Maqedonasit shesin, por nuk duan të blejnë nga Kosova
Diskriminimi i prodhimeve kosovare në tregtinë me Maqedoninë
-
ARBANA XHARRA PRISHTINË, 29 KORRIK - Firma “Pajtimi-company” nga Besiana ka 22 ditë që nuk ka arritur ta nxjerrë mallin nga kufiri me Maqedoninë, mall i cili është i dedikuar për Tetovë dhe Gostivar. Avni Konushevci, pronar i kësaj firme, tha se malli i mbetur në kufi ka vlerë prej 7550 euro, kurse doganierët maqedonas për doganë i kanë kërkuar 7250 euro. “Kjo e tejkalon 30 përqindshin e paraparë si dhe 17 për qind të vlerës së shtuar”, tha Konushevci, pronari i mallit, duke shtuar se lëndën e parë kjo firmë e merr nga Maqedonia. “Tash jam i obliguar ta kthej mallin mbrapa”, tha Konushevci. Zyrtarë të OEK-ut thonë se problemet e shumta me të cilat ballafaqohen eksportuesit kosovarë me rastin e këmbimit të mallrave me Maqedoninë dhe Malin e Zi, janë në rritje e sipër dhe çdo ditë më të komplikuara. “Prodhuesit kosovarë janë në pozita të palakmueshme, posaçërisht ata që merren me eksportin e mallrave në vendet e ndryshme për shkak të shumave të mëdha që duhet të paguajnë në dogana”, tha të enjten Safet Gërxhaliu, drejtues i departamentit të OEKut për marrëdhënie ndërkombëtare në një konferencë për gazetarë.
Krijoni Kontakt