BE: Lehtësimi i vizave hyn në fuqi më 1 janar 2008
Firmosen në Bruksel marrëveshjet me nëntë ministrat e Brendshëm të Ballkanit
Bashkimi Evropian është zotuar dje se që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të lehtësojë regjimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një premtim shtesë pas deklaratave të panumërta të dhëna nga krerët e Brukselit është dhënë dje nga zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franco Frattini, dhe ministri i Punëve të Brendshme të Portugalisë, Ruiz Carlos, të cilët firmosën zbutjen e regjimit të vizave për qytetarët e rajonit më problematik të kontinentit. Në një ceremoni të mbajtur dje në Bruksel, me praninë e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Franko Frattini, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, Rui Carlos Pereira nga Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian dhe me praninë e ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë u nënshkruan marrëveshjet e ripranimit dhe lehtësimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zëvendëspresidenti Frattini tha se "nënshkrimi i marrëveshjes është një vendim i rëndësishëm politik drejt një bashkëpunimi më të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e një rëndësie të madhe si migrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve. Vënia në jetë e këtyre marrëveshjeve në mënyrën e duhur, së bashku me një përparim të dukshëm në fushat kryesore të drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, do t‘i krijojë komisionit mundësinë për të filluar në të ardhme një dialog të strukturuar për një regjim të lirë të mundshëm të vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor". Ndërkaq, Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, theksoi se "këto marrëveshje janë një provë e mëtejshme që Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të rajonit. Tani ne presim që këto marrëveshje të vihen në jetë ashtu siç duhet, në mënyrë që t‘i hapin rrugë dialogut për heqjen e vizave dhe kushteve që secili prej vendeve të rajonit duhet të plotësojë që kjo të arrihet". Pas dhënies së mandatit nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 13 nëntor 2006, Komisioni Evropian filloi më 30 nëntor negociatat për nëntë marrëveshje të komunitetit me këto vende dhe ia doli mbanë të përfundonte të gjithë procesin dhe të siglonte draft-marrëveshjet me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në prill/maj 2007. Në përgjithësi marrëveshjet kanë për qëllim që të lehtësojnë procedurat për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti për ata që udhëtojnë më shumë drejt BE-së, për të kërkuar viza të shkurtra qëndrimi në Bashkimin Evropian, ndërsa njëkohësisht nga ana tjetër përcaktojnë rregulla të qarta për të luftuar imigrimin e paligjshëm. Marrëveshjet e lehtësimit të vizave bëjnë të mundur uljen në një tarifë të përballueshme për vizë deri në 35 euro në vend të 60 eurove për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe për disa kategori të aplikuesve parashikojnë një përjashtim të plotë nga tarifa për vizë. Për më tepër, për disa kategori të caktuara qytetarësh, si për shembull për biznesmenët, për studentët dhe për gazetarët, janë thjeshtësuar edhe dokumentet e nevojshme mbështetëse për aplikimin për vizë. Për disa kategori të qytetarëve që udhëtojnë shpesh për në BE bëhet i mundur lëshimi i vizave me shumë hyrje-dalje për periudha të gjata vlefshmërie. Dhe së fundmi, mbajtësit e pasaportave diplomatike përjashtohen nga detyrimi për të pasur vizë hyrëse në BE. Marrëveshjet e ripranimit përcaktojnë detyrime dhe procedura të qarta për autoritetet, si të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kur dhe si duhet të kthejnë mbrapsht qytetarët që qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme në territoret e përcaktuara nga marrëveshjet. Përmbyllja e procesit të ratifikimit dhe vënia në jetë e marrëveshjeve deri më 1 janar 2008 do të shënojë respektimin e të gjithë axhendës me afate ekstremisht të ngushta dhe do ta bëjë tarifën e vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor 35 euro.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt