Keqpërdorimi i historisë
Shkruan: Xhavit Haliti
Para disa ditësh u përkujtua 133-vjetori i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Aktivistët e “Vetëvendosjes”, u përkujdesën që gjithë veprimtaritë, në përkujtim të 10 qershorit 1878-të, të zhvilloheshin në një sfond kuqezi. Flamujt e kuq, me shkabën e zezë dykrerëshe, valëviteshin në të gjitha pikat e dukshme të qytetit. Të ftuarit në 133-vjetorin e Lidhjes ishin bashkëkombës nga mbarë trevat etnike shqiptare.
Në veprimtaritë e organizuara në Prizren më 10 qershor, kishin ardhur nga Republika e Shqipërisë, e Maqedonisë, e Malit të Zi dhe, natyrshëm, nga pritësit, qytetarët përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës (të shtetit të dytë shqiptar në Evropë).
Folësit në këto veprimtari i mëshuan tingëllueshëm faktit se idetë e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, edhe pas 133-vjetorit, janë sot aktuale (në rrafshin moral, etnik, kombëtar dhe politik).
E përshëndes këtë veprimtari! Nuk mund të mos përgëzoj organizatorët e ceremonisë festive; “Vetëvendosjen” dhe “Aleancën Kuq e Zi” për kontributin e tyre në përkujtim të kësaj ngjarjeje të madhe historike të kombit shqiptar. Por, njëherësh me vlerësimin pozitiv personal për organizimin dhe organizatorët e festimeve, ndihem i detyruar të shfaq publikisht edhe rezervat e mia rreth mesazheve, që u përcollën gjatë tyre deri në orët e para të mëngjesit të datës 11 qershor.
AK-ja, e përfaqësuar denjësisht nga kryetari i vet, përcolli përmes tij, kërkesën për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të kombit shqiptar. Z. Spahiu, që nuk mund të mos mbahet mend nga pjesëmarrësit në festime, kritikoi publikisht mungesën e një platforme për çështjen kombëtare nga indiferenca e politikës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi,që sipas tij, duhet të jetë bashkim kombëtar.
Kritikohen për mungesën e kësaj platforme politikanët shqiptarë, prezentë dhe veprues në katër shtete të Ballkanit, duke e vënë theksin te mungesa e politikanëve të mazhorancës së Kosovës në këto festime, si tregues domethënës për të provuar që politikanët partiake dhe shtetërore të shqiptarëve i “kundërvihen” kësaj platforme.
Sipas fjalëve të z.Spahiu, në argumentim të kësaj kërkese, të vënë në thonjëza nga shtypi, “E njëjta gjuhë, të njëjtat zakone, të njëjtat doke, por jo i njëjti flamur, jo i njëjti himn dhe jo e njëjta kushtetutë”. “Në bazë të parimit universal të vetëvendosjes, ka ardhur koha që shqiptarët të realizojnë të drejtën e tyre universale për bashkim”.
E kam ndjekur me vëmendje dhe me simpati krijimin dhe veprimtarinë në vazhdimësi të AK-së në Republikën e Shqipërisë, për kundërshtimin dhe praktikat e regjistrimit të pritshëm të popullsisë në Shqipëri, që të përfshijnë edhe përkatësinë personale etnike dhe fetare, të individit, por nuk arrij të kuptoj dhe s’mund të pajtohem me pozicionimin veprues dhe deklarues të kryetarit të Aleancës në referencë të “aktualitetit” të 133-vjetëve më parë për kombin shqiptar.
Kurrsesi nuk do ta bëja shkrimin nëse:
- Nuk do të ishin prezente kërkesa koherente dhe insistuese e aleatëve tanë të fuqishëm ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për paprekshmërinë e kufijve aktualë të Republikës së pavarur të Kosovës dhe vendosmëria politike, shtetërore e ligjore e shtetit të Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial të shtetit tonë.
- Këtë kërkesë do ta dëgjoja vetëm nga z.Spahiu (dhe, ca më pak sikur ai të mos të ishte edhe nënkryetar i KLD-së) dhe jo edhe nga politologë “shqiptarofilë” ose isha të politikës shqiptare në Republikën e Shqipërisë.
- Nuk e harroj kontributin e Shqipërisë për arritjen e statusit aktual të Kosovës, por, nuk mund ta mirëkuptoj shqetësimin dhe angazhimin e z.K.Danaj, që e kam njohur kur u largua nga Shqipëria dhe erdhi në Zvicër, për të evituar përndjekjen shtetërore në Shqipëri pas vitit 1993, që po shfaqej në mënyrë demonstrative se e do më shumë bashkimin politik të shqiptarëve sesa unë.
- Siç nuk mund të harroj deklarimin e ish-presidentit të R.SH-së, z.Moisiu, që e kam takuar dhe e respektoj shumë, që, nën shoqërimin e z.Demaçi, gjatë një ceremonie para disa muajsh, nën ndikimin emocional nacionalist të ceremonisë, e krahasoi Kosovën me Mirditën.
Kërkesa bëhet kur Qeveria e Kosovës është pozicionuar patundshëm në llogoren e pandryshueshmërisë së kufijve. Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Westervelle, deklaron në Bundestag se çështja e kufijve të Kosovës është e mbyllur. Kur kreu i Institutit Amerikan për Paqen, Daniel Sever, në një intervistë, do t’i referohej historisë duke thënë: “Historia e ndarjeve të tilla etno-territoriale është histori luftërash”.
Le ta lëmë politikën të përfitojë nga interesat e grupimeve, e lobimeve zgjedhore, e krahinarizmit, e politikës por së fundi t’i bindemi arsyes.
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës)
Krijoni Kontakt