Kryebashkiaku i Lezhës, Gjokë Jaku, pohon se autorit i dridheshin duart, kur i vuri pistoletën në kokë në hyrje të pallatit
Jaku: Çastet me pistoletë te koka
Lindita Çela
TIRANË- “Të ruajti Zoti. Ke lindur për së dyti”. Është ky urimi që i bëjnë vizitorë të shumtë kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Gjok Jaku. Të afërm të tij, po edhe të njohur, gjatë ditës së djeshme kanë qendruar me orë të tëra në hyrje të sallës së kirurgjisë së spitalit Ushtarak, në pritje për ta takuar. Për shumicën prej tyre, ka qenë fat që kryebashkiaku është gjallë pas atentatit në hyrje të shtëpisë. Pas 7 orësh ndërhyrje kirurgjikale, mjekët më në fund thonë se Gjok Jaku është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që vetëm pas mesditës, kryetari i bashkisë ka qenë në gjendje të tregojë ngjarjen, së cilës i ka mbijetuar falë një mrekullie. Këmbët, aty ku edhe ka marrë plumbat pothuajse nuk i lëviz, ndërkohë që herë pas herë detyrohet të ndërpresë rrëfimin për shkak të vizitave të shumta. Ka arritur ta shohë atentatorin që ka qëlluar mbi të, megjithëse e ka patur të pamundur t’u shmangej krejtësisht plumbave.
Z. Jaku, a mund të na tregoni sesi ndodhi plagosja juaj, mesnatën e së enjtes?
Po kthehesha në shtëpi dhe ishte mesi i natës. Me thënë të drejtën, as që ma merrte mendja që do të më ndodhte një gjë e tillë dhe për fat të keq, në apartamentin ku unë jetoj, nga kati i parë deri në të tretin nuk ka energji elektrike nëpër shkallë, kështu që pamja ishte pak e zbehtë. Po ecja i shpenguar, pa menduar që më kishin zënë pritë. Kur afrohem në hyrje të pallatit, një person më vë armën në kokë, gati për të më qëlluar.
Ju e njohët këtë person?
Si fytyrë po. Se kush ishte me saktësi, nuk e kuptova për momentin.
Përpara se të vendoste pistoletën në kokën tuaj, a pati ndonjë konflikt apo shkëmbim fjalësh mes jush?
Jo. Menjëherë sapo më vuri re që po futesha në hyrje të pallatit, më vuri pistoletën në kokë dhe më thoshte vazhdimisht që do më vriste. Unë pashë që po i dridheshin duart dhe e sulmova për t’u vetëmbrojtur. Në atë moment, pistoleta ra përtokë. Zgjas këmbën për ta shtyrë, e për fatin tim të keq ai e kapi para meje dhe filloi të më qëllonte. Këtë moment nuk e mbaj mend se çfarë ndodhi me saktësi, sepse humba ndjenjat dhe jam përmendur këtu.
Ju thatë që e njohët për fytyrë personin që ju qëlloi me pistoletë. A kishit ndonjë konflikt të mëparshëm me të?
Të them të drejtën, konflikt personal jo. Por familja e tij ka një ndërtim pa leje në varrezat e qytetit dhe një tjetër përballë bashkisë. Unë nuk kam miratuar lejet e ndërtimeve për këto dy objekte. Madje, para ca ditësh, babai i tij, Ndue Bajraktari, më kishte kërcënuar edhe në telefon. Ata kanë zënë një sipërfaqe shumë të madhe tek varrezat. Thonë se e kanë për të gjithë familjen, por nuk e di përse e duan. Aty kanë ndërtuar një varr shumë të madh, që është ndërtim i paligjshëm. Ky ka qenë konflikti që unë kam pasur me ta, për shkak të detyrës time si kryetar i Bashkisë së Lezhës.
Zoti Jaku, a keni bërë ju denoncim në polici, për telefonatën kërcënuese që ju ka bërë babai i personit që qëlloi në drejtimin tuaj, duke u rrezikuar jetën?
Jo, nuk e kisha denoncuar. Duke ndjekur zakonet tona, kisha vënë njerëz që të na njihnin të dy palët që ky konflikt të mos shkonte deri këtu. Me thënë të drejtën, as mua nuk më shkonte mendja se ai do të guxonte të më vriste, vetëm për këtë vendim që unë kam marrë.
A ka pasur konflikte të tjera mes jush dhe personit që u zuri pritë në hyrje të pallatit tuaj?
Absolutisht jo. I vetmi komunikim ka qenë me Nduen, të atin e personit që më qëlloi dhe ky ka qenë me telefon. Ndërsa këtë djalin, fillimisht edhe nga pamja nuk e njoha, sepse sapo ishte kthyer nga Italia. Jo vetëm me këtë familje, po me askënd tjetër nuk kam probleme të tjera, ndaj në qytet eci serbes. U thashë që as më shkonte mendja se do të tentonin të më vrisnin, për një vendim të drejtë që unë kam marrë.
PLAGOSJA
E shoqja: S’më besohej që plumbat godisnin tim shoq
TIRANË- Marie Jaku i ka qendruar të shoqit mbi krye, gjatë gjithë ditës së djeshme. Sytë e enjtur dhe pamja e lodhur të lënë të kuptosh që për Marien, mesnata e së enjtes është ndër më të tmerrshmet e jetës së saj. Ka qenë ndër personat e parë që ka parë të shoqin të mbuluar në gjak, e më pas ka qendruar gjatë gjithë natës pas derës së urgjencës, me zemër të ngrirë për fatin e bashkëshortit. E vetëm atëherë kur mjekët kanë thënë se Gjokë Jaku është jashtë rrezikut për jetën, gruaja rreth të 35-ave ka marrë frymë lirisht. Maria thotë se në momentin kur është qëlluar i shoqi, ndodhej në shtëpi. “Prisnim të kthehej nga Shkodra, kur dëgjojmë në hyrje të pallatit të shtëna. Kurrë nuk më besohej se ato plumba po godisnin tim shoq”,-rrëfen për “Shekullin” Maria. Të shtënat e armëve duket se nuk kanë tronditur vetëm anëtarët e familjes së kryetarit të Bashkisë së Lezhës. Pothuajse i tërë pallati është alarmuar në mes të natës. Maria tregon se më pas ka dalë në shkallë dhe aty ka parë të shoqin, të mbytur në gjak. Tmerrin që ka përjetuar, Maria nuk është në gjendje ta shpjegojë, por thotë se menjëherë ka kërkuar që Gjoka të dërgohet në spitalin e qytetit të Lezhës dhe më pas është transferuar në Tiranë, ku është kryer operacioni i vështrirë.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Gjokë Jaku dje në Spitalin Ushtarak
Krijoni Kontakt