Është shansi për të fituar e jo për të humbur

NGA GËZIM PODGORICA

Sjellja me përgjegjësinë e momentit historik të liderve politik të Kosovës, do të jetë përcaktuese për të qenë afër realizimit të aspiratës për pavarësi. Çdo shfaqje ose kërkesë për protagonizëm, jo vetëm frenon procesin e fillimit të diskutimit për statusin, por sjell pasoja jolehtësisht të riparueshme për politikën kosovare në përgjithësi.
Në momentin e shumëpritur të fillimit të diskutimit për statusin final, Kosova gjendet në një situatë aspak të favorëshme për të përsa i takon një konvergimi dhe bashkëpunimi të faktorit të saj politik, duke shtuar këtu edhe disa të papritura që i solli fillimi i shtatorit të këtij viti: Sëmundjen e papritur të presidentit Rugova, i cili rëndom është quajtur ikona e pavarësisë së saj dhe kërkesa për dorëheqje nga opozita për kryeministrin Bajram Kosumi lidhur me skandalin e kthimit të tij me avion ‘çarter’ privat nga pushimet.
Sigurisht që të dy momentet do të kalohen, pasi për Rugovën mjekët janë optimistë, ndërsa për Kosumin mungon mbështetja e faktorit ndërkombëtar për opozitën për ndërmarrjen e një hapi të tillë, së paku për momentet e tanishme. Gjithsesi nga c’këndvështrim lexohen këto momente, mediatikisht ato vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik si brenda dhe jashtë Kosovës, duke rritur sensibilitetet për pamundësinë e gjetjes së një gjuhe të përbashkët për të qenë në unison lidhur me atë që nënvizon me të drejtë Petersen: Përcaktoni prioritetet tuaja dhe ato janë: fillimi i bisedimeve për statusin dhe zgjidhja e tij në mënyrë që Kosova të ecë përpara. Me ndjeshmërinë e një politikani të matur dhë që po hedh hapa të guximshëm të kritikuar aq menjëhershëm nga Beogradi, i cili e ndjen se Kosova tashmë gjithnjë e më shumë po i ikën, Peterseni i sugjeron faktorit politik shqiptar të shohë te problemi më i rëndësishëm që kërkon unitetin e të gjithëve dhe të largojë vëmendjen e liderve nga protagonizmi i panevojshëm për këtë moment delikat. Ndërkohë që Kai Eide është në Nju Jork së bashku më çantën e tij të standardeve, asnjë nga liderët kosovarë nuk di se çfarë është thënë aty, cilat janë garancitë dhe si do të pritet ai raport që mban pezull një proces mjaft të rëndësishëm. Në mënyrë jo largpamëse dhe përmes interesash të protagonizmit personal, klasa politike në Kosovë po sillet gati-gati diletanteske për atë që pritet të ndodhë me statusin. Momentin final, të shumëpritur me sa duket kërkojnë ta nënshkruajnë secili në një pozicion sa më të avancuar politik, për ta pasur si pjesë të CV- së së tyre politike më shumë sesa për ato përfitime që mund të sjellë. Mirëpo kjo mosmarrje vesh ndërmjet tyre, ka shumë mundësi që mund të jetë një ndër frazat e nxehta që Eide ka nënvizuar, duke sjellë më pas një ridimensionim të problemeve të këtij procesi. Një vonesë tani, nuk do të ishte jo thjesht një shans i humbur, por një vonesë me pasoja që nuk mund t’i rregullojë cilido që mund të ulet më pas në poltronin e presidentit apo kryeministrit. Vetëm ikja nga kapriçot e politikave ditore, të cilat janë të destinuara të depërtojnë brenda një rrethi vicioz, do të shërbenin për zgjidhjen e problemit. Të gjithë shigjetat janë drejtuar ndaj kryeministrit Kosumi, i cili ka konsumuar jo pak nga pushteti, jo vetëm nga akuza e mitmarrjes, por edhe e mefshtësisë së tij. Por i gjendur përballë tundimit të “kryeministrit të pavarësisë” ai nuk tërhiqet, ashtu si dhe lideri i UÇK-së Thaçi, që është i vendosur së bashku me opozitën e tij të mos e tolerojë këtë rast. Tensionet politike kanë shkuar realisht në kufijtë e një rivaliteti për të hyrë në histori, për këtë moment kaq delikat. Ajo çka u intereson sot disa liderve politikë në Kosovë, u intereson më së paku popullsisë atje, e cila ka kaq vite që çdo gjë e sheh për statusin dhe në emër të statusit. Një vonesë tjetër, nga ajo që theksoi Holbrooke disa ditë më parë, do të ishtë një faturë mjaft e rëndë për procesin në tërësi në Kosovë, po edhe për faktorin ndërkombëtar që nuk mund të tërhiqet pa u zgjidhur përfundimisht kjo çështje kaq delikate dhe jetike për Kosovën, çështje e vonuar tashmë për të qenë e zgjidhur.
Nga ana tjetër, jo thjesht për protagonizëm, mëgjithëse edhe ky nuk mungon, Rugova ka kapur vetë në dorë situatën dhe ka shpallur grupin e punës që do të merret me statusin. Normalisht mbivendja e tij, mbyll mjaft shtigje, ashtu siç hap edhe të tjera që lidhen me peshën që ka secili në këtë moment. Ekipi ose formula “Rugova” normal që ka tensionet e veta, por ai brenda lëvizjeve të ngadalta e pa shumë ‘look’, që lidhen edhe me formimin e tij dhe fjalorin shumë të kufizuar mediatik, gjithsesi është hedhur në pistën e zgjidhjes. Domosdo që i është afruar shansit të “Presidentit të Pavarësisë”, por e ka ndjerë në këtë moment edhe rolin dirigjues. Mbetet për t’u parë se sa dhe si ai do t’u shmanget inateve të vjetra historike me Thaçin e Surroin, për t’i vendosur në atë podium historik që mund të jetë i kënaqshëm dhe motivues për të qenë të gjithë në unison në këtë moment kaq përcaktues për të ardhmen.
Shumë gjëra për momentin tani në Kosovë kanë mbetur pezull, por mbi të gjitha ajo që lexohet është një lloj shkrehjeje e përgjithshme që vihet re në momentin e tranzicionit të pushteteve. Vërtet nuk ka zgjedhje të pritshme, por mundësia e zëvendësimit të Misionit të UNMIK-ut më një mision tjetër ndërkombëtar si dhe qeveria shumë e anatemuar veçanërisht për korrupsion, kanë bërë që gjërat në Kosovë të kenë një ritëm shumë të avashtë. Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar flet për standardet përpara përcaktimit të statusit, formulë tashmë e pranuar nga faktori politik i Kosovës, rëndojnë tabllon që pret të marrë ngjyrime të tjera në këtë fillim tetori. Standardet për të cilat flitet aq shumë dhe që duket se janë zgjidhja magjike e problemit, normalisht janë të vështira për t’u plotësuar nga vende me demokraci shumë të zhvilluar, e jo më nga vende me probleme të trashëguara siç është Kosova, por ky gur në qafë të politikës kosovare, po nuk u mbajt nga të gjithë faktori politik, ka gjasa të rëndohet edhe më shumë. Ndërgjegjësimi për këtë bën shumë të domosdoshme konvergimin në një platformë e qëndrim të të gjithë lidershipit politik të Kosovës. Këto e probleme të tjera të njohura, janë arsye të mjaftueshme që të frenohen lëvizjet e fuqishme politike brenda formatit kosovar. Nuk mund të bëhet shaka me aspiratat e një populli të tërë, ndaj rritja e përgjegjësisë së gjithsecilit faktor relevant politik, mundëson normalitetin e pritshëm të procesit. Është shansi për të fituar e jo për të humbur.