Shqipëria nis me optimizëm rrugën e vështirë drejt Bashkimit Evropian



7 Tetor “The Woll Street Journal”, ka publikuar dje një shkrim për kryeministrin e ri Sali Berisha, në të cilën përshkruhehet dhe situata në Shqipëri.

Kryeministri i ri i Shqipërisë parashtron objektiva që tingëllojnë si lista e plotë e dëshirave të Bankës Botërore, Bashkimit Evropian dhe komunitetit investitor ndërkombëtar. “Unë do të sjell sundimin e ligjit në Shqipëri, do të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe do të garantojë të drejtën e pronës”, thotë Sali Berisha, duke i numëruar ato me gishtërinj, teksa mban takime gjatë mesit të shtatorit me agjenci ndihmash dhe zyrtarë perëndimorë. Gjithë këto çështje janë theksuar si problemet shkaktare të bllokimit të investimeve të huaja dhe të anëtarësimit të mundshëm në BE të vendit që ishte më i varfëri në Evropë kur komunizmi ra në 1990. Më 9 nëntor, krahu ekzekutiv i BE-së do të japë një indikacion paraprak mbi pengesat që Shqipëria duhet të kapërcejë në mënyrë që të realizojë objektivin primar të zotit Berisha për anëtarësim në vitin 2014. “Ne do të ecim shpejt, dhe unë synoj që të arrijmë atje në vitin 2011”. Ky është një ligjërim i guximshëm për një njeri që ishte president i Shqipërisë në 1997, kur pas kolapsit të skemave investuese piramidale që përpinë 1.2 miliardë dollarë vendi ra në një anarki të dhunshme që la 2000 të vdekur.

Gjatë asaj kohe, Berisha nuk i vuri veshin paralajmërimeve të komunitetit ndërkombëtar që thonin se skemat investuese ishin të destinuara që të dështonin. Bile analistët thonë se stili i tij mikromenaxhues e përkeqësoi situatën. Mirëpo tani, edhe disa ish-kritikë të Berishës thonë se ai ka mësuar prej gabimeve të tija, duke afruar një skuadër me ministra të rinj të papërlyer nga regjimet e kaluara dhe që janë të impenjuar për të zgjidhur problemet më të vështira të Shqipërisë. Gjithashtu, pasi ka kaluar tetë vite në opozitë, shansi i tij i dytë vjen në një periudhë kur vendi është duke shijuar një periudhë të rrallë stabiliteti ekonomik dhe politik.

Shqipëria, ky vend i vogël malor, që ka përmasat e Merilandit, është i vendosur si sanduiç midis Greqisë dhe vendeve të ish-Jugosllavisë, ka 3.5 milionë banorë, të cilët kanë më pak se 200 dollarë rrogë mesatare. Por pritet që ekonomia e Shqipërisë në këtë vit të rritet me rreth 6%, për të tretin vit me radhë, ndërsa inflacioni parashikohet të bjerë nga 2.9% që ishte në 2004, në 2.4%. Zoti Berisha ishte në Uashington më pak se një jave pasi parlamenti shqiptar aprovoi qeverinë e tij dhe pas një beteje dymujorshe për rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut. Analistët thonë se fakti që kundërshtari i tij, ish- kryeministri Fatos Nano pranoi humbjen, ishte një shenjë progresi në një vend ku zgjedhjet zakonisht janë kundërshtuar në mënyrë të hidhur. “Berisha është politikani më pak i korruptuar dhe i korruptueshëm në Shqipëri, dhe zgjedhja e tij i bën shumë njerëz optimist për të ardhmen e vendit”, thotë Robert Austin, analist për Evropën Juglindore i Universitetit të Torontos.

Gjashtëdhjetë vjeçari Berisha rrezatoi besim te lobi i Valdorf Astoria, kur ai premtoi se do të përfundonte privatizimin e sektorit bankar dhe do të përqendrohej në shitjen e shërbimeve dhe industrisë. Ai synon gjithashtu që të zvogëlojë përmasat e qeverisë, riparojë sistemin e taksave dhe doganave dhe të dyfishojë shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë.

Shqetësimi kryesor i vëzhguesve të huaj nuk ka të bëjë më shumë me objektivat në vetvete, sesa me faktin që ai mbase i ka premtuar gjëra tepër shpejtë një elektorati të paduruar, dhe nëse ai do të mund të vendos siç duhet prioritetet. Për shembull, Nadir Mohamed, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, thotë se z.Berisha duhet të realizoj planet e tij për të zvogëlimin e taksave nga 40% në 20% dhe të përmirësojë mbledhjen e taksave, përpara se të ndërmarrë rritjen e shpenzimeve. Megjithatë z.Mohammed beson se Shqipëria do të jetë gati në 2006 për të tërhequr kredi për infrastrukturën nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, duke u kualifikuar nga të qënit vetëm një marrës e thjesht ndihme.

Banka Botërore ka dhënë 800 milionë dollarë në formë kredie pa interesa për vendin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ndërkohë që ai thotë se akoma më shumë do të vijnë «nëse bëhet përparim në reforma”. Por ndërsa më shumë para dhe më shumë vende pune do të jenë të mirëseardhura në një vend ku niveli i papunësimit kalon 14%, votuesit shqiptarë do ta gjykojnë z.Berisha kryesisht për fushatën e tij për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Juliana Shllaku, një këshilltare e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, një organizatë joqeveritare, që ka në shënjestër korrupsionin, thotë se është e inkurajuar nga fakti që z.Berisha ka paraqitur tashmë një projektligj për të kufizuar imunitetin diplomatik të anëtarëve të parlamentit. Në fillim të vitit të ardhshëm, z.Berisha planifikon të nisë një fushatë ndërgjegjësuese mbarëkombëtare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai është i ndërgjegjshëm se duhet të mbështesë fjalët e tij me vepra, veçanërisht pas dështimit për të vepruar përpara kolapsit të skemave piramidale të investimit dhe traizirave vijuese që e lanë shumicën e infrastrukturës së Shqipërisë në rrënoja dhe sollën dorëheqjen e z.Berisha si President.

“Nuk mund ta ndryshoj atë që ndodhi, thotë z.Berisha, duke shtuar se duhet të kishte vendosur rregulla më të forta për tregun. Pranova përgjegjësinë për gabimet e mia duke dhënë dorëheqjen dhe nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë përsëri”.

Marrë nga “The Woll Street Journal”