Vrasja ka tronditur qytetin. Trupi i 45-vjeçarit është varrosur dje pa kokën e tij, e cila s’është gjetur akoma

Konispol, gjendet nga një fermer me kokë të prerë


Thoma Nika

SARANDË - Trupi i një burri u gjet i masakruar të shtunën mbasdite, pa kokë në Konispol të Sarandës. Vrasja e Zihni Myderizit u zbulua nga vazja e tij, kur ajo po i çonte drekën. Ngjarja ka tronditur gjithë banorët e Konispolit, të cilët thanë se Myderizi kishte qenë një njeri shumë i mirë, që nuk kishte bërë kurrë sherr me njeri. Policia, deri mbrëmë vonë nuk kishte asnjë pistë hetimi mbi vrasësin e Myderizit, trupi i të cilit u varros dje mbasdite, pa kokë. Kjo e fundit ende nuk është gjetur dhe policia tha se, me sa duket, vrasësi e ka marrë atë me vete për ta hedhur më larg.
Trupi i Zihni Myderizit, 45 vjeç, u gjet i hedhur mbi disa ferra, në përroin e Vasilikoit, një vend shumë i njohur në Konispol. Emri i tij është vënë nga Ali Pashë Tepelena, për nder të gruas së tij, Vasiliqisë. Nga ky përrua furnizohet me ujë të pijshëm lagjia e poshtme e qytetit të Konispolit.
Kufomën e zbuloi e bija.
45-vjeçari Zihni Myderizi ishte babai i tre fëmijëve. Të shtunën, si përherë, ai ka shkuar të punojë në serrën e familjes, larg shtëpisë. Meqë burri po vonohej dhe nuk po vinte për të ngrënë drekë, gruaja e Zihniut bëri gati ushqimin dhe ia dërgoi me të bijën. Me qesen në dorë, vajza e ka kërkuar kudo të atin, brenda në serrë, e pastaj jashtë, rrotull saj. Asaj i ka rënë të fikët kur njohu trupin e të atit të therrur barbarisht e të hedhur në ferrën e madhe afër përroit të Vasilikosë. Ashtu e lemerisur ajo ia ka dhënë vrapit dhe njoftoi në shtëpi për skenën që pa. Vajza e viktimës është bërë kështu zbuluesja e parë e asaj që kishte ndodhur. Ekspertët thanë se vrasja kishte ndodhur 4-5 orë para se të gjendej kufoma.
Policia
Policia e Sarandës deklaroi dje se, pas identifikimit, ka rezultuar se trupi i pajetë dhe me kokë të prerë, është i fermerit konispolat Zihni Myderrizi. Por më parë, sapo u njoftuan për ngjarjen e pazakontë, uniformat blu dhe grupi hetimor shkuan në Konispol. Idriz Daullja, shef i krimeve në komisariatin e Sarandës dhe ekipi i tij, në përbërje të të cilit ka qenë edhe mjeku ligjor, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të kufomës. Ata e kanë vlerësuar si një masakrim atë që ka ndodhur me 45-vjeçarin konispolat, për më tepër që vrasësi e ka kryer kaq barbarisht veprën, sa t’i ndajë kokën nga trupi. Përballë kësaj vrasjeje tronditëse çdo gjë ka mbetur enigmë. Hapat në pistat e kërkimit për të dyshuarit mbeten të pasigurtë, sepse mungojnë konfliktet personale apo familjare të viktimës me ndokënd tjetër.
Dyshimi për aktin
Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, asnjë të dyshuar dhe asnjë të shoqëruar nuk ka pasur në komisariatin e policisë të Sarandës. Sipas grupit të ekspertëve dhe hetuesve, pengesë për këtë ka qenë opinioni tepër pozitiv që zotëron në tërë Konispolin për karakterin e pastër të viktimës dhe për familjen e tij që është shumë e rregullt. “Ishte njeri i përkryer”,-kanë dëshmuar konispolatët, duke treguar se Zihniu ishte modeli i njeriut korrekt në marrëdhëniet me njerëzit. “Vështirë t’i vësh kësaj vrasjeje ndonjë motiv që lidhet me zënka të mundshme banale të panjohura apo ndonjë çështje pronësie të lidhur me serrën ku Myderizi prej vitesh kultivonte perime”, -tha policia. Për bashkëfshatarët më e besueshme është afërsia më pak se një kilometër e vendit të ngjarjes me pikëkalimin kufitar të Qafëbotës. Hamendësohet se vrasja mund të ketë qenë marrëzi e ndonjë emigranti, që ka kaluar Qafëbotën pas kryerjes së vrasjes. Hetimet për zbardhjen e vrasjes të babait të tre fëmijëve vazhdojnë.