Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681

    Krimet e Rënda: Zbuluam një megalaborator dhe mijëra dokumente

    PA koment nga ana ime pasi flet vet shkrimi

    dardajan

    Krimet e Rënda: Zbuluam një megalaborator dhe mijëra dokumente


    Superambasada lëshonte viza për 29 vende të botës




    Tirane
    Një rrjet i fuqishëm bashkëpunëtorësh në trafik ndërkombëtar klandestinësh dhe falsifikim dokumentesh kthente në realitet ëndrrën e shqiptarëve për të shkuar në tokën e dëshiruar.

    Nëntë persona, mes të cilave edhe katër oficerë policie, më shumë se një vit më parë kanë filluar të bashkëpunojnë ngushtë duke i dhënë jetë industrisë më të fuqishme të trafikut klandestin të njohur ndonjëherë në Shqipëri. Asnjëherë më parë, falsifikatorët shqiptarë nuk kanë tentuar të falsifikojnë dokumente ndërkombëtare si leje hyrjeje të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Konsullatës Shqiptare në Uashington apo vulat të pikave aq problematike të kalimit kufitar të Meksikës. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pranoi dje se ka bashkëpunuar me shërbime të huaja në zbulimin e organizatës kriminale, ka realizuar shkatërrimin e pjesës kryesore të grupit të personave. Në një operacion që ka zgjatur më shumë se 24 orë, Prokuroria ka realizuar jo vetëm arrestimin e eksponentëve më të pushtetshëm të organizatës, por edhe bllokimin e ambienteve ku kryheshin falsifikimet, madje edhe bazën materiale.

    Organizata
    Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, në konferencën për shtyp që dha pas përfundimit të aksionit, tha se mënyra e organizimit të trafikantëve ka qenë e sofistikuar. Shtetasi Nikolin Cako, i cili sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda është kreu i organizatës, me qëllim për të mbuluar aktivitetin e tij kriminal ka krijuar agjencinë turistike me emrin “Go Uest”. Në këtë ndërmarrje, numri një i trafikut ka rekrutuar një numër të madh personash. Më pas, për të mundësuar kalimin në kufi dhe kryesisht në aeroportin e Rinasit në përbërje të organizatës janë përfshirë edhe oficerë policie, të cilët kane ushtruar funksione në komisariatin e policisë Rinas. Përveç kompjuterëve me programet më të sofistikuara për falsifikim dhe kopjim dokumentesh, trafikantët kishin në përdorim celularë të cilësisë së lartë me shumë funksione.

    Superambasada
    Me bazën materiale të krijuar nën petkun e një agjencie turistike, zyrat ilegale të së cilës ishin vendosur në një ambient me qira pranë kryqëzimit tek Selvia në Tiranë, “Go Uest” kishte krijuar mundësitë e falsifikimeve të pakontrollueshme. Madje pas fitime të para financiare, drejtuesit kanë paguar trajnimin e bashkëpunëtorëve të tyre për sistemin e dokumentacionit të shumë vendeve të botës. Në këtë mënyrë, superambasada kishte arritur të kopjonte formatin e disa dokumenteve që mbanin siglën e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Konsullatës shqiptare në Uashington, Konsullatës greke dhe sistemin e pasaportave për 29 vende të botës. Drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se gjatë hetimeve të çështjes, kanë zbuluar një numër të konsiderueshëm klandestinësh që mbërrinin në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës dhe në SHBA, me anë të grupit të trafikut dhe dokumenteve të hartuara prej tij. Cilësia e dokumenteve që hartoheshin në zyrat e trafikantëve arrinte të gjitha parametrat e elementëve të sigurisë për një pjesë të mirë të dokumenteve ndërkombëtare, si Green Card, soxhorno dhe leje qëndrimi. t.s



    Operacioni, pranga 9 të dyshuarve
    Nikolin Cako, sipas Prokurorisë, është kreu i organizatës kriminale. Ai është pronar i agjencisë “Go Uest”. Bashkëpunëtori i tij i ngushtë, quhet Eduart Bejko, i cili është një tjetër i arrestuar. Në pranga ka rënë edhe Voltan Turtuli, ndërsa aksioni ka dërguar në qeli edhe shtetasen Valbona Cako, e cila është bashkëshortja e Nikolin Cakos. Ylli Xhameta dhe Demir Shaba janë të dyshuar si bashkëpunëtorë në trafik. Gjatë operacionit të Krimeve të Rënda janë arrestuar edhe katër punonjës policie. Eljano Cenko, inspektor i seksionit të pastrimit të parave dhe krimit ekonomik financiar, Rinas, Betim Sadikaj, shef Krimesh në komisariati e Rinasit, Altin Flamuri, kontrollor në aeroportin e Rinasit dhe Përparim Kateshi, shofer i grupit të gatshëm në komisariatin nr.2, janë të dyshuar për bashkëpunim me organizatën.

    Mbështetja nga Durrësi
    Organizata e trafikut të klandestinëve dhe e falsifikimeve, ka pasur mbështetje edhe në policinë e Durrësit. Sipas hetimeve që janë bërë deri dje në mbrëmje, rezulton se një numër i madh klandestinësh që trafikantët nisnin nga Rinasi për në vende të Evropës kapeshin në aeroportet ndërkombëtare dhe ktheheshin mbrapsht. Klandestinët depërtoheshin në Shqipëri, duke u kthyer me tragete nga porti i Durrësit, për arsye se udhëtimi kushtonte më pak. Por në kohën që klandestinët e nisur nga Rinasi ktheheshin në Durrës, efektiva të caktuar të policisë nuk shënonin në regjistrin e portit të dhënat e klandestinëve që ktheheshin. Në këtë mënyrë, fshihej një pjesë e mirë e aktivitetit kriminal si dhe zhdukeshin prova të rëndësishme rreth trafikimit të qenieve njerëzore.



    Sulmi i Krimeve të Rënda

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka angazhuar të gjithë stafin e saj, prej mbrëmjes së enjte deri mëngjesin e djeshëm për finalizimin me sukses të operacionit antitrafik. Për shkak të veprimeve të shumta hetimore që duheshin kryer si dhe për menaxhimin e provave, pothuajse të gjithë prokurorët dhe oficerët e Krimeve të Rënda e kanë kaluar natën në punë, duke mbledhur prova për organizatën e trafikut të vizave dhe klandestinëve.




    sekuestrimet

    1000 pasaporta të 29 shteteve

    Leje qëndrimi
    Green Card Amerikane
    Angleze
    Gjermane
    Soxhorno italiane 200 copë

    Pasaporta
    Amerikane
    Kanadeze
    Australiane
    Greke
    Suedeze
    Austriake
    Britani e Madhe
    Irlanda e Veriut
    Jugos1lave
    Sllovene
    Norvegjeze
    Holandeze
    Belge
    Luksemburgut
    Gjermane
    Izraelite
    Rumune
    Irlandeze
    Bullgare
    Qipriote
    Kolumbiane
    Daneze
    Italiane
    Amerika e Jugut
    Liberiane
    shqiptare

    Viza
    Viza amerikane
    Viza greke

    Dokumente makinash italiane

    50 copë karta identiteti

    450 patenta italiane

    Vula, 70 copë
    Të konsu1latës greke
    Hyrje-dalje në kufi
    Vula italiane
    Konsullata shqiptare në Uashington
    Universitetit të Tiranës
    Të gjitha fakulteteve
    Të Ministrisë së Arsimit
    Të Ministrisë së Pushtetit Vendor
    Të Komisariatit të Policisë Nr.2
    Të Gjendjeve civile
    Të Ministrisë së Rendit Publik
    Hyrje-dalje në kufirin meksikan
    Vula e ambasadës së Xhamajkës në Santa Domingo
    Vula të Haitit
    Vula hyrje-daljeje të Rinasit
    Vula hyrje-dalje të Maqedonase
    Leje hyrjeje të Departamentit amerikan të Drejtësisë

    Armë
    Një pistolete tip Zastava me silenciator

    Ambiente
    Një ambient 45 metra katror pranë Selvisë

    Transferta parash
    8000 euro e 5 milionë lekë

    Karta
    Karta identiteti italiane
    Karta bankare
    Karta telefoni




    Një shumë e madhe financiare është sekuestruar, numri i klandestinëve mister

    “Banda, miliona euro nga trafiku”
    Zyra e falsifikimeve në një garsionere te Selvia

    Trashgim Sokolaj

    Miliona euro dyshohet se kanë shkuar në xhepat e anëtarëve të organizatës së trafikut klandestin.

    Një dukuri, e cila sipas Prokurorisë, shpjegohet me numrin e madh të anëtarëve të organizatës, me linjat e largëta në të cilat lëviznin klandestinët dhe me investimin në infrastrukturën e falsifikimit. Tetë mijë euro dhe 5 milionë lekë të vjetra janë sekuestruar fillimisht nga Prokuroria, në cilësinë e provës materiale në ambientet ku kryheshin falsifikimet. Ndërkaq pesë automjete luksoze, disa kompjutera, printera, skanera dhe pajisje të tjera të sofistikuara prodhime të fundit, kapin një tjetër vlerë financiare të konsiderueshme. Duke llogaritur këtu ambientet e punës, një apartament të mobiluar mirë, një hapësirë tjetër 45 metra katror si dhe siç dyshohet edhe një pallat të tërë, shuma financiare mbërrin në vlera më të mëdha. “Nuk mund të flasim ende rreth fitimit që ka pasur organizata. Jemi në verifikime e sipër, madje ende nuk ka një shifër të saktë rreth numrit të klandestinëve të trafikuar”, tha kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Kosova.

    Sa paguanin klandestinët
    Zëvendësprokurori i Krimeve, Altin Dumani, tha se sipas hetimeve klandestinët paguanin shuma të mëdha financiare me qëllim për të udhëtuar ilegalisht jashtë Shqipërisë. “Rruga për në Itali paguhej deri në 1500 euro, për në Angli 4500, ndërsa nisja drejt SHBA-së kushtonte 16 mijë euro”, tha zëvendësprokurori Dumani. Ndërkaq drejtuesit e Krimeve të Rënda thanë se agjencia “Go Uest” është krijuar katër vite më parë. Gjatë kësaj kohë ajo dyshohet se ka mbuluar veprimtarinë e trafikut të klandestinëve. Krimet e Rënda kanë ushtruar kontrolle banesash edhe në ambientet e agjencisë turistike, ku kanë gjetur prova që përputhen me ato që janë zbuluar në ambientet e tjera ku vepronin trafikantët. Organi i akuzës tha se, operacioni nuk ka përfunduar ende dhe se gjithçka është në fazën e verifikimit.



    Dyshimi për personat me precedentë

    Hetuesit dyshojnë se me anë të falsifikimit të dokumenteve organizata e trafikut klandestin, mund të ketë ndihmuar persona me precedentë të ndryshëm penalë. “Një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar në mënyrë përfundimtare, megjithatë sipas verifikimeve paraprake në dokumentacionin e sekuestruar gjenden emra personash të dyshuar për veprimtari kriminale”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, të dyshuarit mund të kenë përfituar nga mundësitë e laboratorit të falsifikimit për të hartuar dokumente me identitet të rremë me të cilat kanë udhëtuar më pas drejt vendeve të ndryshme të botës.



    Shtetasit e huaj
    Prokuroria ka filluar dje komunikimet e para me organet e Interpolit dhe policitë evropiane, pasi gjatë hetimeve për organizatën e trafikut janë zbuluar edhe shumë bashkëpunëtorë me shtetësi të huaj. Organi i akuzës nuk ka dhënë shumë detaje rreth këtij fakti, por tha se ka prova bindëse për implikimin e disa shtetasve të huaj në trafikun e paligjshëm të klandestinëve që niseshin nga Rinasi për në 29 vende të ndryshme të botës. Prokuroria ka pranuar dje, se operacioni i filluar të enjten në Tiranë ka shumë mundësi të kthehet në një aksion të përbashkët ndërkombëtar kundër rrjetit të trafikut.
    Aksioni në rrethe
    Zyrtarët e akuzës deklaruan dje se hetimi ka zbuluar një numër të madh personash bashkëpunëtorë me të arrestuarit, në disa qytete të vendit. “Të arrestuarit kanë bashkëpunëtorë në disa rrethe të vendit. Ata janë kryesisht sekserë, të cilët në më të shumtën e rasteve kryenin detyrën e gjetjes së klientelës për grupin e trafikut që vepronte në Tiranë. Trafikantët dyshohet se kishin pajtuar pritës të klandestinëve në disa vende të Evropës dhe më gjerë, të cilët kujdeseshin për mbarëvajtjen e veprimtarisë kriminale.
    Porositja e dokumenteve
    Sipas hetimeve të Prokurorisë shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit zgjidhnin problemet e tyre në zyrat ilegale të organizatës së trafikut që vepronte në Tiranë. Hetuesit thanë se kanë zbuluar mijëra transferta parash, në të cilat emigrantët kanë paguar dokumentet, që pasi i porosisnin u dërgoheshin me anë të bashkëpunëtorëve në vendet ku ata jetojnë. Ku fakt dhe rrethana të tjera ende të pazbuluara dyshohet se ishin kthyer në një shqetësim për policitë e disa vendeve të Evropës.


    © 2003 Gazeta Panorama

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Kompjuterat e “superambasadës” prodhonin dokumente me elementët e sigurisë si të origjinalit


    Grupi i Rinasit me programe sekrete

    Riprodhonin leje të Departamentit Amerikan të Drejtësisë


    Trashgim Sokolaj

    Organizata e 9 personave që u arrestuan më 6 tetor me akuzën e trafikimit të paligjshëm të klandestinëve, ka vjedhur programet sekrete të prodhimit të dokumenteve që zotërojnë institucionet shqiptare dhe të huaja.

    Programe të tilla zotërohen vetëm nga institucionet shtetërore. Si të tilla, ato përbëjnë sekret. Dy ditët e fundit, ekspertët e specializuar verifikuan kompiuterat e sekuestruar në laboratorin e shtetasit, Nikolin Cako. Ata kishin programe të njëjta me ato që përdoren nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare për lëshimin e dokumenteve. Gjashtë persona në bashkëpunim kishin ngritur një laborator të fuqishëm falsifikimi tek Selvia në Tiranë. Me anë të laboratorit të arrestuarit prodhonin leje të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Konsullatës Shqiptare në Uashington e deri tek vërtetimet e Universitetit të Tiranës, apo vulat e pikave të kalimit kufitar. Specialistët kanë vërtetuar se programet e falsifikatorëve janë të njëjta me ato që përdoren nga institucionet e mësipërme për lëshimin e dokumenteve. Vjedhja e programeve sekrete ka angazhuar më tepër hetuesit. Ata do të bëjnë një investigim rreth personave që u kanë dhënë falsifikatorëve, programet që zotërohen vetëm nga institucionet shtetërore.

    Organizata e falsifikimeve
    Nikolin Cako, pronar i agjencisë turistike “Go Uest”, Eduart Bejko, bashkëpunëtori më i ngushtë i Nikolin Cakos, Voltan Turtuli, Valbona Cako, bashkëshortja e Nikolin Cakos, Ylli Xhameta dhe Demir Shaba, u arrestuan më 6 tetor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Bashkë me këta persona u prangosën edhe tre oficerë të Rinasit. Ata, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishin mundësuar kalimin në Rinas të klandestinëve që merrnin dokumente false tek agjencia “Go Uest”. Prokuroria sekuestroi me shumë se dhjetë kompiutera dhe disa skanera e printera, me të cilët ishin falsifikuar pasaporta të 29 vendeve të botës, dokumente të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, disa konsullatave dhe disa ministrive. Pas sekuestrimit, ekspertët e hetimit verifikuan programet që ishin instaluar në kompiuterat e sekuestruar. Fillimisht specialistët kanë parë se dokumentet e prodhuara nga laboratori i falsifikimeve kishin të gjitha elementët e duhura të sigurisë. Më pas verifikimet janë thelluar më tej. Specialistët kanë arritur në përfundimin se falsifikatorët zotëronin programe të njëjta me të gjitha institucionet, dokumentet e të cilave janë falsifikuar.

    Vjedhja e programeve
    Pas përfundimeve të mësipërme, hetuesit janë duke menduar për një hetim të zgjeruar në institucione. Programet që përdoren nga këto organe janë të përcaktuara si sekretë dhe kopjimi i tyre është i ndaluar. Për këtë shkak, edhe vjedhja e tyre apo kopjimi është i pamundur pa një bashkëpunëtor. Vetëm për rastin e pasaportave (të arrestuarve u janë sekuestruar 1000 të tilla false) ka rezultuar se pasaportat e prodhuara në zyrat e të arrestuarve janë identike me ato që ka prodhuar Ministria e Rendit Publik deri në vitin 2004. Dhjetëra persona të arrestuar në Shqipëri dhe jashtë saj për pasaporta të falsifikuara janë liruar duke përfituar nga “mrekullitë” që realizojnë falsifikatorët. Përdoruesit e këtyre dokumenteve janë mbajtur në qeli, ndërsa pasaportat dërgohen për ekspertizë në laboratorin kriminalistik. Laboratori, në mënyrë optike bën krahasimin e dokumentit të dyshuar me dokumentin standard që përmban të gjitha elementët e sigurisë (pasaportat kanë 14 të tillë). Në përfundim të verifikimeve shkencore, laboratorët kanë kthyer përgjigjen se dokumentet e dyshuara i përmbajnë të gjitha elementët e sigurisë dhe se nuk ka asnjë ndërhyrje të paligjshme që përbën falsifikim.



    DENIMI PER LABORATORIN

    Sipas nenit 185 të Kodit Penal, prodhimi i mjeteve për falsifikim dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet. Ndërkaq, falsifikimi i dokumenteve dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.




    Hetim ne konsullata

    Prokuroria ka hartuar një kërkesë për konsullatat e vendeve ku përfundonin klandestinët që niseshin nga Tirana. Të gjitha këto përfaqësi diplomatike do të hartojnë listat e personave që kanë lëvizur në rrugë të ligjshme. Nga ballafaqimi i këtyre listave me numrin e personave që kanë kaluar në Rinas, hetuesit do të njësojnë numrin e përafërt të personave që ka trafikuar organizata e falsifikimit të vizave, pasaportave dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare.



    Toleranca zero edhe për qeveritarët e deputetët
    Olldashi: Pas 10 nëntorit, asnjë makinë me perde dhe xhama të zinj

    Duke filluar nga data 10 nëntor 2005, asnjë automjet nuk do të qarkullojë me xhama të errëta ose me perde. Nuk do të ketë përjashtime as për qeveritarët dhe as për deputetët, të cilët deri më sot nuk e kanë zbatuar asnjëherë një urdhër të tillë lëshuar gati nga të gjithë paraardhësit e Sokol Olldashit. Policia e Shtetit do të ndërhyjë duke zbatuar sanksione administrative, si dhe do të operojë për heqjen e perdeve dhe veshjeve të errësuara nga xhamat e pasme dhe anësore të të gjitha llojeve të automjeteve në qarkullim. Kjo pikë e rregullores së Kodit Rrugor do të vihet në funksionim me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale. Për këtë qëllim, ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, u ka dërguar një kërkesë zyrtare të gjitha ministrive dhe institucioneve kryesore të vendit për të zbatuar kërkesat e nenit 72 të Kodit Rrugor, të Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 324 të vendimit të Këshillit të Ministrave “Rregullore e zbatimit të Kodit Rrugor, të Republikës së Shqipërisë”, në të cilat është përcaktuar, “ndalimi i vendosjes së perdeve në xhama ose i përdorimit të xhamave të errët në mjetet me motor”. Kështu, institucionet kryesore dhe ministritë janë njoftuar zyrtarisht se Policia e Shtetit do të ndërhyjë për të gjitha automjetet pa përjashtim pas datës 10 nëntor, duke zbatuar me rigorozitet kërkesat e akteve normative. Drejtori i Përgjithshëm i Shtetit, nisur nga kërkesa zyrtare e ministrit të Brendshëm, si dhe duke u bazuar në ligjin e Kodit Rrugor, ka nxjerrë urdhër-shërbim “Për procedurat e kontrollit të automjeteve që qarkullojnë me perde e me xhama të errësuar dhe heqjen e tyre”. Shërbimet e Policisë Rrugore janë urdhëruar në të gjitha nënseksionet pranë komisariateve të policisë që të ushtrojnë kontrolle dhe të marrin masa për heqjen e perdeve dhe xhamave të errët. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që nuk do respektojnë urdhrin, do të ndëshkohen me masë administrative, nga gjobë deri në bllokim të mjetit. “Ndaj drejtuesve të automjeteve që do të kundërshtojnë kërkesat ligjore të punonjësve të policisë, do të bëhet procedim administrativ bazuar në kërkesat e nenit 190 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” thuhet në njoftimin zyrtar. k.b



    DEshtimi

    Gati të gjithë ministrat socialistë të Rendit, vetëm pak kohë pas emërimit kanë dhënë urdhër për heqjen e perdeve dhe xhamave të zinj nga të gjitha makinat në qarkullim, përfshirë edhe ato të ministrave dhe deputetëve. Por, në të gjitha rastet këta urdhra janë injoruar nga politikanët, përveçse në raste të rralla.

    © 2003 Gazeta Panorama

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Organizata e trafikut të vizave dyshohet se u ka dhënë dokumente elementëve të Al Qaeda


    Fotot e terroristëve në Tiranë

    Prokurorët hetojnë edhe identitetet e rremë të tyre


    Trashgim Sokolaj

    Arrestimi i gjashtë personave që kishin në pronësi megalaboratorin e falsifikimit të dokumenteve, sjell në Tiranë fotografitë dhe listën e personave të dyshuar për veprimtari terroriste ndërkombëtare.

    Lista me personat e dyshuar si dhe me fotografitë e tyre ka mbërritur vetëm pak ditë më parë në kryeqytetin shqiptar, për një arsye krejt të veçantë. Më 6 tetor 2005, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi nëntë persona, gjashtë prej të cilëve janë të dyshuar për prodhimin ilegal të dokumenteve ndërkombëtare. Në ambientet ku kishin vepruar të dyshuarit u gjet dhe u sekuestrua një arsenal i madh dokumentesh ndërkombëtare, si pasaporta të 29 shteteve, leje të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe dokumente të konsullatës shqiptare në Uashington si dhe konsullatës greke. Në sasinë e madhe të dokumenteve u gjetën edhe vulat origjinale të shumë pikave kufitare në botë, mes të cilave edhe ajo e kufirit mes Teksasit dhe Meksikës. Një kufi ky aq problematik sot në SHBA, pasi nëpërmjet tij dyshohet të kenë hyrë në SHBA persona të dyshuar për veprimtari terroriste ndërkombëtare. Nisur nga gjetja e vulës së kufirit mes Meksikës dhe Teksasit, Prokuroria dhe policia shqiptare menjëherë komunikuan me Interpolin.

    TerroristEt
    Një burim nga hetimi tha dje për gazetën “Panorama” se dyshimi kryesor është që gjashtë falsifikatorët, të kenë ndihmuar ndonjë element terrorist për të lëvizur nëpër botë. I dyshuari, sipas burimeve, mund të ketë qenë një klient i zakonshëm i personave të dyshuar për trafik vizash dhe dokumentesh të tjera. Nisur nga këto rrethana, menjëherë ka filluar marrja në pyetje e personave të arrestuar. Edhe nga dëshmitë e tyre, por edhe nga kontrollet në banesa është vërtetuar se ata nuk kanë mbajtur ndonjë listë me emrat e personave për të cilët kanë falsifikuar dokumente.

    Ballafaqimet
    Pas të gjithë këtyre fakteve, në mënyrë urgjente kanë mbërritur në Tiranë fotografitë dhe lista e personave të dyshuar për veprimtari terroriste ndërkombëtare. Fotografitë si dhe lista e personave të dyshuar po përdoren për t’u ballafaquar me të arrestuarit e megalaboratorit. “Ata po ballafaqohen me secilën foto dhe secilin emër, nëse i kanë njohur ndonjëherë ose nëse kanë lëshuar dokumente për ta, me emrin e vërtetë apo me identitet të rremë”, tha një burim hetimor. Sipas tij, të arrestuarit ende nuk kanë thënë “po” për ndonjërën nga fotografitë apo emrat e të dyshuarve si terroristë, por lëvizja e këtyre personave me dokumente të siguruara në laboratorin ilegal, mbetet dyshimi kryesor zyrtar i hetimit të çështjes.



    29 lloje
    pasaportash të shteteve të ndryshme të botës prodhoheshin me një cilësi të lartë nga megalaboratori që zbuloi Prokuroria e Krimeve të Rënda javën e kaluar në Tiranë
    6 persona
    realizonin falsifikimet e dokumenteve. Zyrat ishin pronë e Nikolin Cakos, ndërsa ai bashkëpunonte me Eduart Bejkon, Voltan Turtulin, Valbona Cakon, Ylli Xhametën dhe Demir Shabën


    Ambasadorja e SHBA, Marsi Ris, kritikon gjykatat
    “Presim veprime më agresive kundër trafikut të njerëzve”

    Ambasadorja amerikane në Tiranë, Marsi Ris, lëshoi dje kritika ndaj gjykatave, pasi ato nuk janë duke ndihmuar në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Përfaqësuesja e SHBA-së në Tiranë i bëri këto komente në Konferencën Vjetore për Veprimin e Bashkërenditur kundër Trafikimit Njerëzor. Gjatë fjalës së saj, Ris tha se Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2005, i Departamentit të Shtetit e radhit Shqipërinë si një vend i Grupit 2 për të katërtin vit. “Një vend i Grupit 2 është ai që plotëson standardet minimale dhe po bën përpjekje domethënëse për të arritur nivelin e zbatimit të ligjit mbi Mbrojtjen e Trafikimit të Personave të vitit 2000”, tha diplomatja amerikane. Ajo tha se duhen vënë në zbatim mjete ekzistuese ligjore antitrafikim, për të përmirësuar mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave, si dhe për të trajtuar korrupsionin e lidhur me trafikun. Në këtë kuadër, ambasadorja amerikane tha se po punohet bashkë me palën shqiptare në fushën e zbatimit të ligjit nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Asistencës së Trajnimit Hetimor Kriminal (ICITAP). “Ky program ndihmon Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit duke ofruar trajnime. ICITAP gjithashtu po ngre një rrjet kombëtar të kompjuterizuar informacioni për zbatimin e ligjit (Sistemi i Menaxhimit Total të Informacionit – TIMS), i cili përputhet me nismat rajonale”, theksoi Ris. Ajo tha se ky sistem nënkupton kufij më të sigurt dhe sigurisht, ka ndikim mbi aftësinë tonë për t’iu kundërvënë trafikimit. t.s

    Sistemi TIMS

    Ris tha se, SHBA dhe BE po punojnë për ta sjellë sistemin TIMS në nivelin e një rrjeti të plotë informacioni që të mbulojë të gjitha pikat e kalimit të kufirit, të gjitha Drejtoritë e Policive, Ministrinë e Brendshme, portet, si dhe të gjitha zyrat e Policisë së Shtetit.



    Prokuroria dërgon në Gjykatën e Vlorës dosjen për kryepolicin
    Shefi i Logjistikës, abuzim me 20 milionë

    Shefi i Logjistikës në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, akuzohet nga Prokuroria e këtij qyteti se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 20 milionë lekësh. Prokuroria e Vlorës pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Rendit Publik ka zhvilluar hetime ndaj shtetasit Eduart Dema, me detyrë shef i Logjistikës në Drejtorinë e Policisë Vlorë. Gjatë hetimeve të organit të akuzës, Prokuroria tha se është provuar se Eduart Dema, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka pajisur me armë shtetas të ndryshëm, por në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi nuk ka arkëtuar nga këta shtetas taksën përkatëse të pajisjes me armë zjarri. Sipas vlerësimit të ekspertëve kontabël ka rezultuar se veprimet e shefit të Logjistikës në policinë e Vlorës, i kanë shkaktuar shtetit për rreth tre vjet një dëm prej rreth 20 milionë lekë të vjetra. Në përfundim të hetimeve, Eduart Dema është akuzuar nga Prokuroria e Vlorës për veprat penale të shpërdorimit të detyrës së ushtarakut, parashikuar nga neni 70 i Kodit Penal Ushtarak si dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare, neni 186 i Kodit Penal. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, materialet e procedimit janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Vlorë. Ky institucion, sipas akuzës, ka filluar gjykimin e çështjes. t.s

    © 2003 Gazeta Panorama

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Megalaboratori kishte projektuar falsifikimin e monedhës evropiane dhe amerikane


    “Go West”, gati për eurot false

    Zbulohen mostrat, programet dhe letra e prerjeve 500


    Trashgim Sokolaj
    Laboratori i organizatës që fshihej pas agjencisë “Go West” ishte në prag të hedhjes në treg të një sasie të madhe eurosh dhe dollarësh në prerje të mëdha, të cilat mbyllnin ciklin e falsifikimit në kohën kur ajo është zbuluar.

    Siguria e monedhës evropiane ka rrezikuat të cenohet nga grupi prej gjashtë personash të dyshuar për falsifikim dokumentesh ndërkombëtare. Ata u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 6 tetor në Tiranë. Pas arrestimit të gjashtë personave, hetuesit zbuluan një megalaborator me pajisje të sofistikuara që kishte arritur të kopjonte elementët e sigurisë për një numër të madh dokumentesh ndërkombëtare. Ndërkohë, organet e hetimit kanë në duar prova të forta se të arrestuarit ishin shumë pranë prodhimit të kartëmonedhave të euros. “Sipas provave të gjetura në laboratorin e fuqishëm që u sekuestrua tek Selvia në kryeqytet nuk bëhet fjalë për kartëmonedha të vogla, por për prerje 500 euro”, tha një burim i hetimit. Sipas tij, specialistët janë duke verifikuar disa mostra të gjetura brenda laboratorit si dhe programet e kompjuterëve të sekuestruar. “Ka fakte bindëse për një tentativë të sofistikuar dhe serioze për prodhimin e prerjes së kartëmonedhës 500 euro, por edhe të dollarit”, pohuan më tej burimet hetimore.

    Zbulimi
    Vetëm pak ditë më parë, gjatë verifikimit të provave dhe materialeve që janë sekuestruar në laboratorin dhe banesat e të arrestuarve, ekspertët kanë zbuluar disa mostra të kartëmonedhës false euro, elementët e të cilave ishin shumë afër prerjeve origjinale. Ky konstatim i ka nxitur më tej organet e hetimit, të cilat më pas kanë filluar të verifikojnë programet e përdorura nga kompjuterët me të cilët realizohej kopjimi i dokumenteve, ku kanë zbuluar edhe ato për kopjimin e kartëmonedhave. Aty janë gjetur disa skedarë të regjistruar gjatë përpjekjes për të realizuar në kompjuter ndërtimin e kartëmonedhës së euros. Përveç këtyre materialeve të hedhura në kompjuter, janë zbuluar edhe programe të avancuara që mundësojnë kopjimin e elementëve të sigurisë së monedhave të ndryshme. Burimet hetimore thonë se kanë prova edhe për tentativa të prodhimit të dollarit amerikan nga të dyshuarit.

    Hetimi
    Tentativa për të falsifikuar monedhën evropiane është ndeshur edhe më parë nga policia dhe organet e hetimit. Disa persona janë arrestuar në raste të izoluara duke mbajtur kartëmonedha false. Rastet kur janë zbuluar studio ilegale që kryenin falsifikimin e euros kanë qenë të panjohura më parë për organet e policisë. Megalaboratori, që sipas Prokurorisë ishte në pronësi të shtetasit Nikolin Cako, kryente falsifikimin e pasaportave të 29 vendeve të botës. Ndërkaq janë sekuestruar një numër dokumentesh dhe vulat të tjera ndërkombëtare. Të dyshuarit kishin investuar për trajnimin e bashkëpunëtorëve në veprimtarinë që kryenin, madje zotëronin programet e fundit mjaft të fuqishme në kopjimin e dokumenteve të cilësisë së lartë.



    Sekuestruar

    Letër për prodhimin e euros
    Disa mostra prove
    Kompjuter me programe
    Skema të hedhura në kompjuter



    Terrorizmi
    Burimet hetimore dyshojnë se gjashtë personat e arrestuar kanë “ndihmuar” elementë terroristë për të hyrë në SHBA. Kjo pasi laboratori kryente falsifikimin e dokumenteve dhe vulave amerikane, veçanërisht vulat e pikave të kalimit kufitar mes Teksasit dhe Meksikës.
    Organizata
    Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të gjithë personat e arrestuar më 6 tetor kanë bashkëpunuar mes tyre. Ata akuzohen veç të tjerash edhe për grup të strukturuar kriminal me qëllim dhënien ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikimin e dokumenteve.


    Gazeta Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22
    Krimet e Rënda kaluan dosjen në Prokurorinë e Tiranës, bie grupi i strukturuar kriminal

    Ndryshon akuza për 5 të “Go West”

    Gjykata: Ndjekje në “arrest shtëpie” anëtarëve të organizatës


    Keti Banushi
    Pesë persona të dyshuar i shpëtojnë akuzës së grupit të strukturuar kriminal dhe merren të pandehur për akuza më të lehta.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr nga lista e anëtarëve të organizatës kriminale “Go West” pesë persona, të cilët kanë kaluar për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Tiranës, me akuzat e falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit. Pas lirimit të pesë personave të arrestuar në tetor 2005, të cilët ishin akuzuar si anëtarë të organizatës që falsifikimeve dhe trafikut klandestin, tashmë dosja është ndarë në dy pjesë. Pas kalimit të fashikullit për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Tiranës, pesë të akuzuarit janë paraqitur dje në gjykatë, për caktimin e masës së sigurisë bazuar në akuzat e reja. Betim Sadikaj, Klejdi Beshi, Demir Shaba, Ylber Xhameta dhe një tjetër i pandehur, u lanë dje në masën e “arrestit në shtëpi”, pasi një gjë e tillë u kërkua nga vetë Prokuroria e Tiranës. Gjykata ka pranuar kërkesën e bërë nga akuza, duke vendosur ndjekjen në arrest shtëpie të pesë personave.

    Procesi
    Sipas burimeve nga Prokuroria, personat të cilët kanë përfituar së fundi lehtësimin e akuzave kanë qenë më parë të dyshuar për pjesëmarrje në një grupim kriminal, që kishte falsifikuar pasaportat e 29 vendeve të ndryshme të botës. Vonesa në komunikimin e akuzave u bë shkak për ankimimin e avokatëve, të cilët pas disa procedurave arritën t’i argumentojnë gjykatës, se për klientët e tyre kishin kaluar afatet e paraburgimit. Gjykata e Lartë mori çështjen në shqyrtim dhe vendosi ndjekjen në “arrest shtëpie” për të dyshuarit. Ata janë arrestuar në 6 tetor 2005, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda prangosi nëntë persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh, me qëllim trafikimin e klandestinëve me destinacion jashtë Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, më 6 tetor është arrestuar Nikolin Cako (i cilësuar si kreu i organizatës kriminale), pronar i agjencisë turistike “Go West”. Në të njëjtin aksion kanë rënë në pranga edhe Eduart Bejko, bashkëpunëtori i Nikolin Cakos, Voltan Turtuli, Valbona Cako, Ylli Xhameta, Demir Shaba, Eljano Cenko, Betim Sadikaj, Altin Flamuri, Përparim Kateshi. Katër personat e fundit ishin punonjës të policisë së Rinasit dhe të komisariatit nr.2 në Tiranë.


    Panorama

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-10-2004
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    1,599
    Korrupsioni ne Shqiperi do ndikoji per shume kohe ne Shqiperi sidomos kur ka te beji me visa edhe me pashaporta.Shpresoj qe keta njerez te denohen ne menyre maksimum sepse po hane leket e njerezve te shkrete ne Shqiperi per nje vize.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22
    Ankesa në Gjykatën e Lartë, organizata e falsifikimit dhe klandestinëve rrezikon të shpërbëhet


    “Go West”, peng mes 4 institucioneve

    Krimet e Rënda: S‘kemi kompetencë, nuk mund të marrim vendim



    Dosja hetimore “Go West”, me akuzat e falsifikimeve dhe trafikut të klandestinëve, është kata-ndisur peng mes katër institucioneve.

    Seanca gjyqësore e zhvilluar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, zbuloi fatin e pritshëm të një prej organizatave më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të klandestinëve, ngaqë kalonte nga aeroporti i Rinasit. Gjykata e Krimeve të Rënda zgjodhi heshtjen, duke mos pranuar të marrë asnjë vendim për kërkesën e bërë nga Voltan Turtuli, i akuzuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Gjyqi i djeshëm kishte si objekt shqyrtimin e kërkesës së Turtulit për revokimin e masës së sigurisë. Por Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën e saj për këtë vendim. Sipas arsyetimit të togave të zeza, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk është kompetente për këtë dosje, për shkak të një tjetër procesi të filluar tashmë në Gjykatën e Lartë, për të njëjtët persona të akuzuar. Bëhet fjalë për të cilësuarit si bashkëpunëtorë të Nikolin Cakos, pronari i agjencisë turistike “Go West”.

    Misteri
    Janë shfaqur një mal me prova të sekuestruara gjatë operacionit në tetor 2005, u sekuestruan qindra dokumente, janë shqetësuar dhjetëra ambasada, porse dosja tashmë ndodhet në udhëkryq. Fati i saj ndodhet në duart e Gjykatës së Lartë, e cila javët e fundit firmosi lirimin e 4 prej 14 personave të arrestuar. Ata u dyshuan si një prej grupeve kriminale më të fuqishme të falsifikimit të pasaportave, vizave dhe trafikut klandestin. Zbulimi dhe goditja e tyre erdhi në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Tre efektiva të policisë së Rinasit janë lënë të lirë, edhe pse u arrestuan për bashkëpunim me organizatën e trafikut dhe falsifikimeve. Edhe dy persona të tjerë janë liruar, ndërsa dosja është shpërbërë me ndarjen e saj në dy pjesë dhe lehtësimin e akuzave për pesë të pandehur. Mbrojtja e të pandehurve pretendon për probleme procedurale, madje tejkalim të afateve të hetimit nga Prokuroria.

    Procesi
    Tri ditë më parë, Gjykata e Faktit vendosi masën e re të sigurisë për të akuzuarit, tashmë të dyshuar vetëm për falsifikim dokumentesh dhe favorizimin të trafikut klandestin. Akuza e pjesëmarrjes në organizatë kriminale ka rënë. Në këto kushte, në Gjykatën e Lartë është depozituar një ankesë e avokatëve. Aty kërkohet që Gjykata e Lartë të verifikojë shkeljet procedurale dhe të caktojë institucionin përgjegjës për hetimin dhe gjykimin e çështjes. Bëhet fjalë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila heton vetëm grupet ose organizatat kriminale, ku akuzohen më shumë se dy persona, të cilët kanë bashkëpunim në aktivitetin e tyre. Nëse dosja i mbetet kësaj Prokurorie, atëherë gjykimi bëhet te Krimet e Rënda dhe dënimet janë më të ashpra. Por nëse Gjykata e Lartë vendos se dosja duhet të ndiqet në Prokurorinë e Tiranës, akuza e organizatës kriminale bie, dënimet në fund të gjykimit do të jenë më të lehta dhe të arrestuarit nuk cilësohen grup i strukturuar kriminal. Kjo akuzë parashikohet prej nenit 333/a të Kodit Penal shqiptar dhe përcakton penalizimin ligjor për personat që kryejnë veprimtari kriminale në grup. Sipas hetimeve të zhvilluara deri tani, organizata “Go West” ka përfituar deri në 16 mijë euro për çdo person të trafikuar në SHBA me linjë ajrore nga Rinasi. Prokurorët kanë vlerësuar se pajisjet e falsifikimeve ishin të sofistikuara dhe prodhime të viteve të fundit. t.s.


    14 vete të arrestuar në Tiranë dhe në Korçë, janë cilësuar nga Prokuroria si anëtarë të organizatës kriminale “Go West”. Gjashtë prej tyre, tashmë i kanë shpëtuar akuzës së bashkëpunimit

    29 shtete të ndryshme të botës janë prekur prej veprimtarisë së personave të arrestuar në Shqipëri. Ata prodhonin pasaporta të gjithë këtyre vendeve, si dhe dokumente false të Departamentit të Shtetit


    Panorama

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e bknrg
    Anëtarësuar
    16-07-2006
    Postime
    7

    Exclamation hajde te lalahajde

    po mire ok e zbuluan po hallaxhitqe duan teikin nga shqiperia si dojabejne tani??? pastaj mendoni se me ket rast fituam mbi mafjen qe egziston ne shqiperi?????

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    hajde goditje qe po i behet krimit hajde
    po vepron shume shteti e ka marre shume seriozisht kete pune

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22
    Gjyqi, jepen prova te tjera per falsifikimet e “Go West”

    E Merkure, 14 Mars 2007

    TIRANE - Procesi gjyqesor kunder te pandehurve te akuzuar per trafik nderkombetar te vizave dhe pasaportave false ka vazhduar dje ne Gjykaten per Krime te Renda, me provat shkresore te akuzes. Ne kete menyre, gjate hetimeve te saj akuza ka mundur te zbuloje te 3 600 personat te cilet kane shfrytezuar kete falsifikatore. Nderkohe qe vetem pak seanca me pare eshte bere e ditur se jane 40 deshmitare, te cilet do te sillen ne gjykate per te treguar menyren sesi kaluan kufirin, te ndihmuar nga te pandehurit, nepermjet pasaportave false. Ndalimi i tyre eshte bere i mundur fale pergjimeve. Te pandehurit bashkepunonin me njeri-tjetrin ne prodhimin e dokumenteve false. Ka qene hetimi i Prokurorise per Krime te Renda, qe prej gjashte tetorit 2006, kur u arrestua Nikolin Cako dhe tete bashkepunetore te tij, qe ka zbuluar deget e organizates se trafikut te emertuar “Go West”. Pas sekuestrimeve te telefonave celulare te Cakos dhe bashkepunetoreve te tij me te ngushte, hetuesit e Krimeve te Renda kane gjetur aty numra te vlefshem per hetimin. Nga hetimet e organit te akuzes eshte konkluduar se, te arrestuarit kane qene bashkepunetore ne prodhimin, falsifikimin e dokumenteve shteterore e vizave me Nikolin Cakon. V. D

    Korrieri

Tema të Ngjashme

  1. Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumente arkivore
    Nga loyalx në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-04-2009, 13:03
  2. Mijera tone ndotje hidrokarbure pushtojne bregdetin e Semanit‏
    Nga bnik në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 30-03-2009, 09:58
  3. Biblioteka e Leçes, 300 dorëshkrime për Shqipërinë
    Nga Davius në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 29-08-2008, 19:34
  4. KE: "Të dënohen krimet e rregjimit komunist"
    Nga Thatcher në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 05-02-2006, 11:24
  5. Del Ponte: Serbia e gatshme të gjykojë krimet e luftës
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-07-2004, 21:25

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •