LKSHI u propozon autoriteteve maqedonase që shteti të quhet “Maqedoni-Iliridë”
Lëvizja Kombëtare shqiptare për Iliridën ka dal sot me propozimin që emri i ardhshëm Maqedonisë të jetë “Maqedoni-Iliridë”Sipas kryetarit të kësaj Lëvizje, Nevzat Halili, me një emërtim të këtillë, shteti do të identifikohej si një union i barabartë i maqedonasve dhe shqiptarëve. Propozimi i këtillë vjen pas sugjerimit të disa zyrtarëve të lartë evropian që Maqedonia të ndryshoj emrin e shtetit, me qëllim të zgjidhjes së kontestit disavjeçar me Greqinë.
Kryetari i LKSHI-së, Nevzat Halili ka thënë se ky emër do të kënaqte aspiratat e dy popujve më të mëdhenj në Maqedoni, maqedonasve dhe shqiptarëve për të qenë të barabartë. Sipas Halilit, ky emërtim i ri i shtetit do të ishte i pranueshëm edhe për Greqinë. Paraprakisht, zyrtarë të lartë evropian i kanë propozuar katër emra të rinjë për shtetin, kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski. Maqedonia e Re, e Epërme, Veriore apo Republika e Maqedonisë-Shkupi, janë katër propozimet që i janë dhënë Shkupit zyrtar, për zgjidhjen e kontestit të emrit me Athinën. Me këto sugjerime, Maqedonia është sjellur para dilemës, të ndryshojë emrin apo të heq dorë nga integrimi në NATO, ka thënë kryeministri maqedonas , Nikolla Gruevski, duke përjashtuar tani për tani mundësinë e ndryshimit të emrit të shtetit. Kjo deklaratë e Gruevskit është vlerësuar si provokative, nga ana e zëvendës-sekretarit amerikan të shtetit Nikolas Burns. Sipas mediave greke, Burns ka kritikuar pozicionin e Shkupit për mosndryshimin e emrit të shtetit. Ndërkohë partitë shqiptare në pushtet, PDSH dhe PPD mbështesin qëndrimin e Qeverisë së Maqedonisë për mosndryshimin e emrit kushtetues. Ndërkaq , Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar edhe përfshirjen e shqiptareve në bisedimet për zgjidhjen e çështjes se emrit te shtetit.“Mendojmë se ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit sepse edhe ne jemi qytetarë të këtij vendi, jemi bartës të sovranitetit dhe integritetit të vendit. Për definimin e emrit të vendit duhet të arrihet koncenzus etnik dhe politik, prandaj pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjidhjen e kontestit të emrit të shtetit është e rëndësishme”, ka thënë kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti. Problemi mes Shkupit dhe Athinës është shfaqur në vitin 1991 ,pas shkëputjes së Maqedonisë nga ish federate Jugosllave. Greqia kundërshton emrin Maqedoni, pasi po kështu quhet një krahinë e saj, e cila ndodhet në perëndim të këtij vendi.
Krijoni Kontakt