Mbrojtja e turpshme në emër të interesave të fermerëve, një mashtrim i paskrupullt
Gjana: Rrapajn nuk e shpëton nga ndëshkimi asnjë lloj lobingu
Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, paralajmëroi dje se Agim Rrapajn nuk mund ta shpëtojë nga përgjegjësia asnjë lloj lobingu që ai ka organizuar dhe përpiqet të organizojë, duke përdorur fondet e shpërdoruara që kanë ndërruar destinacion dhe nuk kanë shkuar tek fermerët e vërtetë. Gjana tha se "mbrojtja e turpshme e Agim Rrapajt se gjoja u sakrifikua duke mbrojtur interesat e fermerëve për furnizimin me naftë pa akcizë, është një mashtrim i paskrupullt".
Ish-drejtori i zbatimit të projektit të financuar nga qeveria japoneze, "Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR", Agim Rrapaj, është shkarkuar nga puna tre ditë më parë, së bashku me 25 drejtorë të tjerë në strukturat qendrore e lokale të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, për abuzime të rënda miliona dollarëshe dhe arbitraritet në zbatimin e ligjit. Agim Rrapaj, që është njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, është akuzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 1 milion dollarëve të grantit japonez, duke i xhiruar ato për OJQ-në e vet private.
Në një raport voluminoz të KLSH flitet për shkelje në përdorimin e fondeve, për abuzime në shpërblimet e pagave dhe prokurimet. Madje, KLSH ka kërkuar shkarkimin nga puna të Rrapajt. Mbështetur në fakte skandaloze, KLSH ka bërë kallzim penal për drejtorin e zbatimit të projektit të financuar nga qeveria japoneze, "Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR", Agim Rrapaj, me akuzën "për shpërdorim të shumës prej 110 milionë lekëve". Sipas KLSH, një pjesë e fondeve të grantit japonez të këtij projekti për qeverinë shqiptare nuk kanë shkuar në ndihmë të fermerëve, por në destinacione të tjera, duke favorizuar shoqëri tregtare dhe në disa raste punonjës të administratës shtetërore.
Gjithsesi, Rrapaj po bën të gjitha përpjekjet për të fshehur implikimin e tij në afera të shumta korruptive, duke spekulluar kryesisht me mbrojtjen që gjoja ai po u bën fermerëve. Kundër këtyre qëndrimeve spekullative ka reaguar ashpër dje ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana.
"Koha e mashtrimit dhe e mashtruesve ka marrë fund. Rrapaj dhe kushdo tjetër pas tij nuk mund t'i përdorë më interesat e fermerëve si gjethe fiku për abuzimet e konstatuara, që do të ndëshkohen hap pas hapi", tha Gjanaj. Vetëm një ditë pas spekullimeve të turpshme të disa mediave të blera nga ish-drejtori i zbatimit të Projektit të financuar nga qeveria japoneze, për gjoja ndërprerje të qëllimshme të furnizimit të fermerëve me naftë pa akcizë, ministri Gjana informon opinionin publik se e vërteta për furnizimin me karburant për bujqësinë qëndron krejt ndryshe.
"Me një vendim plotësues të datës 6 maj 2005, qeveria "Nano" ka lëshuar në dorë të Agim Rrapajt, përveç fondeve të "2KR", edhe 280 milionë lekë kosto lokale për gjoja furnizimin me naftë të fermerëve. Në të vërtetë, fondet janë përdorur gjatë muajve maj, qershor e korrik në rrugë tërësisht abuzive dhe për qëllime elektorale", deklaroi Gjana. Kjo sipas tij është vërtetuar, jo vetëm nga kontrolli i KLSH, por dhe nga dhjetra ankesa të dokumentuara që Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka marrë gjatë këtyre 5 javëve nga grupe fermerësh, specialistë bujqësie e pushtetarë lokalë nga të katër anët e vendit. Gjana tha se këto grupe fermerësh, specialistë e drejtues të njësive të qeverisjes vendore dëshmojnë se nafta nuk ka shkuar tek fermerët.
"Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka pezulluar këtë lloj shpërndarje tërësisht abuzive dhe ka ngritur një grup të posaçëm pune për të përgatitur gjithë bazën ligjore, rregullat e sakta e transparente si dhe modalitetet që do të përdoren, me qëllimin e vetëm që paratë e përcaktuara për karburantin në bujqësi të shkojnë tek fermerët dhe jo në xhepat e atyre që organizojnë konferenca shtypi në hotelet luksoze të kryeqytetit, për të mbrojtur vetveten dhe interesat e një grupi të ngushtë njerëzish rreth e qark", tha Gjana. Ai shprehu vendosmërinë e dikasterit që drejton për të gjetur zgjidhjen e duhur, që financimet për bujqësinë të përdoren vetëm në funksion të rritjes dhe shtimit të prodhimit bujqësor e blegtoral.
www.rilindjademokratike.com
Krijoni Kontakt