Kryeministri Berisha ngre një komitet të posacëm me pjesëmarrje edhe të opozitës për parkun energjitik të Vlorës
Komitet të posacëm për parkun energjitik në Vlorë
Gazeta Tema
Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje ngritjen e një komiteti pë shqyrtimin e aspekteve ekonomike të projektit të parkut energjitik të Vlorës. Zëdhënësi i kryeministrisë, Dritan Mishta, në një konferencë për shtyp, në përfundim të mbledhjes së djeshme u shpreh se në këtë komitet do ftohen për të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës si dhe deputetët Isaraj, Kollozi, dhe Malaj. Ai tha se kryeministri Berisha gjykon se ngritja e këtij komisioni do të ndihmojë në gjetjen e një rruge të përshtatshme për zhvillimin e burimeve ekonmike në këtë zonë. "Duke u nisur nga rëndësia që ka zhvillimi i ekonomisë dhe i turizmit, si dhe shqetësimet e vazhdueshme të qytetarëve e shoqërisë civile për ruajtjen e mjedisit, kryeministri Berisha gjykon se ngritja e këtij komiteti të posacëm, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për zhvillimin e burimeve ekonmike dhe ruajtjen e mjedisit. Gjithashtu Kryeministri, duke vlerësuar dobinë që sjell bashkëpunimi institucional dhe politik, ka vendosur që në mbledhjet e Komitetit të Posacëm të ftohen edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Rektori i Universitetit dhe deputetët Arben Isaraj, ARdian Kollozi, dhe Arben Malaj", u shpreh dje zëdhënësi i qeverisë Mishta. Ky komitet do të drejtohet nga zëvëndës kryeministri, Ilir Rusmali ndërsa në përbërje të tij do të jenë edhe ministrin e Mjedisit, Ujërave, dhe Administrimit të Pyejeve, ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zëvendësministrine Ekonomisë, Industrisë dhe Energjitikës, drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Energjisë, prefektin e Qarkut të Vlorës, drejtorin e Institutit të Mjedisit, këshilltarin e Kryeministrit për Cështjet e Ekonomisë. Në mbledhjet e këtij komisioni do të ftohen për të marrë pjesë gjithashtu edhe organizma të shoqatave mjedisore të "Ekolëvizjes", "Për ruajtjen e mjedisit natyror në Shqiperi", "Për Ruajtjen e Shpendëve dhe kafshëve të egra në Shqipëri". Ky komitet i ngritur me iniciativën e kryeministrit do të përfundojë studimin e zonës deri ne datën 30 tetor, datë në të cilën do të dërgojë në kryeministri edhe raportin me përfundimet e arritura. Pas marrjes së këtij vendimi nga Këshilli i Ministrave, ambientalisti Sazan Guri tha se zhvendosja e TEC/eve nuk do të zgjidhë problemin por thjesht do ta vonojë atë. "Mbështesim qëndrimin e qeverisë që ka hedhur idenv e zhvendosjes së TEC/eve por zhvendosja nuk e zgjidh problemin e ndotjes, por thjesht e vonon atë. Përqëndrimi i tepërt i industrisë në Vlorë e shkatërron atë si qytet bregdetar dhe nga ana tjetër Vlora nuk është qytet i përshtatshëm për të ndërtuar TEC/e. Deri tani kemi mbledhur 7 mijë firma për referendum që populli t'i thotë jo ndërtimit të TEC/it në Vlorë. Shpresojmë të na mbështesë edhe qeveria në këtë nismë", u shpreh Guri. Gjatë një vizite pak ditë më parë në qytetin e Vlorës kryeministri Berisha është shprehur se Parku Energjitik do të ndërtohet në një zonë periferike ku nuk do të ndihen efektet ndotëse.
Krijoni Kontakt