--------------------------------------------------------------------------------
Nga Altin Kreka
Ishim mësuar të dëgjonim për dyshen Nano-Berisha që mbante peng gjithë politikën shqiptare. Kjo dyshe aq e përfolur shihej si një pjesë e tërë e luftës politike që ka dominuar gjithë vendin për 15 vjet me rradhë dhe tashmë që një prej tyre ka dalë nga skena dikur sikur tjetrit i mungon diçka jetike. Berisha për vite të tëra motivoi partinë e tij dhe elektoratin e djathtë me luftën kundër të këqijave të Nanos. Parulla "Nano Ik" duket se ka lënë një vakum shumë të madh në të djathtën shqiptare me plotësimin e saj. Berishës do t'i mungojë përballja me Nanon tashmë. Nuk e ka më garancinë e tij si kryeministër i vendit. Do t'i mungojë sepse tani duhet të përballet me një tjetër imazh të Partisë Socialiste. Për Berishën si kryeministër do të ishte shumë më e lehtë që të qeveriste nëse do të kishte përballë Nanon. Gabimet e tij ai mund t'i fshehte shumë lehtë pas mëkateve të ish-kryeministrit socialist të vendit. Tashmë atij i duhet të matet me një tjetër lider të opozitës, një njeri që te njerëzit ka krijuar opinionin e punëtorit, largpamësit dhe njeriut që s'bën kompromis. Akuzat që Berisha ka ngritur ndaj Ramës janë të pakta për të qenë i sigurt në krye të mazhorancës. Veç kësaj pakkush mund të bindet nga ato që thuhet kur aktualisht ka para syve atë që Edi Rama ka bërë deri më tani në krye të Bashkisë së Tiranës. Vetë Berisha e di shumë mirë se edhe nga elektorati i djathtë ka shumë votues që e shikojnë Ramën me admirim. Për ta e keqja e vetme e Ramës është tesera e tij e kuqe, por kjo kapërdihet kur mendohet ndryshimi që Rama sjell kudo me imazhin që ka krijuar. Për të gjitha këto, Berishës ka për t'i munguar shumë "gjysma" tjetër e historisë së tij politike, Fatos Nano. Berisha dhe Nano gjithë kohës kanë ngritur "pushkën" njëri-tjetrit por edhe janë "puthur" duke i habitur të gjithë. Berisha i fitoi zgjedhjet e përgjithshme me sloganet anti-Nano në gojë, me sloganet anti-korrupsion, anti-krim, anti-varfëri dhe për të gjitha këto të këqija ai bënte përgjegjës Fatos Nanon. Vetë ish-kryetari i PS si "gjysma e majtë e mollës politike" që jemi mësuar të shikojmë për 15 vjet ka nisur shumë fushta dhe ka marrë shumë fitore me anti-Berishizmin në dorë. Nano arriti deri aty sa të falenderonte Berishën si "dhuratë nga zoti". Ikja e Nanos lajmëron largimin e një epoke të tranzicionit të politikës shqiptare dhe pjesë e këtij tranzicioni është edhe kryeministri Sali Berisha. Edhe pse ndodhet në një çast plotfuqishmërie, edhe për të tashmë po bien këmbanat. Shqiptarët, votuesit, ndërkombëtarët do të shohin Berishën jo më si zgjidhja e vetme e situatës së krijuar në Shqipëri. Ky është momenti kur një lider edhe pse në kulmin e pushtetit ndjen se edhe perëndimi i diellit të tij s'është larg.
Gazeta Shqiptare 11/11/05
Krijoni Kontakt