vrasja ne tropoje
ngjarja
Tentoi ta grabiste me dhunë. 20-vjeçarja merr armën e vëllait, e vret. Mban peng edhe bashkëpunëtorin
Tropojë, vajza ekzekuton rrëmbyesin
Aurora Breçani qëllon me 6 plumba të njohurin Agron Rrahmanin
Tropoje
Gjashtë plumba për të ruajtur nderin. Një breshëri kallashnikovi për të mos iu nështruar dhunës së një prej njerëzve të njohur të Tropojës. Agron Rrahmani, një ish-emigrant me precedentë penalë në të shkuarën, është ekzekutuar dje në banesën e një vajze 20-vjeçare gjatë një tentative për ta rrëmbyer atë.
Aurora Breçani, mbesa e këngëtares së njohur tropojane, Fatmira Breçani, nuk ka kursyer plumbat ndaj agresorit të saj që ka tentuar ta rrëmbejë me dhunë, ndërsa ka mbajtur peng për disa orë bashkëpunëtorin e tij. Një ngjarje që ka tensionuar për disa orë situatën në fshatin e vogël Markaj, 3 kilometra larg qytetit të Bajram Currit.
Ngjarja
Gjithçka ka nisur në orët e para të ditës së djeshme. Agron Rrahmani, i kthyer para disa kohësh nga emigracioni, bashkë me një mikun e tij, është nisur nga Bajram Curri drejt fshatit Markaj në periferi të qytetit dhe rreth orës 11:30 minuta ka ndaluar përpara portës së familjes Breçani e njohur në Tropojë prej emrit të këngëtares së njohur Fatmira. Sipas burimeve të policisë së qytetit verior mësohet se Rrahmani ka hyrë brenda në oborrin e shtëpisë, ku sipas dëshmive, ndodhej vetëm vajza 20-vjeçare duke bërë punët e shtëpisë, ndërsa pjestarët e tjerë të familjes kanë qenë duke punuar tokën. Tentativat e Rrahmanit për të folur me vajzën dhe për ta bindur atë që të shkonte me të kanë dështuar, kështu që ai ka provuar të përdorë forcën në rrëmbimin e Aurorës e cila ka refuzuar në mënyrë kategorike. Debati mes tyre është acaruar dhe vajza, sipas policisë, ka mundur që të shpëtojë nga duart e rrëmbyesve dhe ka hyrë brenda në shtëpi ku ka marrë edhe armën kallashnikov që ndodhej varur në mur dhe ka qëlluar 35-vjeçarin që e ka ndjekur nga pas. Gjashtë plumba, sipas agjentëve kriminalë, e kanë goditur në kraharor Rrahmanin i cili ka rënë i vdekur në vend, ndërsa nën kërcënimin e armës vajza ka mbajtur të izoluar edhe bashkëpunëtorin e tij deri sa kanë mbërritur edhe pjestarët e tjerë të familjes Breçani që e kanë liruar vetëm pas mbërritjes së policisë.
Operacioni
Të sinjalizuar për ngjarjen e ndodhur, forcat e policisë së Bajram Currit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën. Fillimisht ata kanë ndërhyrë për të liruar personin që mbahej i izoluar dhe më pas kanë mundur që të vënë në pranga edhe vajzën, e cila nuk ka bërë asnjë rezistencë. Të vetmen fjalë që ka thënë ajo në momentin e izolimit në qeli, sipas drejtuesve blu, ka qenë fjalia; “e qëllova se deshi të më rrëmbente me forcë”. Bashkë me të në qelitë e komisariatit të Bajram Currit janë shoqëruar edhe nëntë persona të tjerë, pjestarë të familjes Breçani që janë marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes. Në drejtim të Tropojës, nga Kukësi janë nisur edhe disa pjestarë të grupit të gatshëm të drejtorisë së qarkut që kanë ndihmuar policinë lokale në përmbylljen e operacionit në fjalë. Ndërkohë që viktima pas ekzaminimit mjekoligjor është përcjellë për në banesën e tij në Bajram Curri.
Hetimet
Nga të gjitha dëshmitë e marra deri në orët e vona të mbrëmjes për policinë e qytetit verior, dyshimet kryesore për vrasjen janë tek vajza e cila e ka marrë vetë përsipër autorësinë e këtij krimi. Megjithatë, ata kanë hedhur dyshime edhe mbi të atin dhe vëllezërit e 20-vjeçares të cilët janë mbajtur të shoqëruar në komisariat. Sipas variantit të dalë nga dëshmitë e tyre, Aurora e ka qëlluar Agron Rrahmanin në kushtet e vetmbrojtjes pasi ai ka tentuar ta dhunojë e ta rrëmbejë brenda në banesën e saj. Megjithatë, policia bëri të ditur se është duke mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen e cila ka sjellë mjaft reagime në qytetin e vogël verior dhe ka mbajtur të tensionuar për disa orë me radhë fshatin e vogël që kohët e fundit është tronditur disa herë nga ngjarje të tilla të rënda. j.h / p.s
Familjarët e vajzës e mbajtën peng deri sa mbërriti policia
Shoku i viktimës 2 orë nën kërcënimin e armës
Ka shkuar për të ndihmuar shokun e tij dhe ka përfunduar për 2 orë peng i vajzës që donin të rrëmbenin. Në kohën kur Agron Rrahmani ishte qëlluar për vdekje, shoku i tij që ndodhej në këtë ngjarje është detyruar që të qëndronte i shtrirë në tokë nën kërcënimin e armës për disa orë me radhë, deri sa ka ndërhyrë policia dhe ka bërë të mundur zgjidhjen e situatës. Nga ana e policisë veriore nuk është bërë i ditur emri i personit të mbajtur peng, por sipas tyre ai është detyruar të bindet nën kërcënimin e armëve të presë në korridorin e banesës së Breçanajve, deri sa aty ka mbërritur policia dhe ka bërë shoqërimin e tij në qelitë e komisariatit verior. Burimet thanë se të afërmit e vajzës kanë deklaruar se personi në fjalë ka qenë i pranishëm në tentativën e rrëmbimit të saj dhe për këtë arsye e kanë mbajtur të izoluar që të merrej më pas policia me të. Policia tha se personi në fjalë ka qënë mik i Rrahmanit dhe pozicioni i tij në këtë ngjarje do të verifikohet nga hetimi i mëtejshëm i ngjarjes. Mendohet se ai është mbajtur peng nga pjestarët e familjes së vajzës që kanë mbërritur në banesë sapo kanë dëgjuar krismat e armëvë që dilnin pikërisht prej andej. E gjithë kjo ka zgjatur për gati dy orë, kohë kur është bërë i mundur edhe arrestimi i vajzës si autore e vrasjes së Agron Rrahmanit. Ndërkohë që sipas të dhënave nga qyteti verior mësohet se Rrahmni kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte kthyer nga emigracioni ku kishte vite që qëndronte. Në fillim të viteve ‘90 ai ka qënë një personazh i njohur në Bajram Curri, por që në kohën e ngjarjeve të viteve 1997-2000 ka qënë i papërfshirë, pasi ndodhej jashtë.
Ekzekutohet Tahir Breçani
Vetëm pak metra sapo kishte dalë nga lokali “Enigma”, pronë e Jaho Salihit, vritet Tahir Breçani, 40 vjeç. Shtatë plumba pistolete nga dy atentatorë të identifikuar, por akoma të paarrestuar nga policia, i morën jetën pas plagosjes në këmbë. Dëmtimi i rëndë i arteries bëri që viktima të japë shpirt në spitalin e Bajram Currit, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Familjarët pohojnë se nuk kanë asnjë konflikt me njeri dhe madje akuzojnë se vrasësit kanë mbiemrin Metaliaj dhe kanë lidhje direkte në vrasjen e Azem Hajdarit. Këtë fakt e bën të ditur i vëllai i të ndjerit Tahir Breçanit, Saliu. Ai madje akuzoi dhe forcat e Rendit se kanë favorizuar vrasësit për të ikur, pasi kanë shkuar 25 minuta me vonesë në vendngjarje.
Shpëton nga prita Astrit Breçani
Një tjetër atentat ka tronditur Tropojën në shtator të këtij viti. Astrit Breçani, 30 vjeç nga fshatit Markaj, 3 kilometra larg qytetit të Bajram Currit ka shpëtuar mrekullisht nga vdekja pas pritës që i është bërë nga një bashkëfshatar. Sipas policisë, shkak ka qenë një zënkë momenti me një bashkëfshatar të tij, ku më pas janë nxehur gjakrat, saqë njëri ka rrëmbyer automatikun dhe ka qëlluar mbi shokun. Në rrugë operative efektivat e policisë shkuan me shpejtësi drejt vendit të ngjarjes dhe nga hetimet u bë e mundur zbardhja e shpejtë e emrit të atentatorit, i cili nuk u bë i ditur. Madje policia lokale kontrolloi banesën e tij dhe në një plevicë gjeti 3 arka me granata dhe ndezës, ndërkohë që në vendngjarje janë bllokuar 2 gëzhojat e dala nga arma automatike.
Bie në mina Mustaf Breçani
Në spitalin e Tiranës Breçani ka gjetur dhe një tjetër viktimë nga fisi i tij, Mustaf Breçanin, që u plagos një javë më parë në një atentat me mina të telekomanduara në fshatin Markaj. Policia dhe vetë tekniku i ujësjellësit thanë se atentati ishte aksidental, pasi Breçani nuk kishte asnjë problem me njeri dhe kishte të ngjarë që minat të ishin vendosur për dikë tjetër. Policia nuk bën lidhje mes dy ngjarjeve, përveç mbiemrit që lidh dy viktimat, megjithatë hetime po vazhdojnë për të zbardhur shkakun e vërtetë të konfliktit. Mendohet se atentati në fjalë ka pasur për objektiv një tjetër person dhe se mund të ketë pasur ndonjë ngatërresë në momentin e shpërthimit.
© 2003 Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt