VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Qeverisë së Maqedonisë dhe zgjedhje të parakohshme
Opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO-DPMNE, përmes një mitingu të mbajtur mbrëmë ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Maqedonisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Investime, arsimim dhe vende të punës janë gjërat kryesore që i nevojiten Maqedonisë dhe që do t'i qetësojë problemet etnike dhe politike, theksoi në mitingun e mbrëmshëm, lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Duke folur në tubim, të cilin Opozita e bashkuar e organizoi në shenjë proteste ndaj politikës qeveritare, Gruevski i bëri thirrje kryeministrit Vllado Buçkovski dhe kabinetit të tij të ikin sepse, sipas tij, Maqedoninë e kanë sjellur në fundin e varfërisë.
"Na kanë gënjyer se do të sjellin investitorë të mëdhenj. Ku janë tani ato banka të mëdha dhe kompani shumëkombëshe. Madje edhe Kosova na ka zbatuar viza, ndërsa para disa ditëve edhe NATO na tha se nuk jemi të gatshëm për pranim deri në vitin 2008", theksoi Gruevski. Ai tha se reformat nuk janë të rëndësishme për BE-në dhe NATO-n por për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë.
Lideri i VMRO-DPMNE-së premtoi se me ardhjen në pushtet të Opozitës së bashkuar, Maqedonia do të jetë vend me pengesa më të vogla për biznes dhe shtet në të cilin do të investohet në arsimim.
Në mitingun e mbrëmshëm folën edhe liderët e Partisë Socialiste, Lubisav Ivanov-Xingo, të Partisë Liberale, Stojan Andov dhe të Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.
Para qytetarëve të tubuar folën edhe liderët e partive më të vogla: Alija Shahiq nga Bartia Demokratike e Boshnjakëve, Sërgjan Shishkovski nga Partia e Gjelbër, Avdia Pepiq nga Liga për Aksion Demokratik, Dragisha Miletiq nga Partia për Unitet Krishter të Serbëve dhe të Maqedonasve, Janko Baçev nga Lëvizja Popullore për Maqedoninë, Bajram Berat nga Forumi për Integrimin e Romëve, Nelko Nelkovski nga Partia Evropiane e Maqedonisë dhe Mitko Kosotvo nga Partia e Vllehëve.
Mitingu i mbrëmëshëm i opozitës kaloi pa incidente
Krijoni Kontakt