Athinë - Uashington, përplasje diplomatike
Autori i Lajmit: S.D.
ATHINE- Greqia i ka bërë ankesë formale Uashingtonit pas deklaratës amerikane se keqtrajtimi që Athina u bën romëve dhe minoriteteve tjera “ende është shqetësim për Shtetet e Bashkuara”. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke Giorgios Koumoutsakos tha se ambasadori amerikan Charles Reis është thirrur për të pranuar ankesën. Deklarata e 28 shtatorit u bë nga Felice Gaer, përfaqësues amerikan në OSBE. “Trajtimi i dobët i pakicave turke, shqiptare dhe maqedonase ende paraqet shqetësim për Shtetet e Bashkuara”, i shkroi Gaer OSBE-së, duke shtuar se “Greqia vazhdon t’i zhvendosë disa komunitete rome në mënyrën që nuk përkon me ligjin grek”. Nënsekretari i shtetit për Çështje Politike Nicholas Burns, dje e mbështeti qëndrimin e përfaqësuesit amerikan në OSBE. Para disa ditësh, Amnesty International deklaroi se të drejtat e minoriteteve në Greqi akoma shkelen. Raporti u dokusua kryesisht në dështimin që ka treguar shteti Helen për tu pajtuar me ligjet mbi të drejtat e njeriut dhe standarteve për sa i përket çështjes së azilit. Pretendimet dhe rastet e shumta të keqtrajtimit dhe diskriminimit të minoriteteve janë në qendër të vëmendjes së avokatëve, doktorëve, gazetarëve, aktivitstëve dhe organizatat jo qeveritare. Përfaqësues të Amnesty International vizituan Greqinë në vitin 2005 dhe mblodhen informacionin e duhur në lidhje me shkeljet që janë bërë. Në raport thuhet se autoritetet po dështojnë tu ofrojnë emigrantëve të drejtën për azil. Sipas informacioneve zyrtare, në vitet 1990, popullsia e minoriteteve në Greqi u rrit nga viti në vit. Pjesa më e madhe e emigrantëve i përket kombësisë shqiptare, turke dhe qipriote.
Ky lajm është publikuar: 12/10/2005
Ballkan.
Krijoni Kontakt