Letër e hapur
Për:
Qeverinë e Republikës së Kosovës,
Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi,
Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala,
Ministren e Energjisë dhe Minierave Justina Pula,
Deputetët dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi,
Kryetarin e Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ka kohë që bëhet fjalë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Disa prej nesh kemi shfaqur mendimet tona rreth kësaj teme jetike, kurdo që na është dhënë rasti,* në kontakte (të rralla) të drejtpërdrejta me autoritetet por edhe publikisht. Të tjerët kemi vështruar me brengosje të thellë propozimet ekstremiste që shfaqin lobistët e ndryshëm rreth këtij investimi, pa pasur as më të voglën mundësi për tu kundërvënë. Ne, ekspertët kosovarë, në periudha të caktuara i ndërtuam termocentralet ekzistuese, prodhuam rrymë për qytetarë, dhe akoma jemi aktiv, krahas ekspertëve të jashtëm, në gjetjen e skenarëve më të përshtatshme për ndërtimin e këtij termocentrali. Por, na duhet të themi se na u dashtë të pozicionohemi si veprim dhe zë civil, në këtë çështje, sepse asnjë qeveri nuk na dha më shumë vend, për të kontribuar. Edhe atëherë kur bëheshit se ju duhet mendimi i ekspertëve kosovarë, nuk e kishit seriozisht, sidomos pasi që nga ne dëgjonit variante që nuk iu pëlqenin si juve ashtu edhe ekspertëve ndërkombëtarë, që vazhdimisht i kishit më afër “zemrës”. Është për tu habitur se vlerat e ekspertëve kosovarë janë ato që nuk i hiqni nga goja gjatë kampanjave të juaja elektorale. Shumë programe të juaja qeverisëse janë të bazuara, në letër të paktën, në ekspertizën kosovare, pra në ne që jemi edukuar dhe kemi punuar për t’i njohur gjërat për të cilat ju duhet të vendosni. Dhe na duhet të pranojmë se na keni lejuar të flasim, por edhe kurrë nuk na keni ftuar të bisedojmë për këto çështje. Dhe, në vend të bashkëpunimit të ofruar ju keni zgjedhur të bëni lojën e të shurdhrit sa herë që ne i kemi shprehur qëndrimet tona nëpërmes të mediave kosovare. Sepse qëndrimet tona janë më ndryshe nga ato që ju thuhen vazhdimisht nga miqtë tuaj “ekspertë ndërkombëtarë”, dhe atyre akoma nuk keni gjetur forcë dhe kurajë tu kundërviheni. Dhe nuk keni pas nevojë t’i kundërviheni – është dashur të na leni ne që të bisedojmë me kolegët tanë ndërkombëtarë, dhe me gjuhë faktesh, të bindim njëri tjetrin. Atëherë ju do ta kishit shumë më lehtë të vendosni për skenarin e fundit, i cili do t’i përmblidhte të gjitha atributet pozitive për të siguruar interesin tonë kombëtarë ne këtë projekt.
Të nderuar udhëheqës të Kosovës, na lejoni që nëpërmes të kësaj letre të hapur edhe njëherë të themi se ku do ta vendosim vijën e kuqe, ne ekspertët kosovarë, në projektin Kosova e Re, mbi të cilën vijë assesi nuk duhet të kalohet, sepse do të cenohej shumë ardhmëria e jonë. Ne ju bëjmë thirrje publike që të jeni të përgjegjshëm ndaj këtij vendi dhe në asnjë mënyrë të mos merrni vendime ekstremiste që ju servohen. E ndjejmë detyrë tonën profesionale dhe qytetare t’ju bëjmë me dije se jemi absolutisht kundër këtyre qëllimeve ekstremiste dhe kërkojmë nga ju, me sa vijon:
E para, mos nënshkruani as edhe 1 MW orë më shumë, se sa që do të ndërtonim tash në fazën e parë të këtij projekti. Mendojmë se 300-600 MW është mjaftë. Sidomos mos nënshkruani 2100 MW, sepse akoma nuk e kemi dëgjuar asnjë argument që do ta favorizonte këtë variant, edhe pse ka 3 vjet që jemi duke e shprehur këtë qëndrim. Sepse thjeshtë nuk ka argumente me të cilat mund të arsyetohet një veprim i tillë, aq i pamatur. Kjo aspak nuk do të thotë se Kosova nuk do të ndërtojë në të ardhmen kapacitete prej 2000, 3000 apo edhe 5000 MW, por kjo do të bëhet atëherë kur të pjekën kushtet për këtë investim: pasi që e shohim se konsumi ynë është ngritur dhe kërkon aq energji. Dhe kjo sipas parashikimeve tona, dhe të ekspertëve ndërkombëtarë do të vjen pas 20-30 vitesh. Atëherë Kosova do të jetë një Kosovë shumë më e fortë, më e begatshme, më e mençur, dhe do t’i ndërtojë kapacitete energjetike të kohës – cilat do që do të jenë aktuale atëherë. Mos ta marrim guximin që t’ia cenojmë ardhmërinë fëmijëve tanë – aman?!
E dyta, mos lejoni që miniera e Sibofcit t’i epet në shfrytëzim ose pronësi, pronarit të ardhshëm të termocentraleve, sepse ajo ka rëndësi strategjike për ne. Nëpërmes të kësaj miniere ne mund të sigurojmë bashkëpjesëmarrje të rëndësishme në investimin e ardhshëm, që do të na siguronte përfitime të mjaftueshme për t’i mbyllur të gjitha efektet negative që vijnë nga termocentrali i ri. Ne si shtet, dhe ju si udhëheqës të tij, do të duhet të paguajmë për shërimin e sëmundjeve që do të vazhdojnë të vijnë nga ndikimi i termocentraleve, mihjeve dhe deponive, për mungesën e ujërave që do ta godasin mjaftë bujqësinë dhe popullatën, dhe për shpërnguljen e fshatrave që do të duhet t’i lënë hapësirë mihjeve të reja. Tashmë e keni parë edhe vetë se nuk jemi në gjendje aq lehtë ta shpërngulim një fshat, fshatin Hade, e lere më shumë të tjera që do të duhet shpërngulur, pa shpenzuar shumë nga buxheti i Kosovës. Ku do t’i marrim të gjitha këto para nëse nuk e sigurojmë një bashkëpronësi të lartë në investimin e ardhshëm. Pse, Sibofci të mbahet, do të pyetni? Sibofci duhet të jetë pjesëmarrja e jonë në biznesin e përbashkët që duhet bërë me investitorin e huaj. Thjeshtë, Sibofci mban në vete 1 miliardë tonë linjit, të cilat, nëse i valorizojmë me 3 euro për një tonë, na bënë neve që si shtet të mund t’i investojmë 3 miliardë euro, në një biznes të përbashkët. Pra na siguron pjesëmarrje të rëndësishme, jo në shitjen e linjitit në te ardhmen, por në shitjen e rrymës. Shpresojmë të mos jetë e komplikuar kjo variant, sepse jemi të bindur se këshilltarët e jashtëm nuk ua kanë shpjeguar. Mendojmë kështu sepse ky gjykim nuk është në asnjë variant të cilin ekspertët e jashtëm e kanë sjellë deri tash. Ju lutem kuptojeni se variantet që jua kanë prezantuar deri tash nuk sjellin përfitim për të mbuluar as pjesërisht humbjet që do t’i kemi në riparimin ambiental, social dhe shëndetësor të Kosovës.
Vija e tretë e kuqe që ne do ta vinim, është aty ku sigurohet përfitimi optimal i Kosovës në këtë investim. Besojmë se tashmë e keni kuptuar se me ndërtimin e termocentralit sipas skenarëve që ju ofrohen, Kosova nuk do të bëhet kurrfarë force rajonale në energji, dhe sidomos nuk do të jetë fuqi eksportuese. Si mundet Kosova të jetë fuqi eksportuese, kur pronar i termocentraleve në këtë variant janë kompanitë e huaja, të cilat, logjikisht, do të eksportojnë për llogari të veten. Përfitimi jonë është ngushtë i lidhur me pjesëmarrjen tonë në ndërtimin e Kosovës Re, së bashku me investitorin e jashtëm. Këtë pjesëmarrje mund ta sigurojmë duke “investuar” Sibofcin, dhe pse jo, edhe ndonjë para që do ta merrnim nga ndonjë burim buxhetor me të cilat disponon sot Kosova, por edhe me kredi komerciale te prodhuesit e pajisjeve të termocentraleve (turbinave, bojlerëve etj.), siç kemi vepruar kur e kemi ndërtuar Kosovën B. Ne mendojmë se çdo pjesëmarrje më e vogël se 40% në termocentralet e reja, do të ishte Pazar shumë i keq për ne. Ju lutem kërkoni kalkulimet e varianteve të ndryshme të ndërtimit, dhe shiheni se sa do të jetë përfitimi i Kosovës, në secilën prej tyre. Ne i kemi bërë, dhe nga ato shihet se Kosova do të jetë humbëse e madhe nëse ndërton sipas propozimeve që i bëhen nga këshilltarët e jashtëm, e sidomos nga ata të USAID-së.
Të nderuar Kryetar i Republikës, Kryeministër dhe ministra, Kryetar i Parlamentit dhe parlamentarë, dhe Kryetarë të Partive Politike, është moment shumë i rëndësishëm ai i marrjes së vendimit për ndërtimin e termocentraleve të reja në Kosovë. Ne ekspertët e fushave që ndërthuren në këtë investim të madh dhe kompleks mendojmë se vendimi që do të merret së shpejti do të jetë vendimi më i rëndësishëm i vendim-marrësve kosovarë jo vetëm në këtë dekadë por edhe në shumë të tjera që po vijnë. Ata janë duke vendosur jo vetëm për ardhmërinë tonë por edhe të fëmijëve tanë. E dini se çka Ju, vendim-marrësit, keni të përbashkët me ne, ekspertët kosovarë, e që nuk e keni të përbashkët me ekspertët ndërkombëtarë? Fatin e fëmijëve tanë që do të jetojnë këtu, ne mes nesh, dhe jo shumë larg termocentraleve. Le ta bëjmë jetën e tyre sa më të lehtë dhe më të mirë. T’i lëmë ata, kur të vjen koha, të marrin vendime se çfarë prodhimi të rrymës elektrike duan të kenë. Pse do të nguteshim t’ju shesim ardhmërinë, duke ndërtuar ose nënshkruar kontrata për ndërtimin e termocentraleve me 2100 MW! Mospërfillja e këtyre kërkesave nga ana e juaj do të ishte veprim i ndërgjegjshëm dhe i qëllimtë kundër interesit të vendit. Ne jemi ekspertë të këtij vendi e jo spektatorë të zakonshëm.
Me nderime,
Grupi i ekspertëve:
1. Avni Kurshumliu – Inxhinier i Dipl. i Mak.; Këshilltar profesional për prodhimin e energjisë në KEK.
2. Naim Hoxha – Inxhinier i Dipl. i Elektroteknikës; Profesor në UP.
3. Bashkim Gjurgjeala – Inxhinier i Dipl. i Mak.; Me përvojë të gjatë në energjetikë.
4. Ismet Hamiti – Ekspert i telekomunikacionit, me përvojë shumëvjeçare ndërkombtare në misione të OKB-së
5. Halil Qela – Ekspert për miniera
6. Luan Dobroshi – Inxhinier i Dipl. i Mak.; Ekspert shumëvjeçar i KEK-ut.
7. Bajrush Bytyçi – Kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve të Makinerisë; Profesor Ordinar në Fakultetin e Makinerisë në UP.
8. Dr.sc.Ali Muriqi
9. Prof. Dr. Bashkim Kabashi
10. Luan Shllaku – Drejtor ekzekutiv i Fondacionit për shoqëri të hapur; Inxhinier i teknologjisë i specializuar në çështje ambientale
11. Fadil Aliu – MA ekonomist
12. Hazir Gashi – Ekonomist
13. Zeqir Veselaj – Ekspert i mjedisit
14. Luan Pallaska – Inxhinier i Dipl. i Elektroteknikës; Ekspert shumëvjeçar i* KEK-ut
15. Shyqyri Dumani – Ekspert i Radio-ekologjisë
16. Alban Zogaj – Ekonomist
17. Sylejman Krasniqi – Inxhinier i Dipl. i Elektroteknikës
18. Agron Hamiti – Inxhinier i Dipl. i Elektroteknikës
19. Fllanza Hoxha
Prishtinë, 6.7.2009
Krijoni Kontakt