Një 20-vjeçare nga një fshat i Lezhës ka vrarë me armë vëllain e saj. Dëshmia tronditëse nga komisariati
Liza: E vrava vëllain se më rrihte vazhdimisht
Kujtim Boriçi
Lezhë - E rrahuar barbarisht një natë më parë nga i vëllai, me të cilin jetonte, një vajzë e re e ka vrarë këtë të fundit me 30 plumba. Pas krimit, Liza Pali është larguar nga shtëpia, për t’u fshehur tek një banesë e braktisur, në fshatin e saj, por dy orë më pas ajo është vënë nën prangat e policisë. Bashkë me të është gjetur edhe arma e krimit.
Ngjarja
Krimi i radhës në familjen shqiptare ka ndodhur në orën 7.30 të ditës së djeshme, në fshatin Sukaxhi, të komunës së Ungrejit, në rrethin e Lezhës. Një natë më parë, ky fshat kishte kremtuar festën e Shën Mhillit, gjatë së cilës ka pirë shumë dhe ështët dehur edhe Gjovalin Pali, 43 vjeç, i martuar dhe me fëmijë. Sipas dëshmisë që ka dhënë e motra, Liza, ai ka mbërritur i dehur në shtëpi dhe, duke mos kontrolluar veprimet, ai e ka rrahur keqas. Pasi e ka dhunuar rëndë të motrën 20-vjeçe, Gjovalin Pali e ka urdhëruar të qëndrojë brenda dhomës së saj dhe të mos dalë që aty. Vajza e ka kaluar gjithë natën në dhomë, por në mëngjes, kur ka gdhirë dita, ka dalë prej saj. I vëllai e ka parë dhe ka filluar ta godasë përsëri, pa i treguar shkakun, sipas dëshmisë së Liza Palit. “Ai më ofendoi me fjalë të rënda”,-ka treguar ajo.
Vajza ka shtuar se instiktivisht ka marrë në njërën nga dhomat e shtëpisë armën dhe ka qëlluar mbi të vëllain me breshëri. Në çastin e krimit, fëmijët e të vëllait kanë qenë aty, në kuzhinë dhe kanë parë gjithçka me sy. Mbi trupin e Gjovalin Palit kanë rënë rreth 30 plumba, ndërsa fëmijët e tij kanë mbetur të shtangur.
Pas krimit, Liza Pali është larguar nga shtëpia e saj së bashku me armën, për t’u fshehur tek një shtëpi e braktisur në fshat.
Policia
Ka qenë një telefonatë e bërë nga banorë të fshatit ajo që ka vënë në lëvizje policinë e komisariatit të Lezhës. Shefi i krimeve, Martin Dona, tha për Shekullin se arrestimi i 20- vjeçares u bë shumë shpejt, brenda një kohë të shkurtër dhe se Liza Pali nuk bëri kurrfarë rezistence.
Policia, mes të tjerash, izoloi të gjithë zonën dhe bllokoi të gjitha rrugët që dilnin nga fshati Sukaxhi në drejtim të fshatrave të Lezhës dhe Mirditës. Të vetmit që kishin parë se nga kishte shkuar halla që sapo u kishte vrarë babain, kanë qenë fëmijët e Gjovalinit. Por ata kanë qenë aq të tronditur, saqë u është dashur kohë të mbledhin veten dhe të tregojnë. Fëmijët mezi kanë mundur të flasin. Pas disa kontrolleve nëpër banesat e të afërmëve dhe disa shtëpive të braktisura, policia ka gjetur vajzën e re të trembur dhe të strukur brenda njërës prej godinave të fshatit. Sipas policisë, 20- vjeçarja është dorëzuar menjëherë, duke iu përgjigjur thirrjeve të shefit të krimeve, Donës.
Dëshmia e Lizës
Flet nga komisariati: Pse e vrava vëllain
Pas arrestimit dhe shoqërimit në komisariatin e Lezhës, Liza Pali ka treguar se ishte dhuna e vazhdueshme e të vëllait, shkaku që e ka shtyrë në krim.
Sipas dëshmisë së vajzës së re, sherret mes saj dhe Gjovalinit, kishin nisur ngaqë, sipas të vëllait të vrarë, ajo donte më shumë dy vëllezërit e tjerë, që ndodheshin në Itali. “Përveç kësaj, Gjovalini me fyente dhe më rrihte ngaqë mendonte se unë nuk punoja sa duhet në shtëpi dhe në arë. Ai më thoshte se duhej t’i bëja të gjitha punët e shtëpisë dhe të fushave. Unë kam punuar shumë, përditë, por ai nuk kënaqej kurrë dhe vazhdonte të më shante. Kur filloi të më rrihte përsëri, pa shkak, të dielën në mbrëmje, nuk munda të duroja dot. Jeta më ishte bërë e padurueshme, ai m’i nxinte të gjitha ditët. I thoshja të mos më rrihte kot e më kot, pas asnjë shkak, por ai nuk më dëgjonte”,-ka treguar e reja.
Familja Pali
Familja e Gjovalin Palit jeton në fshatin Sukaxhi të Lezhës. Gjovalini merrej me punë të ndryshme, në fshat, më së shumti me lëndët drusore. Ai kishte tri fëmijë dhe gjendja ekonomike e familjes është shumë e dobët. Motra e tij, Liza, ka mbaruar shkollën tetëvjeçare dhe që prej asaj kohe qëndronte në shtëpi, duke i ndihmuar të vëllait. Dy vëllezërit e tjerë ndodhen në Itali që prej pesë vjetësh, por ata nuk kanë mundur t’i dërgojnë para Gjovalinit. Prindërit e tyre janë ndarë që prej më shumë se 20 vjetësh dhe babai, pasi i kishte lënë fëmijët, jeton në Torrovicë të Lezhës.
Hysi: Do të ndërtohen tri burgje të reja
Burgjeve shqiptare do t’u shtohen shumë shpejt edhe tri kampe të tjera të vuajtjes së dënimit, dy prej të cilave tashmë kanë filluar të ndërtohen. Burgu i tretë pritet të përfundojë brenda muajve të parë të vitit 2006. Këtë fakt e konfirmon për gazetën “Shekulli”, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
“ Ndërtimi i burgjeve të reja bëhet për dy arësye, së pari, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të të dënuarve që u duhet të vuajnë dënimin në institucionet tona të riedukimit dhe së dyti, për krijimin e kushteve sa më të mira, sipas standardeve bashkëkohore”,-shton Hysi.
Një nga burgjet e reja që ka filluar të ndërtohet rreth dy muaj më parë në Fushë-Krujë , është një financim i Bashkimit Europian në kuadër të masave të përgjithshme të reformimit të sistemeve të burgjeve shqiptare. Ai do të ketë një kapacitet prej 350 vetësh e pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm. Për të shtuar numrin e burgjeve shqiptare, do të ngrihet edhe Instituti për vuajtjen e dënimit të të miturve, që po ndërtohet në qytetin e Pogradecit, me paratë e qeverisë shqiptare. Në këtë kamp riedukimi, me kapacitet 80 vetë, do të rehabilitohen të mitur të dënuar nga drejtësia, nën moshën 18- vjeç. Njëkohësisht , në fillim të vitit të ardhshëm, është parashikuar të nisë ndërtimi edhe i një burgu tjetër në qytetin e Korçës, që do të ketë kapacitet prej rreth 250 vetë.
Pjesa më e madhe e “banorëve” të burgjeve të reja, sipas Hysit, do të jetë nga kontigjenti aktual i 3460 të dënuarve që gjenden sot në 13 burgjet e Shqipërisë sepse këta të fundit janë të mbipopulluar. Pjesa tjetër do të vijë nga të dënuarit rishtas.
Krijoni Kontakt