Rezina Sulejmani, 20 vjeçe, ka treguar në polici se tre klientë e fyen dhe e shanë rëndë: M’u errën sytë, mbrojta dinjitetin tim
Kamarierja plagos me thikë dy klientë të lokalit
Jorgjeta Gjançi
Korçë - Një vajzë 20-vjeçare, e punësuar kamariere në një nga lokalet më luksoze të Korçës, qëlloi dhe plagosi me thikë dy nga klientët e lokalit. Sipas dëshmitarëve në vengjarje, ajo u fye rëndë dhe u prek në nder nga tre klientë të dehur. Rezina Sulejmani ka humbur gjakftohtësinë dhe i ka qëlluar me një thikë që e kishte me vete. Ndërsa të plagosurit u çuan menjëherë në urgjencën e spitalit të Korçës, kamarierja iu dorëzua policisë.
***
Ngjarja ndodhi rreth orës 17.00 të ditës së mërkurë, para hyrjes së lokalit luksoz “Vasport”, që ndodhet tek Sheshi i Luftëtarit Kombëtar në qendër të Korçës. Kamarierja e këtij lokali, Rezina Sulejmani, 20 vjeçe, banore e qytetit të Korçës, ishte duke iu shërbyer klientëve. Në një nga tavolinat e lokalit erdhën të dehur dhe u ulën tre persona: Frederik Koroni, 16 vjeç, Gentian Qylafi, 30 vjeç dhe një i tretë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia. Kamarierja iu afrua tavolinës së tyre për të marrë porosinë. Të dehurit, duke folur njëherësh të gjithë dhe duke i hedhur fjalë e shakara pa kripë 20-vjeçares, porositën sipas dëshirës. Vajza është larguar për t’u rikthyer sërish me pijet e tyre. Në këtë çast, siç ka deklaruar ajo në komisariat, por edhe dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes, të cilët u pyetën nga ekspertë të policisë kriminale, është ngacmuar nga klientët e dehur. “Kur ata vunë re se nuk po iu përgjigjesha ngacmimeve dhe fjalëve të tyre e po nxitoja të largohesha sa më parë, pa kontrolluar lëvizjet e duarve dhe të këmbëve, filluan të më prekin dhe të më fyejnë. Nuk munguan as sharjet e turpshme mashkullore”,-ka thënë Rezina Sulejmani. E turpëruar, ajo u largua me vrap në pjesën e prapme të lokalit, duke qarë. Që aty, nëpërmjet telefonit celular, i ka kërkuar ndihmë një të afërmit të saj.
***
Disa minuta më vonë, njerëzit e afërm të Rezinës u shfaqën në lokal dhe pas bisedës me vajzën, iu afruan tre të dehurve tek tavolina dhe iu kërkuan të dilnin jashtë për të biseduar. Bashkë me ta ka dalë edhe kamarierja 20- vjeçare. Familjarët e saj, sipas dëshmive të mbledhura nga policia, kanë dashur të sheshojnë sherrin me urtësi , por u ndeshën në qëndrimin tepër fyes dhe arrogant të tre klientëve. Këta të fundit filluan të fyenin e shanin përsëri vajzën, familjen dhe vetë të afërmit e saj. “M’u errën sytë nga zemërimi e për të mbrojtur dinjitetin, nxorra nga xhepi një thikë, që e mbaja për të mbrojtur veten. Të parin qëllova Gentian Qylafin, në shpatull dhe pas tij, Frederik Koronin, në bark”,-rrëfeu ajo.
Në çast, rreth tyre u grumbulluan kalimtarë të rastit dhe klientë të lokaleve përreth. Ata ndihmuan që dy të plagosurit të çoheshin në kohë në spital, ndërsa vajza ka hyrë brenda në lokal dhe ka qëndruar aty derisa mbërriti policia. Pa asnjë mëdyshje, Rezina Sulejmani u është dorëzuar dhe ka përfunduar në dhomat e izolimit, në pritje të vendosjes së masës së sigurisë.
Policia nuk bëri të ditur emrin e personit të tretë protagonist të sherrit në lokalin “Vasport”. Megjithatë ai është i njohur për policinë kriminale, e cila ka filluar kërkimin për ta arrestuar. Policia deklaroi se Rezina kishte pak kohë që ishte punësuar në këtë lokal dhe se ajo ishte vajzë e një familjeje në vështirësi ekonomike. Kjo e kishte detyruar të renë të punësohej si kamariere.
Krijoni Kontakt