Flamuri 125-vjeçar, në derë të bajraktarëve
Flamuri me shqiponjën dykrenare dhe diellin në mes qëndron në ballë të shtëpisë së Ndue Bajrakatarit. Është pikërisht ai flamur që më 10 qershor të vitit 1878, përfaqësuesi i Kashnjetit, Dedë Kolë Bajraktari, në emër të 900 shtëpive të bajrakut të Dibrit dhe të 1000 luftëtarëve e ka shpalosur përpara delegatëve të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Mbi këtë flamur është bërë betimi për çlirimin e trojeve shqiptare. Nën këtë flamur kanë luftuar burrat e zonës për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit dhe Ulqinit në vitin 1880. Është po i njëjti flamur që është ngritur në qytetitn e Lezhës në ditën e pavarisë kombëtare, më 28 nëntor të vitit 1912. Në të duken qartë njollat e gjakut dhe gjurmat e plumbave dhe Nduje Bajrakatari thotë se ai nuk ka rënë kurrë në dorën e armikut. Sipas tij, ky flamur, që në kokë të shqiponjës dy krenare ka një diell, është ruajtur brez pas brezi nga familja e tij, madje kjo është bërë edhe gjatë regjimit komunist. Nëna e Ndues për vitete të tëra këtë flamur e ka ruajtuar në jorganin që kurrë nuk e ka hedhur për t’u mbuluar. “Në vitin 1957 ne na internuan dhe na dogjën shtëpinë. Nëna, Mara i lutet një oficeri që të futet në shtëpi për të marra rroba për fëmijën, ndërkohë që në gji merr vetëm këtë flamur. Në internim e ka futur mes palëve të jorganit deri në vitin 1990 ku ne mundëm ta shpalosnim sërish të lirë”, -thotë Nduje Bajraktari. Flamuri është i përmasave 90x75 cm me pëlhurë pambuku e punuar në tezgjah artizanal. Përveç kurorës së argjendtë diellore, mbi kokat e shqiponjës në flamur dallohen dhe dy kurora mbretërore, identike me ato të flamurit të Kastriotëve dhe të stemës heraldike të Lekë Dukagjinit. Simbolet heraldike të këtij flamuri duke qënë të ngjashme dhe autentike me atë të flamurit kombëtar të Skëndërbeut dëshmojnë sipas studiuesve se flamuri i Bajraktarëve mund të jetë trashëguar që nga kjo epokë. Ndërkohë që në ditët e sotme ky flamur është shfaqur për herë të parë më 28 nëntor të vitit 1999, ku lideri i opozitës në atë kohë, Sali Berisha, në një miting me rastin e shpalljes së Pavarësisë shpalosi këtu përpallë simpatizantëve të kësaj force politike flamurin 125- vjeçar të Bajraktarëve.
L.Cela
Krijoni Kontakt