Lëvizja e Progresit Demokratik
Rr e Kosovës, nr.54
17520 Bujanoc
Data: 17.09.2005
Beogradi dhe Prishtina mund të bisedojnë për Luginën e Preshevës, por jo edhe të vendosin për fatin e saj
Dialogu si proces është forma më e mirë dhe më demokratike për zgjidhjen e problemeve, ndaj Lëvizja e Progresit Demokratik, përshëndet fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, qofshin edhe ashtu si quhen “formale”. Me rëndësi është të ulesh në tryezën e dialogimit, rrugë të cilën e mbështesin ndërkombëtarët dhe metoda më prosperuese për t’i dhënë fund konflikteve, mospajtimeve politike, duke filluar, madje nga ata më praktike, për të cilat kanë nevojë qytetarët çdo ditë.
LPD dhe partitë e tjera simotra në Luginën e Preshevës, pas përfundimit të proceseve luftarake në këtë rajon, i kanë favorizuar proceset politike për zgjidhjen e problemeve të hapura, por shpesh kanë rënë viktimë e reflektimit të raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Prishtina nuk e sheh të nevojshme sot e as që e ka parë të udhës dje që në proceset dialoguese të kyçen shqiptarët e Luginës, për kinse “dëmtimin” e proceseve negociuese me Beogradin, nga i cili akuzohen se po inkurajonë kërkesat “seperatiste” të bashkëkombësve të tyre për “ndryshim të kufirit!” Ndërsa qëndrimet e Beogradit janë të qarta. Ajo që kërkohet për serbët në Kosovë, kategorikisht mohohet për shqiptarët në Luginë, të cilët qe 15 vjet marrin pjesë aktive në jetën politike dhe ekonomike në Serbi e që akoma nuk e kanë të zgjidhur çështjen e simboleve, dygjuhësisë, shkollimit e mos të flasim për decentralizimin.
Pra, që 15 vjetë në mënyrë institucionale shqiptarët e Luginës, dialogojnë me Beogradin, qoftë edhe me metodat e tjera “jashtëinstitucionale” si Referendumi dhe lufta e armatosur e problemet ngelin te pragu, pa lëvizur as një hap drejt zgjidhjes së drejtë dhe të qëndrueshme. Kërkesat e shqiptarëve, nuk kalojnë limitin e të drejtave të parapara me Kushtetutën e Serbisë për pakicat, por mjerisht edhe këto të drejta shkilen dhe nuk përmbushen sipas standardeve ndërkombëtare.
Duke i pasur të gjitha këto parasysh, LPD, kërkon nga faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, të jenë të kujdesshëm sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilët mund të bisedojnë për problemet e etnive këndej dhe andej kufirit administrativ me Kosovën, por jo edhe të vendosin për fatin politik të Luginës së Preshevës, pa praninë e saj në këto procese.
NGA KRYESIA E LPD-së
Jonuz Musliu - kryetar
Krijoni Kontakt