KUR ËSHTË FJALA PËR BASHKIMIN KOMBËTAR,
Skënderbeu në një fjalim të mbajtur në Lezhë më 1444 ndër të tjera thotë :
"Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Nëqoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lumë të madh dhe të fuqishëm".
Shkas për të shkruar më dha debati i zhvilluar në emisionin "Speciale", të cilin e realizoi në RTK zonja Besa Çeku më 15 tetor 2008.
Në atë debat morën pjesë liderët e disa partive dhe lëvizjeve të vogla: Avni Klinaku, Albin Kurti, Bedri Çejku dhe Ismail Latifi.
Temë debatimi ishte: Bashkimi kombëtar shqiptar.
Nderë dhe respekt ndaj liderëve të këtyre subjekteve për aktivitetin dhe përkushtimin e tyre patriotik.
Të katrit këta udhëheqësa, në atë debat shprehen brengën e tyre, pse ende nuk flitet haptas për të drejtën e bashkimit kombëtar shqiptar, kur kjo ishte dhe është aspiratë e të gjitha gjeneratave shqiptare. Kjo temë, edhe si ide edhe si veprim është shumë e qëlluar. Madje edhe e vonuar.
Por, deklarimi i këtyre liderëve për bashkimin kombëtar do t'ishte më bindës dhe më efektiv, sikur këta liderë, në fillim të debatit, ta shqyrtonin mundësinë e integrimit të subjekteve të tyre politike. Një angazhim i tillë vetëm sa do ta konfirmonte qëllimin, sakrificat e shumta dhe përcaktimin e tyre për bashkimin kombëtar. Përndryshe, sa mund të jemi bindës për opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, kur atij (Faktorit Ndërkombëtar) ia paraqesim kushtin, që për të hyrë në Evropën e Bashkuar, më parë do të duhej të mundësohej bashkimi i trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht. Por, si të arrihet bashkimi kombëtar, kur, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe në viset tjera të banuara me shqiptarë dominon pasioni individualist, i shprehur me egoizëm, gjelozi dhe karierizëm. Si të thuhet ndryshe, kur, duke e shaluar katërçipërisht demokracinë dhe pluralizmin, vetëm në Kosovë janë formuar më se 30 subjekte politike. E dihet, se niveli i kualitetit të demokracisë dhe i pluralizmit nuk matet me numrin e partive, por me kualitetin e veprimit dhe të drejtës për ta përfillur dhe pranuar edhe mendimin e tjetrit. Perndryshe, duke formuar dhe ndarë parti, krijohet, çka tjetër, veçse anarshi dhe huti. Kështu që, ëndrra dhe dëshira për realizimin e aspiratës shekullore për bashkimin kombëtar në njërën anë dhe realiteti i hidhur me pamundësinë për ta ndryshuar këtë realitet në anën tjetër, më kanë bërë të flas vetmeveti. Prandaj, e kam sajuar një personazh dhe po bisedoj me të, këtu në letër të kompjuterit. Pse jo? Gjithçka është e mundshme sot. Edhe unë po e shfrytëzoj të drejtën, që sëpaku ta maltretoj letrën. Nuk është pak kjo. Madje, njëherë në një artikull, me titull "Sikur t'kishte letra gojë", e kam qajtur mirë hallin e letrës. E rezultati, mos pyet: Fol e rruaj ve!
Duke menduar për mënyrën më efikase të bashkimit kombëtar, m'u bë, sikur bashkëbiseduesi im i imagjinuar më tha: -"Ndërroja kajden Bun", thoshte i ndjeri pedagog, Tajar Hatipi. Ndërsa, Alberto Moravia thotë: "Ai që nuk ndërron mendje kurrë, ndoshta nuk ka fare", nxjerrë nga Fejtoni i Daut Demakut: "Fuqia mahnitëse e mendimit pozitiv".
Unë, duke pritur, se çka do të më thotë tjetër bashkëbiseduesi im, ai, sikur me seriozitet m'u afrua dhe po më thotë: Pasi që, me aktivitete të pjesërishme individuale dhe me politikën e deritanishme, të sajuar me argumente, gjithsesi të pakontestueshme dhe me fjalë të mëdha, në stilin klasik e me dialogje të shumta shterpe, nuk ia dolëm që ta bindim faktorin ndërkombëtar gjatë tërë historisë për të drejtën tonë, u desht patjetër ta ndërrojmë kajden, t'i kombinojmë këto dy lloj veprimesh: angazhim për sensibilizim të faktorit ndërkombëtar me rrezistencë paqësore dhe masovizim të rrezistencës me armë, kuptohet, i shoqëruar edhe me fleksibiltet politik dhe diplomaci më të hollë, për ta shtrirë për dhe politikën hegjemoniste serbosllave, sëcilës, për fat të mirë, edhe ajo vet, me propagandë dhe me veprime anakronike e gënjeshtare, pa pra po i ndihmon dështimit të vet.
Ç'është e vërteta, me këtë stil filloi të shërbehej edhe faktori ndërkombëtar. Ai më në fund e caktoi njeriun e rryer për arbitrim, Marti Ahtisarin. Ky, pas shumë bisedave që zhvilloi me palët kundërshtare, pa as më të voglin sukses, përpiloi një planpropozim, me të cilin, sado favorizues për serbët dhe hileçar për shqiptarët, prapseprap nuk pranohet nga serbët, ndërsa nga shqiptarët, edhe pse me hile të shumta, pranohet. Dhe kjo ndodhë kështu, sepse pala serbe është mësuar të përfitojë nga propaganda e rrejshme, duke paraqitur kërkesa maksimale, me të cilat, (pse jo) don ta ruaj me çdo kusht primatin e të privilegjuarit për dominim. Ndërsa pala shqiptare e pranoi Planpropozimin e Ahtisarit, sepse në një anë dronte se mos po e iriton faktorin ndërkombëtar e na len në gjysëm të rrugës dhe në anën tjetër, sepse është mësuar të kënaqet edhe me gjysmat e atyre, që na takojnë si të tëra.
Por, për ta realizuar aspiratën shekullore të bashkimit kombëtar dhe për ta gëzuar atë, do të duhej patjetër, që së pari, të fisnikërohej përcaktimi, përkushtimi dhe veprimi i faktorit gjithëshqiptar, në mënyrë që gjatë angazhimeve dhe veprimeve tona, të kemi punë vetëm me pengesat që na i krijon kundërshtari, ose ndërmjetësuesi. E jo të zëmë në thua nëpër pengesat që ia krijojmë vetës. Lidhur me nevojën e fisnikërimit të vetëdijes për bashkimin kombëtar, realiteti i hidhur i gjendjes së çështjes shqiptare, më shtynë t'i referohem thënjës së Pisarevit të ketë thënë: "Nëqoftë se është e mundur higjiena e trupit, është e mundur edhe higjiena e mendjes dhe e karakterit të njeriut". -Citim i Daut Demakut në Feltonin "Fuqia mahnitëse e mendimit pozitiv".
Për rëndësinë e madhe dhe vendimtare që ka bashkimi, Skënderbeu ndër të tjera thotë: "Pa Kosovë e pa Çamëri, mos t'thotë kush se ka Shqipëri", citim nga Fadil Shyti në një artikull të publikuar në TV "ZIK" të Zërit të Kosovës më 23 qërshor 2005. Ndërsa, në një fjalim të mbajtur në Lezhë më 2 mars 1444, Skënderbeu ndër të tjera thotë edhe këtë: "Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Nëqoftëse këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lumë të madh dhe të fuqishëm".
-Nxjerrë nga libri: "Në udhën e shqiptarizmës" i Vangjel Koças, f. 89.
Edhe Ismail Kadare në një intërvistë, dhënë "Zërit" (javor) të 19 marsit 1994, f. 28, ndër të tjera thotë: "Kur të shikojmë se Kina, një vend gjigant e ka mendjen të mos i lëshojë dy milion tibetianë, mendoni se si një vend me një miliard e gjysëm banorë, i ruan me gjelozi dy milion tibetianë. Ose merreni shembullin e Rusisë, me një sipërfaqe aq të madhe sa 1/6 e globit, nuk lejon të lëshojë asnjë pëllëmbë tokë nga kthetrat e saj. Atëherë, duhet kuptuar se sa të drejtë kanë shqiptarët ta ndiejnë vetën të shqetësuar".
Ky realitet i hidhur m'i imponon edhe këto pyetje:
-Ku është parë apo dëgjuar, se me ide e qendrime jetime, lexo (individualiste) që shprehen me tone egoiste e përçarëse, duke krijuar distanca, të arrihet suksesi i përmasës kolektive?
-Sipas çfarë logjike presim të na do dikush tjetër më tepër, se sa që duhet ta duam ne njëri tjetrin?
Në këtë çast, se ç'mu kujtua një mendim i Novalisit, të cilin e kishte cituar i ndjeri profesor Ejup Statovci në një intërvistë dhënë "Zërit" të 2 nëntorit 1992, f.13, të ketë thënë: "Armiku im më tha: Duaje armikun tënd. Unë e dëgjova dhe zura ta dua vetëvetën". Që don të thotë: të mësojmë të dimë, se si duhet dashur vetëvetja. E vetëvetja nuk duhet me sjellje e veprime "dikush thumbit e dikush patkonit", kur dihet mirë kauza e Çështjes shqiptare, padrejtësisht e nëpërkëmbur me shekuj nga të tjerët dhe pakuptimësisht e vetëmohuar.
-Si të thuhet ndryshe, kur me nostalgji të përlotur, flasim për regjimin diktatorial, i cili ka viktimizuar mijëra njerëz të pafajshëm dhe e ka mbajtur në geto një popull të tërë? Në vend që të angazhohemi ta forcojmë identitetin tonë, si shqiptarë të një trungu, të cilin, faktori ndërkombëtar, në shërbim të armiqve tanë, e ka ndarë, përçarë dhe shpërndarë popullin shqiptar nëpër të katër anët e botës, dalin argatë të falur apo të shitur shqipfolës, të ish tipave të Halit Tërnafcit, Sefedin Sulejmanit, Nexhmedin Spahiut e të tjerëve oponentë, që "zbulojnë" kombin e ri kosovar.
"Lum e lum për kombin që ka "shpikësa" të këtillë"!
Me siguri, këta të gjorë "shpi(f)kësa, për ta ushqyer trurin me prapësi, bredhin posht e lart nëpër kontajnerët e Kalemegdanit të Beogradit, duke kërkuar "fakte", të cilat, as Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, nuk mundi më t'ia shes askujt, i hodhi në kontajner.
Ndaj sjelljeve të këtilla degraduese e vetëmohuese, i madhi Fan Nol do të klithte: “O la la, o la la. O rezil, o katil“.
Për ta realizuar synimin e aspiratave shekullore për bashkimin kombëtar, (shprehur me stilin e ndërtimtarit) duhet ditur mirë, se cila është lënda e parë, me të cilën do të ndërtohej godina e shtetit, gjegjësisht e sovranitetit. E lënda e parë dihet prej shekujsh, është vetëdia kombëtare, sovraniteti dhe Liria, që na ka muguar brez pas brezi dhe na ka shoqëruar me luftra e pasoja të rënda deri në ditët tona.
Ato përpjekje dhe sakrifica të shumta, të shoqëruara edhe me dështime, kanë sajuar një bagazh të madh pasojash dhe përvoje, të cilat do të duhej të na sherbenin si busollë për të gjetur rrugën e prosperimit dhe të përparimit. E rrruga e prosperimit dhe e përparimit gjendet në sajimin e kritereve të duhura mbi të çmuarit e vlerave. E kriteret e duhura për të çmuarit e vlerave sajojnë mençurinë. E mençuria sajon përcaktimin e shëndoshë të brumosur me unitet, që do të kontribonte pozitivisht në kualitetin e punës që e kryen njeriu përgjegjës. Kjo aq më parë, kur dihet, se mu për mungesë të kritereve në dallimin e cilësisë së ideve dhe të veprimeve në momente vendimtare të kthesave pozitive gjatë historisë, popullit shqiptar, jo pak herë, për shkak të interesave të ngushta individualiste, i ka munguar syçeltësia, vizioni, përkushtimi dhe kualiteti i duhur në zbatueshmëri. Prandaj, si rezultat i këtyre mangësive, jo pak herë, është krijuar zhgënjimi, tragjizmi dhe dështimi. Andaj, sot, më tepër se kurrë, është i nevojshëm bashkërendimi dhe bashkëveprimi i klasës politike me subjektet e ndryshme institucionale e joinstitucionale, për të krijuar kushte e klimë politike të atillë, që do të mundësonte shndërrimin e ambicjeve negative individuale në ambicje pozitive kolektive, të cilat do të shpienin në zhvillim, përparim, stabilizim dhe mirëqenje njerëzore. Në të kundërtën, nëse edhe më tej vazhdohet me kundërthënje, që s'kanë të bëjnë fare as me demokracinë, as me pluralizmin, as me moralin, as me patriotizmin, por kanë të bëjnë me krijimin e distancave çdoherë e më të mëdha, me krijimin e përçarjeve dhe me rrezikimin e sovranitetit. Kur i them këto fjalë, më reprizohen pamjet e shëmtuara të ofendimeve dhe të rrëmujave në mes parlamentarëve dhe partiakëve në të tri anët e shqiptarisë. Dhe në këso rastesh, fatkeqësisht, nuk kursehet as jeta e njerëzve. Atëherë, ku ta kërkojmë ilaçin riparues, që shpie drejt bashkimit? -Në incidentet dhe fatkeqësitë politike, të cilat bëhen edhe afera propagandistike, apo në përpjekjet për ta fisnikëruar mentalitetin e njeriut në favor të krijimit dhe integrimit të vlerave, që shpiejnë në përparimin e gjithanshëm të vlerave infrastrukturore, që do të ja ndryshonin për të mirë vetëdijen kombëtare shqiptarit.
Pra, bashkimi dhe faktorizimi i kombit shqiptar, jo vetëm që do ta stabilizonte Ballkanin, duke e shuar një vatër krize që ka moshë shekullore, por ky bashkim dhe faktorizim i shqiptarëve do t’ia hiqte Faktorit Ndërkombëtar një barrë, siç është ajo e intërvenimit apo e mbikqyrjes. Njëherit, në këtë kohë, kur synohet bashkimi europian, do t’ishte rast shumë i volitshëm, që faktori ndërkombëtar ta korrigjojë vetëvetën, duke i zgjidhur problemet në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Kjo, sepse, historia ka dëshmuar, se mu për shkakun se nuk janë zgjidhur problemet në mënyrë të plotë, ato janë përsëritur. E e ardhmja do të dëshmojë, se edhe Pakoja e Ahtisarit, jo që nuk i jep zgjidhje të plotë Çështjes së Kosovës, e aq më pak Çështjes shqiptare, por, me atë Planpropozim e komplikon edhe më tepër zgjidhjen e çështjes shqiptare. Si të thuhet ndryshe, kur në një paragraf të atij Planpropozimi shkruan, që Kosova të mos bashkohet me asnjë shtet tjetër, (duke aluduar për me Shqipërinë). Që don të thotë, duke mbetur Kosova e ndarë nga Shqipëria, Serbia do ta ketë më lehtë ta përsëris agresivitetin mbi Kosovën. Prandaj, sot më tepër se kurrë, populli shqiptar ka nevojë për syçeltësi dhe për UNITET, në mënyrë që të mos i përsëriten pasojat. Përndryshe, edhe populli e thotë :
« Njëherë vjen vera kah dera » .
« Gjarpni me dy krena ashtë djegë në zjarrë ».
Prandaj, edhe ne, që të mos digjemi, lë të piqemi ! ***
Hamzë Gashi
Francë
Krijoni Kontakt