Reagimi i Ilir Kullës pas vendimit: Po më sulmojnë ata që sulmuan Salih Tivarin
Jep dorëheqjen kreu i kulteve
“Brenda Komunitetit Mysliman veprojnë qarqe të errëta”
Trashgim Sokolaj
Kryetari i Komitetit të Kulteve, Ilir Kulla, dha mbrëmë dorëheqjen nga funksioni një ditë pasi Myftinia e Elbasanit ka lëshuar kërcënime dhe akuza në drejtim të tij.
Vetëm pak kohë pasi kishte shpallur vendimin, Kulla u shpreh se dorëheqja e tij vjen si pasojë e akuzave dhe presioneve që Myftinia e Elbasanit ka bërë ndaj tij. “Myftiu i Elbasanit ka bërë shantazh ndaj meje. Po më sulmojnë qarqe që sulmuan edhe Salih Tivarin, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Mysliman”, është shprehur Kulla. Sipas tij, problemet në Komitetin Mysliman janë majisur keq dhe kanë filluar vite më parë. Në sqarimin e tij rreth dorëheqjes, Kulla përmendi skandalin e pajisjes me shtetësi shqiptare të një anëtari të Al Kaedës. “Shtetasit e huaj janë makinacione në Komitetin Mysliman”, tha ish-kreu i Komitetit të Kulteve.
Shantazhet
“Unë mund të pranoj vullnetin politik, por jo shantazhet. Brenda Komitetit Mysliman veprojnë qarqe të errëta të cilat duhet ta ndjejnë veten përgjegjës për ngjarjet që kanë ndodhur brenda Komitetit Mysliman në të shkuarën e afërt”, kështu u shpreh ish-kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Kulla. Ai tha se nuk mund të pranonte shantazhet ndaj kishte vendosur të jepte dorëheqjen nga detyra e kreut te Komitetit Shtetëror të Kulteve. Tre ditë më parë, Kulla ka qenë në qendër të një konference për shtyp të mbajtur nga drejtuesit e Myftinisë së Elbasanit. “Në rast se Ilir Kulla nuk do të përgjigjet përpara ligjeve të shtetit shqiptar, ai do të përgjigjet përpara ligjeve të Kuranit”, janë shprehur drejtuesit e Myftinisë së Elbasanit. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e Kullës nga posti i drejtuesit te Komitetit te Kulteve.
Konfliktet
Kërkesa e Myftinisë së Elbasanit për dorëheqjen e Ilir Kullës, erdhi si pasojë e qëndrimit publik që ai mbajti duke e cilësuar nënkryetarin e dorëhequr të Komitetit Mysliman, Bledar Myftari, po aq të implikuar në korrupsion, sa edhe personat të cilët ai akuzon. Pas largimit nga detyra e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman, Bledar Myftari ka akuzuar drejtuesit e institucionit për abuzime me detyrën ndërsa komunitetin e ka cilësuar si një “çerdhe intrigash”. Vitet e fundit, Komuniteti më i madh fetar në vend, ka pasur përplasje tw forta brenda tij. Si rezultat i tyre u shkarkua nga detyra sekretari i Përgjithshëm, Zylyftar Dervishi, i cili rezultoi se nuk kishte arsimin e duhur për të mbajtur postin. Ndërkaq, me anë të disa trakteve të shpërndara në xhamitë e kryeqytetit, kryetari i KMSH-së, Selim Muça, është akuzuar pak muaj më parë për pjesëmarrje në fushatën elektorale.
Krijoni Kontakt