Rrugëve të Tiranës tani u bie në qafë dhe shiu i verës
Çadrën me vete si anglezët!
Porosia e meteorologut italian dhënë para tre javësh në media: Mësouni të merrni çadrën me vete si anglezët, vlen edhe për Shqipërinë. Një orë shi dhe dy orë përmbytje, kaq mjaftonte që të paralizonte jetën e qytetit nga ora katër deri dje në orën gjashtë pasdite. Nuk mjaftonte dimri dhe vjeshta, por tani rrugëve tona u bie në qafë dhe shiu i verës. Si zakonisht rruga e Elbasanit, unaza dhe, Zogu i Zi dhe rruga "Don Bosko". Pusetat nuk mund të kullojnë ujin. Të tejmbushura ato u kthyen në shatërvane të vegjël, pusetat pa kapak ishin dhe më keq. Disa makina mbetën në mes të rrugës, pa mundur të hapnin as derën, pasi vërshonte uji, ndërsa njerëzit kalonin lumenjtë me ujë për të shkuar në shtëpitë e tyre, ose në punë. Në rrugët më të përmbytura as taksisti nuk merr përsipër për të hyrë. Një pjesë e mirë e rrugëve të Tiranës dihet të kishin përfunduar restaurimet. Rruga "Don Bosko", është përfshirë në masterplanin e vitit për t'u shtruar. Por punimet ende nuk kanë në nisur. Ndërkohë vjen vjeshta shirat shtohen dhe nuk mund të kryhen më punime në rrugë. Kështu shumë rrugë të kryeqytetit , të cilat u janë premtuar banorëve për t'u shtuar këtë vit i mbeten vitin tjetër. Rruga "Don Bosko" ka mbi 5 shtresa asfalti, por megjithatë është gjithë baltë dhe gjithnjë përmbytet, duke përmbytur dhe shtëpitë anash saj. Kjo sepse sa herë që është shtruar rruga nuk janë bërë anash kanalet kulluese, është vetëm një zgarë që nuk i përballon prurjet e ujit në rast shiu. Mungesa e kanalizimeve kulluese bën që rruga të përmbytet sa herë që bie shi. Në shumë rrugë të kryeqytetit bëhen restaurime të pjesshme. Çdo vit shtrohen vetëm disa akse rrugore, pa bërë kanalet e ujërave kulluese. Nga ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve arnohen herë pas here pjesë rrugësh, mbushen gropa, të cilat hapen sërish sapo bie shiu i parë, por arnimi nuk është zgjidhja. Shtrimi i rrugëve së bashku me kanalizimet, mbetet problemi kryesor për jetesën e qytetarëve të Tiranës
Krijoni Kontakt