Olsi Avdiaj
Ditët e fundit ka nisur një debat mediatik mes dy ish-kapitenëve kuqezinj, Rudi Vata dhe Foto Strakosha, me akuza dhe kundërakuza për njëri-tjetrin. I pari që e ka hapur "luftën" mediatike ka qenë Rudi Vata, i cili në një deklarim për "Tifozat.com", mes të tjerash ka akuzuar Foto Strakoshën për tentativë shitjeje të ndeshjes së para disa viteve mes Uellsit dhe Shqipërisë, gjë të cilën ai e ka refuzuar dhe prej asaj kohe nuk flasin më.
Ndër të tjera, Rudi Vata shprehej: "Do t'i thosha Strakoshës që marrëdhëniet tona janë ftohur njëherë e mirë ndoshta 10 vjet më parë, kur oferta që më bëre para ndeshjes me Uellsin, për ta shitur ndeshjen, u refuzua nga ana ime dhe respekti për ty ka marrë fund që atë ditë. Pastaj ke bëre mirë që ke folur vetëm greqisht në kombëtare, se unë nuk kam kuptuar gjë." Ndërkohë, i njohur përmes shtypit me këto fjalë të Rudi Vatës, dje ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, të shpërndarë nga FSHF-ja, Foto Strakosha, ku hidhte poshtë gjithçka të thënë në adresë të tij. "Me keqardhje të madhe, por edhe me indinjatë të thellë kam ndjekur nëpërmjet faqeve të disa gazetave të ditëve të fundit në Shqipëri akuza dhe shpifje pa kurrëfarë morali nga ish-futbollisti i kombëtares Rudi Vata.
Kur i lexova në fillim nuk më erdhi mirë që të njollosej figura e kombëtares shqiptare dhe për këtë arsye u prononcova duke i quajtur të pabaza pretendimet dhe akuzat e ngritura nga po ky njeri. Menjëherë pas kësaj, Rudi Vata ka personalizuar "luftën" e tij kundër Foto Strakoshës. Ai gjoja nuk ka pranuar pazarin që unë i paskam ofruar për të shitur ndeshjen me Uellsin (ju kujtoj, zhvilluar 10 vjet më parë). E përbuz me neveri njeriun e ulët dhe pa moral Rudi Vata për gjithë këtë skenar të ndyrë shpifjesh e akuzash ndaj kombëtares tonë dhe veçanërisht ndaj meje. Ndaj, jam i detyruar të sqaroj çdo shqiptar se qënien time në kombëtaren shqiptare e kam vlerësuar si gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë të jetës sime.
E mbajta dhe e dorëzova me nder bluzën kuqezi, por jo shpirtin, të cilin ia kam falë asaj. I kërkoj FSHF-së që të hapë urgjentisht proces hetimi në bashkëpunim me prokurorinë, për t'i kthyer kombëtares dhe personalisht mua dinjitetin e cunguar. Nuk dua të komentoj më për ish-njeriun Rudi Vata, që kërkon të "ngjallet me fytyren e djallit, sipas motos: shpif, shpif, se diçka do të mbetet," - shkruante Strakosha në deklaratën për shtyp të ditës së djeshme.
Menjëherë pas këtij qëndrimi të ish-portierit kuqezi, Rudi Vata, i ka përforcuar deklarimet e tij, duke shtuar se Strakosha i ka afruar atij 50 mijë marka në këmbim të shitjes së ndeshjes me Uellsin. I pyetur se a ka fakte për këtë, Rudi Vata ka shtuar: "Këtë e dinë të gjithë futbollistët e kombëtares që kanë qenë të grumbulluar për atë ndeshje. Nëse janë burra, ata duhet ta thonë këtë të vërtetë, sikurse e kam thënë unë."
Krijoni Kontakt