKTI I BURGUT
Një nga projektet e ideuara dhe zbatuara nga të rinjtë e SIFE Albania, është ai i punësimit të grave të Burgut 325 në kryeqytet. Në bashkëpunim me dy firma të prodhimit të këpucëve, të rinjtë e SIFE angazhuan 58 gra të dënuara në një prej proceseve të dorës, pasi ishin trajnuar fillimisht. Ato arritën që duke punuar për një pierudhë kohe në këtë projekt, u shpërblyen financiarisht dhe një pjesë të të ardhurave ia dërguan të afërmve, ndërsa një pjesë i përdorën për qëllime personale. Projekti i dha një mundësi jo vetëm grave të dënuara, por edhe biznesit, që përpos përfshirjes në projekt, të ndihmonin edhe në integrimin e tyre.
Marre nga Shekulli
Krijoni Kontakt