Shevçenko: Nuk e nënvleftësojmë Shqipërinë
Një nga lojtarët më të intervistuar këto ditë ka qenë kapiteni i kombëtares ukrainase, Andrij Shevçenko. Në vigjilje të ndeshjes së sotme, lojtari në fjalë dhe "Topi i Artë" i këtij sezoni ka folur për gazetën "Komanda", ku mes pyetje të tjera u është përgjigjur edhe interesimit për takimin e sotëm me kombëtaren shqiptare. Ukrainasi, një nga sulmuesit më të mirë në botë, është shprehur se në ndeshjen me Shqipërinë ekipi do të zhvillojë një test kolaudues për botërorin e 2006 s. "Ky është një takim i radhës, si të tjerët, kështu që nuk e shoh të vështirë. Këtë takim e shoh si një duel pararendës në kuadrin e përgatitjeve që po bëjmë për kampionatin botëror, kështu që nuk e shoh me vend ta konsideroj një takim prestigji, siç kanë deklaruar disa të tjerë. E rëndësishme mbetet të luajmë me kujdes, të bëjmë një ndeshje të pëlqyeshme dhe ta kalojmë pa problem këtë sfidë," është shprehur Shevçenko. Njëshi i Milanit ka folur gjithashtu edhe për objektivin e ndeshjes. Sipas tij, skuadra e Ukrainës duhet të fitojë në këtë takim. "Siç e thashë, do të zhvillojmë një lojë të kujdesshme, dinjitoze, me synimin që t'i bëjmë një mbyllje sa më të kënaqshme ciklit të eliminatoreve. Ndërkohë, ky do të jetë edhe një rast për të vënë në provë disa lojtarë të rinj dhe për të praktikuar ndonjë skemë të re që mund të na vlejë për të ardhmen. Pa dyshim, pragmatizmi në këto lloj ballafaqimesh është gjithmonë një faktor nxitës. Besoj se do të bëjmë një lojë të hapur, siç kemi bërë edhe në takimet e mëparshme. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj nënvleftësimi. Sigurisht, do t'i japim përparësi lojës sulmuese, duke synuar një rezultat sa më bindës. Por ndërkohë duhet t'i ruhemi edhe kundërsulmit të shqiptarëve, të cilët kanë aftësi individuale për të rrezikuar në këto lloj rastesh," ka përfunduar Shevçenko.
Krijoni Kontakt