Nga Dr. Bedri Selmani

Para fillimit të bisedimeve ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës, në opinionin publik ndërkombëtar dhe atë të vendit, kanë filluar spekulime të ndryshme rreth asaj se si do të zgjidhet statusi i ardhshëm dhe i vonuar i Kosovës?. Pra fjala është, prej atyre të cilët pavarësinë e shohin si zgjidhje të vetme të natyrshme, gjer te ata të cilët edhe më tutje spekulojnë në mënyra dhe forma të ndryshme kundër pavarësisë, apo varianti më i ri që është jo i natyrshëm dhe i pa aplikueshëm, zgjidhja e ashtuquajtur “pavarësi e kushtëzuar”!?.
Tërë kjo dilemë rreth statusit final nga ana ,,qendrave të vendosjes” në diplomacinë ndërkombëtare, gjendjen aktuale socio-ekonomike dhe politike të Kosovës e ka bërë të paqëndrueshme për institucionet e përkohëshme të Kosovës, që në realitet mund të ketë pasoja të pakompenzueshme për qytetarët dhe perspektivën e tyre?!. Në të vërtet, këto gjenerata janë në rrezik të humbin krejtësisht mundësin e perspektivës në vendin e tyre, për shkak të papunësisë dhe krizës ekonomike që e ka kapluar Kosovën. Të vetmen mundësi qytetarët tani e kanë të ikun në ,, mënyrë ilegale” në botën e jashtme për të siguruar ,,kafshatën e gojës”, dukuri kjo e cila po merr përmasa gjithnjë e më alarmante!..

Çka në realitet po ndodhë me ekonomin Kosovës?

Termi “pavarësi e kushtëzuar” në rend të par është mjaft i gjerë dhe i pakuptueshëm, tani për tani disa qarqe ndërkombëtare po e kuptojnë më tepër si një shenjë të re të statusit kalimtar se sa si një përmbajtje të saktë. Kjo përmbajtje pa dyshim është shprehje jo logjike dhe e panatyrshme nga aspekti juridik!?. Por,në tërë këtë një është shumë qartë rezoluta 1244 e OKB-ar është bërë e paqëndrueshme, për arsye se ajo nuk i ka dhënë rezultatet e duhura sa i përket zhvillimit ekonomik në këto gjashtë vite të kaluara, edhe pse kjo rezolut ka garantuar zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë mandatit të sajë...
Ekonomisë Kosovare i ka ndodhur deindustrializimi pothuajse i të gjitha kapaciteteve ekzistuese industriale. Kurse tani po përballet me mungesë të akumulimit vendor të kapitalit (me pamundësi të marrjes së kredive të jashtme për shkak të statusit të pa definuar, UNMIK-u nuk ka mundur të garantoj për kthimin e këtyre kredive), shkallë jo reale të kamatave, me papunësi ekstreme, kurse investimet e jashtme e kanë anashkaluar ekonomin kosovare për shkak se mungon adresa e sigurisë juridike shtetërore?!.
Tërë kjo ka bërë që në Kosovë reformat e domosdoshme shoqëroro-ekonomike, ende nuk kanë filluar për shkak të mungesës drastike të mjeteve financiare. Ndërsa procesi i transicionit /transformimit është në ngecje të plotë, kurse pas pesë viteve të rindërtimit, (të asaj që është rrënuar nga agresori gjatë robërisë dhe luftës çlirimtare) në këtë vit Kosova do të ketë rritje ekonomike negative,(vlen të theksohet se për tu arritur prodhimi industrial i viteve të tetëdhjeta, Kosovës i duhen s’paku edhe dhjetë vite të ardhshme). Po thuajse të gjitha këto trende negative po ndodhin për shkak pse burokracia ndërkombëtare tani e gjashtë vjet ende po hamendet dhe po e zvarrit, pa nevojë, që të pranoj ndërkombëtarishtë Shtetin e pavarur të Kosovës, si proces të natyrshëm, që ka ardhur si pasoj e ngjarjeve në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në këto hapësira, për shkak të ndryshimeve gjeo-politike dhe gjeo-strategjike. Prandaj, ,,qendrat e vendosjes” ndërkombëtare më në fund duhet ta kuptojnë që pavarësia e Kosovës duhet të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë konkrete, sepse kjo është bërë domosdoshmëri për qytetarët e saj, të cilët gjithnjë e më shumë po tregojnë “lodhje nga pritja e kohërave më të mira” ata tani me të drejtë “po ndjehen të privuar dhe të getiizuar” nga e drejta për fillimin e zhvillimit normal shoqëror-ekonomik, për shkak të statusit ende të pazgjidhur?!
Vlen gjithashtu të theksohet se tërë kjo gjithnjë e më shumë po bien në kundërshtim, me idetë themelore të procesit objektiv të globalizmit që drejtpërdrejtë është i lidhur për konceptin “për rendin e ri botëror” i cili i ka pranuar dhe i respekton pesë vlerat themelore të cilat janë themel i lidhmërisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar: paqja ; e drejta për zhvillim shoqëroro-ekonomik ; respektimi i të drejtave njerëzore ; drejtpeshimi ekologjik dhe demokracia .

Pse pavarësia e plotë është çels i fillimit të zhvillimit ekonomik?

E drejta e lirisë së vullnetit qytetar në Kosovë është në rrezik, për këtë misioni ndërkombëtare mund do ta humbë besimin e qytetarëve, po që se edhe më tutje zvarrit të drejtën legjitime për vetëvendosje për Shtetin e pavarur të Kosovës. Nga të gjitha analizat shkencore që janë bërë gjerë me tani, rrjedhë se pavarësia e plotë e Kosovës, jo që nuk paraqet rrezik për askënd por përkundrazi siguron bazën për fillimin e zhvillimit ekonomik të vendit, kurse kjo më tutje është garanci për sigurin ushtarako- politike të rajonit, si dhe siguron funksionimin e demokracisë së mirëfilltë për të gjithë qytetarët e saj.

Prandaj, vetëm pas shpalljes dhe pranimit ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës, mund të flasim për një fillim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Me këtë Shteti juridik i Kosovës do të krijonte bazën e sigurisë ligjore për investimet vendore dhe investimet direkte të jashtme, të cilat do të mundësonin nxitjen e shpejtuar të zhvillimit ekonomik, punësimin, rritjen e ofertës konkurruese të ndërmarrjeve, mundësin e lehtësimit të pjesëmarrjes në burimet financiare ndërkombëtare (kredit e jashtme), tërë kjo do të ndikonte në rritjen e prodhimtarisë dhe të eksportit. Ndër të tjera, kjo do të mundësonte fillimin e ardhjes së filialeve të koorporatave transnacionale, të cilat janë të domosdoshme për procesin e transformim dhe ristrukturimit modern të ekonomisë kosovare. Nuk duhet harruar që korporatat transnacionale janë aktorët global kryesor për nxitjen e hulumtimeve dhe zhvillimit, të teknologjive të reja, të veprimtarive të reja prodhuese dhe shërbyese, janë njëherit edhe bartës të rregullave të reja organizative të sjelljes. Me ardhjen e pasurisë së tyre të prekshme dhe të paprekshme të kapitalit, teknologjisë, arsimimi dhe riaftësimi i fuqisë punëtore, standardet e mbrojtjes së ambientit... Të gjitha këto në afat të gjatë munden t’i kontribuojnë fillimit të zhvillimit të ri të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Mirëpo, kompanitë transnacionale investojnë vetëm në ato vende, ku ekziston adresa e funksionimit të shtetit juridik, sepse vetëm kjo garanton kapitalin e tyre.
Pavarësia e plotë e Kosovës është e vetmja terapi, që u mundëson qytetarëve të sajë të fillojnë të dalin nga varfëria dhe jo perspektiva si shkak i papunësisë së lartë. Kurse vendit i garanton zhvillim dhe dalje të sigurt nga kriza ekonomike,tërë kjo institucioneve shtetërore të Kosovës do t’ju mundëson që sa më shpejt t’i fillojn parapregaditjet për plotësimin e standardeve për integrim në Unionin Evropian...


( Autori është ekspert i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare)