
Postuar më parë nga
Llapi
Topi: Bashkimi Kosovë-Shqipëri bëhet në BE
Nga Express më 08.01.2009 në ora 12:56
(Update)
Shqipëria dhe Kosova do ta gjejnë bashkimin në Bruksel, tha presidenti Topi, i pyetur nga gazetarët nëse ka menduar ndonjëherë për bashkimin e dy vendeve. Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi.
Topi i siguroi kosovarët se pavarësinë e vendit gjatë këtij viti do ta njohin edhe shumë vende tjera dhe sipas tij, e gjithë politika shqiptare është duke u angazhuar për këtë qëllim.
Topi tha se tashmë më e rëndësishmja është që pavarësinë e Kosovës ta njohin vendet e Lidhjes Islamike, me të cilat, sipas tij, po punohet shumë, por edhe vendet e Amerikës Latine
Edhe në këtë takim presidenti shqiptar përmendi rrugën Durrës- Morinë si një arterie kombëtare, ndërsa kërkoi edhe nga Qeveria e Kosovës ta kryejë pjesën e vet, ashtu siç ka premtuar. Bashkëpunim më të madh, sipas tij, duhet të ketë edhe në fushën e energjetikës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi politikën shqiptare për mbështetjen dhënë Kosovës në shpalljen e pavarësisë dhe për angazhimet e saja për lobim të njohjeve të shtetësisë së Kosovës.
Edhe ai theksoi përcaktimin e Qeverisë së Kosovës për integrime euroatlantike dhe shprehu besimin se të dyja vendet do të ecin drejt kësaj rruge.
Presidenti shqiptar pasdite do të takohet me krerët e partive opozitare dhe të partive të minoriteteve.
“KOSOVA DUHET TË INTEGROHET NË BE DHE NATO”
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ka porositur udhëheqësit kosovarë që të punojnë më shumë, në mënyrë që vendin e tyre ta përgatisin për integrime në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ai tha se ndihet i privilegjuar që i takon kësaj plejade të politikanëve që kanë pritur dhe festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Është nder dhe privilegj për mua që gjendem në zemër të Kosovës, prandaj në emrin tim dhe në emër të gjithë popullit të Shqipërisë, ju uroj që ta gëzoni Kosovën e pavarur dhe sovrane me Kushtetutë moderne e demokratike të saj”, tha presidenti Topi.
Duke i rikujtuar momentet nga vizita e tij e fundit në Kosovë, kur vetëm disa ditë ndanin popullin e Kosovës nga shpallja e Pavarësisë, Topi ka thënë se Pavarësia është një fitore, e cila duhet të shërbejë për ecjen e mëtutjeshme të Kosovës në proceset integruese.
“Një vit më parë isha këtu dhe thashë se pavarësia e Kosovës është çështje orësh dhe ajo në fakt kishte ardhur dhe ndodhur në mendjen dhe zemrat tuaja. Pavarësia erdhi, ashtu siç vjen një ditë e madhe dhe një ditë e lumtur. E festuam gjithë së bashku edhe me miqtë tanë”, tha Topi, duke e përgëzuar popullin e Kosovës për festim dinjitoz.
Edhe në Kuvendin e Kosovës, Topi tha se duhet të respektohen të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, njësoj sikur që respektohen të drejtat e pakicave në Shqipëri, Kosovë dhe në vendet e tjera.
Topi tha se Serbia duhet të interesohet për minoritetin serb që jeton në Kosovë, por këtë duhet ta bëjë duke i respektuar institucionet legale të Republikës së Kosovës.
Ai në këtë seancë solemne rikujtoi ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës, Adem Jasharin, heroin e rezistencës kombëtare dhe presidentin paqësor, Ibrahim Rugova. Lufta e gjatë dhe rënia e shumë dëshmorëve, sipas tij, rezultoi me pavarësinë e Kosovës, por rikujtoi se tani vendin e pret edhe një betejë e rëndësishme, ajo e integrimit.
“Do të bëjmë të mundur që zëri i Kosovës të dëgjohet në BE dhe NATO”, premtoi Presidenti i Shqipërisë.
Kreu i shtetit shqiptar po qëndron për një vizitë dyditore, si zyrtari më i lartë i një shteti që ka qëndruar në Kosovën e pavarur.
TOPI: MINORITETET TË RESPEKTOHEN EDHE NË SERBI
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, tha se të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen në Luginë të Preshevës, njësoj sikurse respektohen në Shqipëri dhe në Kosovë, ndërsa bëri thirrje që incidentet e fundit në veriun e Kosovës të hetohen nga institucionet e rendit. Këtë deklaratë Topi e dha pas takimit që pati sot me Kryetarin e Kosovës, Fatmir Sediu.
“Kosova dhe të gjitha institucionet e saj do të respektojnë të gjitha të drejtat e të gjitha qytetarëve të saj. Çështja e respektimit të minoriteteve është përgjegjësi e të gjithëve. Ato duhet të respektohet në Shqipëri, Kosovë dhe në Preshevë. Puna e institucioneve kosovare në raport me komunitetet pakicë, duhet të jetë shembull edhe për Serbinë në raport me shqiptarët në Luginën e Preshevës”, tha presidenti Top, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Kosovë.
Duke folur për situatën në veri të Mitrovicës, Topi tha se duhet që sa më shpejt të ketë një hetim ndërkombëtar dhe të dihen saktë se kush qëndron prapa njerëzve që po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën. “Incidentet në veri të Kosovës kanë një begraund ultranacionalist dhe është e dukshme se prej nga vijnë. Është shumë e rëndësishme që të hetohen pse kanë ndodhur këto incidente, nga vinë, nga kush inspirohen”.
Në anën tjetër, Kryetari Sejdiu falënderoi shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë në vazhdimësi për Kosovën.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunim me Shqipërinë në të gjitha fushat", tha Presidenti Sejdiu, duke premtuar se shumë shpejt edhe Kosova do të fillojë ndërtimin e autostradës edhe në pjesën e Kosovës.
Të dy Presidentët u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunim ndërshtetëror për të ecur në rrugën drejtë familjes evropiane.
Presidenti Topi gjatë ditës do të takohet edhe Kryeministrin Hashim Thaçi dhe do t'u drejtohet me një fjalë deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
TOPI NË KUVENDIN E KOSOVËS
Presidenti shqiptar, Bamir Topi po qëndron sot në vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, i ftuar nga Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu. Kjo është vizita e një kryetari të shtetit në Kosovën e pavarur
Ai do të takohet me mikpritësin e tij Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Në mesditë, Presidenti Topi do të japë edhe një mesazh përshëndetës në Parlamentin e Kosovës.
Në prag të kësaj vizite zoti Topi ka deklaruar në disa media kosovare se vizitat reciproke të krerëve të shtetit të dyja vendeve, janë dëshmi e qartë se Shqipëria dhe Kosova kanë një vullnet politik gjithëpërfshirës për të zhvilluar marrëdhëniet në të gjitha fushat si dy shtete të pavarura aspirante të denja për familjen euroatlantike.
Krijoni Kontakt