Shteti mbyll një shkollë islamike në Milano. Prindërit e fëmijëve hidhen në protesta. Gjendja acarohet pas aksidentit të një nxënësi
Itali, myslimanët protestojnë për shkolla
Shekulli
MILANO - Ka gati një muaj që në Itali vlon debati për një shkollë të paligjshme islamike, por kjo çështje u ndez edhe më shumë dje kur një nxënës islamik gjeti vdekjen nga një aksident në rrugën për në shkollë. Shkolla në fjalë që ndodhet në Milano, është mbyllur në fillim të këtij muaji nga autoritetet e qytetit, duke thënë se ndërtesa nuk është e sigurt. Por banorët myslimanë lokalë e kanë konsideruar si një akt diskriminimi dhe kanë vazhduar në shenjë proteste të marrin mësime në mjedisin përpara shkollës.
Kjo gjendje ka vazhduar kështu, ndërkohë që prindërit e fëmijëve janë ngritur kundër zyrtarëve të edukimit që shkolla të rihapet. Por pikërisht dje një prej nxënësve, një djalë që quhej Samir, po vraponte kur u përplas nga një makinë rrugës për në shkollë. Ai vdiq nga plagët e marra. “Kjo nuk do të ndodhte nëse shkolla do të ishte ende e hapur”, - ka thënë për Rojterin një vajzë 13-vjeçare me shami në kokë. “Autobusi ndalonte atëherë përballë shkollës, dhe nuk kishte asnjë rrezik”.
Gra të mbuluara dhe një tufë burrash u mblodhën dje bashkë me fëmijët e tyre përpara shkollës për t’i dhënë edhe lamtumirën e fundit djalit të vdekur një ditë më parë. Madje fëmijët shkruan në fasadën e shkollës: “Samiri është me Allahun”. Shkolla ndante të njëjtën ndërtesë me një xhami dhe më parë ka qenë një zonë ku mbidheshin militantët apo të dyshuarit për terrorizëm. Shumë prindër besojnë se kjo është arsyeja kryesore që autoritetet vendosën që ta mbyllnin këtë shkollë pas gjashtë vitesh funksionimi. “Kjo ka krijuar një urrejtje dhe kjo nuk është ajo që ne donim”, - tha për Rojterin drejtori i shkollës, Ali Sharif. Prindërit dhe mësuesit duan që autoritetet e Milanos t’i ndihmojnë që të ngrenë një shkollë të re, të ligjshme, ku fëmijët të mësojnë edhe kuranin edhe leksionet arabe bashkë me lëndët e tjera që zhvillohen në shkollat e tjera sipas kurikulës italiane.
Autoritetet e arsimit në Milano u përpoqën që t’i fusnin fëmijët myslimanë në shkollat shtetëtore italiane dhe kanë thënë se deri tani për 250 nga 350 fëmijë islamikë janë gjetur klasat e tyre të reja, ndërkohë që 100 të tjerë do të mbahen ende në pritje deri në një zgjidhje alternative. Një zëdhënës i qeverisjes vendore në Milano tha se autoritetet kanë dëshirë të gjejnë kompromis në këtë çështje. Por ministri i Brendshëm, Giuseppe Pisanu, mbajti një qëndrim të ashpër, duke u thënë gazetarëve se shkolla islamike ishte e paligjshme dhe se nuk ka më vend për negociata në këtë çështje. Myslimanët lokalë kanë frikë se fëmijët e tyre do të humbin identitetin nëse do të ndjekin shkollat normale italiane. “Kur unë të kthehem në Egjipt për pushime, dua të jem e aftë të flas gjuhën time”, - thotë Jasmin, që nuk pranon të sistemohet në një shkollë shtetërore italiane. “Tani për tani, unë thjesht po rri në shtëpi”.
Krijoni Kontakt