Ndikimi i Islamit në zhvillimin njerëzor


Historia e zhvillimeve të shumë ngjarjeve të kohëve të kaluara, pasqyron kulturën botërore të çdo kohe, evulucionet e ndryshme të prodhuara në të kaluarën e largët ose të afërt.

Në bazë të studimit të këtyre rrëfimeve, çdo brez mëson se si filluan dhe si u zhvilluan kulturat dhe arritjet e ndryshme të njerëzimit, që i shtrohen vazhdimisht ligjit të evulucionit. Historia është ajo që mban të pavdekshëm kontributin e një kombi a të një doktrine revulucionare të zhvillimit njerëzor për sa i përket kontributit të dhënë në vijat e ndryshme nga mësimi islam, kryesisht i detyrohet hisotrisë zbulimi i një realiteti, që do të kishte mbetur pothuajse i panjohur, pas çdo brezi, duke u bazuar dhe në gjendjen e muslimanëve të kohës së tij. Në këtë mënyrë gjykimi i brezave të ndryshëm për realitetin islam, sikurse edhe për çdo gjë tjetër, do të ishte relativ. P.sh një njeri që do të kishte vështruar medresetë e Andaluzisë (Spanjë), do të mendonte se zbatuesit e besimit islam qenkan të zhvilluar në çdo pikëpamje, mësimet islame qenkan shumë të larta dhe shumë me vlerë, sa kohë që një tjetër që do të vështronte medresetë e shek. XIX, do të kishte mendim krejtësisht të kundërt . Pra, cili mendim duhet të jetë i drejtë, i pari apo i dyti? Mësimet islame të shek XIX ishin po ato mësime të shekujve të ndritshëm të Endulusit, pra historia është ajo që na mëson arbitrarisht të vërtetën . Është e vërtetë se një studim I imtësishëm i këtyre mësimeve do t’i jepte sqarim këtij realiteti, por, për të plotësuar këtë sqarim, ka nevojë edhe për një studim historik.

Pra, historia, përveç të tjerash, na lehtëson edhe për formimin e gjykimt të drejtë rreth etapave kohore të ndryshme. Sa i përket realitetit islam si dhe ndikimit që kishte ai në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, historia na mëson se, me paraqitjen e Islamit, nga një popull i egër të cilin e kishte zhveshur errësira shekullore nga çdo ndjenjë njerëzore, tek ai fillon një periudhë e re, gjatë së cilës, jo vetëm që u krye një transformim i plotë i këtij populli, por e gjithë bota e mbuluar në errësirën e injorancës, për herë të parë filloi të shihte dritën, duke paralajmëruar zhdukjen e afërt të injorancës që kishte skllavëruar për shumë kohë mendjet njerëzore. Pas shumë shekujsh gjatë të cilëve edhe qytetërimi grek dhe romak kishin zënë të zhdukeshin, Muhamedi a.s. dhe pasardhësit e tij, me një shpejtësi të mrekullueshme, prej një populli të egër dhe injorant bën një popull unik, që u nis me hapa të shpejtë drejt një zhvillimi dhe përparimi, efektet e të cilit janë pikënisja e një qytetërimi të ri dhe modern. Me shfaqjen e Islamit, arabët myslimanë, pas një kohe të shkurtër, edhe pse ishin të rrethuar nga kombe me qytetërim të lashtë e që tashmë ishin në një gjendje të mjerueshme, u bënë udhëheqës të mendimit të shkencave të ndyshme. Derisa bota po flinte nën hijen e injorancës, në Botën Islame filloi zhvillimi i mendjes dhe lartësimi i saj. Brenda një kohe të shkurtër, ky zhvillim arriti një përsosmëri në të gjitha poret e jetës, ndërkohë që në botën e Perëndimit mesjetar, gjendja kulturore ishte aq e ulët, saqë mund të themi se ende nuk kishte lindur, derisa në Botën Islame studioheshin filozofët grekë dhe hidheshin themelet e shkencave moderne.

Spanja nën sundimin arab ishte bërë një lulishte diturie e drite në Europë

Ky fakt nuk është një trillim mysliman , por është një e vërtetë e dëshmuar nga historianët e paanshëm jomyslimanë. Një profesor i histories në Universitetin e Ohajos, në një nga veprat e tij me titull “Man’s Great Adventure”, duke krahasuar kulturën e Perëndimit me atë Islame, thotë: “Derisa Sharlmanji ishte duke kërkuar në gjithë Europën Perëndimore profesorë për shkollën në oborrin e tij, Harun Rashidi kishte tubuar rreth vetes disa qindra dijetarë, shumica prej të cilëve dinin më shumë sesa kishin ditur grekët e vjetër në shkencën e filozofisë dhe i shtonin kulturës botërore zhvillimin sidomos në matematikë dhe mjekësi. A thua si do të ishte sikur këta dijetarë myslimanë të kishin shkuar në shkollën e Sharlmanjit e t’i kishin provuar mësuesit dhe jo nxënësit”?1 Nuk ishte vetëm zhvillimi kulturor që karakterizonte përparimin e myslimanëve, sepse ata përparuan në çdo art. Arti ndër ta mori një zhvillim aq të madh, saqë Spanja nën sundimin arab ishte bërë një lulishte diturie e drite në Europën e atëhershme barbare, ku kështjella madhështore Al Hamra e shumë vepra të tjera dëshmonin haptazi për stilin e lartë artistik të myslimanëve të parë. Edhe jeta ekonomike mori një zhvillim të admirueshëm. Historiani Eden Pahlo, në librin e tij “Man’s Great Atventure”2 në kapitullin jeta ekonomike e arabëve të Spanjës thotë : “Jeta qytetare u zhvillua dhe lulëzoi me një hov të madh, Kordova dhe Sevilja u bënë qendra të rëndësishme tregtare dhe industriale, ku thureshin stofra leshi dhe pambuku. Vetëm Kordrova kishte 13000 vegjë (vekna) industriale dhe makina të tjera, ku përgatiteshin letra shkrimi, përpunimi i lëkurëve dhe prodhime të tjera nga qelqi e kristali. Kurse krahina e Toledos u bë e famshme në tërë Europën dhe botën për shpatat e saj. Ndërsa në krahinat e tjera, pasuri të posaçme paraqitnin fermerët dhe kultivuesit e kuajve arabë dhe aplikoheshin metoda të përparuara bujqësore. Ishin sjellë produkte të reja nga Lindja, si orizi kallami i sheqerit etj., kurse nga Spanja eksportoheshin në Egjipt dhe Azi fiq , portokaj etj., kurse aty importoheshin veshmbathje nga Lindja dhe shkrime të dijetarëve të Bagdadit. Këto të dhëna historike tregojnë përqytetërimin e myslimanëve të parë, për se duhej ta falënderonin këta popuj që nga Kur’ani dhe Muhamedi a.s. morën kulturën dhe edukatën e re. Historia na mëson se në mesjetë, para lindjes së Muhamedit a.s., bota ishte zhytur në injorancë. Mendja e njerëzve ishte skllavëruar nga besimet e kota dhe, në anën tjetër, feudalizimi dhe skllavëria kishin krijuar një gjendje të padurueshme. Në asnjë pikë të globit tokësor nuk dukej një rreze drite, e cila të jepte shpresë për një jetë më të mirë. Duke e krahasuar këtë gjendje të mjerueshme me përparimin e shpejtë dhe rrënjësor të popullit arab, nuk mbetet përveçse ky transformim aq i madh, i shpejtë dhe i çuditshëm ndodhi falë frymës përparimtare islame, e cila arriti që, prej një populli aq injorant, të formonte një popull aq të përparuar, prej të cilit do të përhapeshin rrezet e qytetërimit prej Kinës deri në oqeanin Atlantik. Për ta kuptuar këtë më mirë, duhet t’i bëjmë një vështrim të shkurtër esencës së besimit islam, në mënyrë që të kuptohet se ky besim ishte me të vërtetë udhëheqës drejt përparimit. Besimi Islam, i pasqyruar me stil të paarritshëm nga ana njerëzore, në ajete kuranore, përveç të tjerash, kanë qëllim ngritjen e shoqërisë njerëzore, përmbledh edhe tri faza ngjitëse, që ishin dhe janë faktorë për një përparim të shpejtë, që janë: vullneti i fortë, toleranca dhe morali i sinqertë. Nga bazat e faktorët thelbësorë të Islamit është vullneti i fortë për arritjen e qëllimit të dobishëm për njerëzit. Besimtari porositet që energjinë e vet pozitive të mos e harxhojë për asgjë tjetër përveçse për dobinë personale dhe të përgjithshme. Shumë i gabuar është mendimi i mosnjohsëve të Islamit kinse sipas Islamit mjafton t’i kryesh disa lutje për të fituar lumturinë e përhershme. Kjo është një fyerje e madhe, që, me dashje a pa dashje, i bëhet kësaj feje hyjnore, nga bazat e së cilës është edhe të përpjekurit me këmbgulësi për zhvillimin dhe përparimin e jetës në çdo pikëpamje. Dera e fitimit është e hapur, thotë Muhamedi a.s. në një hadith të vetin, qysh prej qiellit deri në brendësi të dheut, Zoti pa dyshim shpërblen çdo njeri me aq sa është përpjekur për të fituar. Karakteristikë tjetër islame është edhe këshilla për përpjekje e këmbgulësi të lejueshme dhe të ndershme dhe për heqjen dorë nga çdo gjë që është e dëmshme.

Islami është morali i fortë dhe i pastër

Pikërisht këto këshilla i nxitën myslimanët që të përparonin rrufeshëm, sepse porosia e Pejgamberit “ dituria është një gjë e humbur e myslimanit, kudo që ta gjejë atë, le ta marrë” , i shtyri myslimanët e parë që t’i studionin të arriturat shkencore dhe kulturore të popujve më të vjetër, si të grekëve, egjiptasve etj., dhe iu qasën studimeve e hulumtimeve të natyrës, kështu që, prej arabëve injorantë të djeshëm dolën dijetarë të njohur e të mëdhenj, si Ibni Ruzhdi (1126-1198), në Evropë i njohur me emrin Averos, dhe Ibni Sinaja (908-1037), në Evropë i njohur me emrin Avicena, i cili shkroi vepra mjekësore, të cilat u përdorën në Evropë deri në shek. XVII. Karakteristikë tjetër e Islamit është morali I fortë dhe i pastër, që në këtë fe është këshilluar në formën më të përsosur. Myslimanët përparimin e vet e shohin vetëm atëherë kur morali i tyre të jetë i bazuar në një moral të shëndoshë, i cili është shumë i nevojshëm për përparimin e shoqërisë myslimane. Morali islam për më shumë se 14 shekuj ka përmbledhur të gjitha ato nyja që udhëheqin një popull drejt një bashkëpunimi të vëllaznueshëm që siguron mbarëvajtjen dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Morali islam synon zhvillimin e virtyteve që përfaqësojnë njeriun shpirtmadh e të drejtë, vetëmohues, në dobi të kolektivitetit të vet dhe përparimit njerëzor. Shpirtngushtët, të kufizuarit, urrejtësit, jotolerantët, formalistët nuk kontribuojnë fare për shoqërinë njerëzore,, e aq më pak për Islamin. Urrejtja ndërfetare ndërkombëtare, fisnore, individuale – janë të huaja për Islamin.

Pra, me kuptimin e plotë të fjalës, besimtar i vërtetë në Islam është ai që shkrin energjitë e veta për të mirën e përgjithshme, një mendim ky që të shtyn drejt kryerjes së çdo vepre morale a materiale, e cila përfundim sjell lumturinë dhe përparimin e përgjithshëm.

Me lindjen e Pejgamberit të fundit, lindi drita islame, që i vuri bazat qytetërimit të parë modern dhe kjo nuk është një shprehje e thjeshtë, e përvetësuar verbërisht, po është mendimi i çdo historiani të mirëfilltë modern. Të gjithë ata që kanë shfaqur mendime të pakundërshtueshme, duke krahasuar gjendjen e Evropës para kryqëzatave dhe pas tyre, kur kryqtarët ktheheshin me mbresa të thella të Lindjes, që i panë për herë të parë, nuk kanë mundur të mohojnë kontributin e madh që I dhanë myslimanët rilindjes evropiane, madje disa historianë ishin të mendimit se, po të mos ishin kryqëzatat që bënë të mundur njohjen e qytetërimit dhe kulturës islame, Evropa do të ishte në gjendje krejt ndryshe nga kjo e sotmja. Megjithëse sot nuk po pranohet si e drejtë, prapëseprapë ky mospranim nuk i dobëson faktet se, po të mos kishte pasur kryqëzata, Evropa do të trashëgonte qytetërimin islam nëpërmjet Spanjës myslimane me kontaktin kulturor, njerëzor dhe shkencor. Arabët e Spanjës kishin universitete në Kordovë, Grenadë, Toledo dhe Sevilie, para se të ishin themeluar këto insuticione në veri të Evropës. Në shek. X shumë studentë evropianë ishin regjistruar në shkollat myslimane dhe ata ishin pasuar nga të tjerë gjatë shekujve XI e XII. Sido që të jetë, qoftë me anë të kryqëzatës, qoftë në mënyrë paqësore, ajo që na intereson këtu, është pranimi unanim se rrezet e qytetërimit në Evropë u paraqitën kur ajo erdhi në kontakt me Botën Islame. Myslimanët kanë shumë të drejtë të thonë se në atë kohë lindi renesanca evropiane. Nga tërë kjo kuptojmë rolin e madh që ka luajtur besimi islam në zhvillimin njerëzor, në saje të shpirtit revulucionar të këtij besimi.|Dituria Islame|

By: Fejsal Spahiu

__________________________________________________ ____________________

(1) Eden Pahlo, Man’s Great Adventure, f 368.

(2) Eden Pahlo,

Men’s Great Adventure, f 400

RadioDituria/com