Në Luginën e Preshevës, formohen mini-stacionet policore

"Komisioni për siguri në nivel komunal, ku janë përfshirë përfaqësuesit e gjitha partive politike do ta mbikëqyr punën e policisë lokale “, thotë Nagip Arifi, prefekt i Bujanocit...


Vendimi për formimin e të ashtuquajturave mini-stacione policore në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, nga Ministria Serbe e Punëve të Brendshme ka hasur në reagime të ndara tek popullata e këtushme si dhe tek subjektet politike. Përderisa pjesa dërmuese e banorëve konsiderojnë se kjo paraqet një masë shtesë për sigurinë e tyre, ka edhe të tillë që janë të mendimit se formimi i tyre mund të shtojë ndjenjën e frikës, duke iu referuar përvojës së hidhur me policinë gjatë sundimit të regjimit të Millosheviqit. Krijimi i stacioneve të reja policore sipas subjekteve politike shqiptare nga ana tjetër, është bërë me pajtimin e tyre dhe të OSBE-në dhe se në to do të vendosen vetëm pjesëtarët e policisë shumë etnike. Prefekti i Preshevës, Riza Halimi, krijimin e mini-stacioneve e konsideron si një hap pozitiv, duke shpresuar se në të ardhmen qytetarët aty mund të pajisen edhe me dokumente. “ Ky është një projekt i cili realizohet në bashkëpunim edhe me OSBE-në dhe shpresojmë se përveç çështjeve të sigurisë do të bëhet e mundur edhe pajisja me dokumente për banorët “, thotë Halimi. Prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi, sqaron se mbykëqyrjen e tyre do ta bëjë edhe një komision i formuar në nivelin lokal, në të cilin janë përfshirë të gjitha strukturat politike. “Ne kemi formuar një komision ku janë përfshirë përfaqësuesit e gjitha partive politike dhe mendojmë se ata mjaftë mirë do ta mbikëqyrin punën e policisë “, thotë Arifi. Ai ka shtuar se e kupton brengën e disa qytetarëve për frikë, pasi që ata kanë pasur shumë përvojë të keqe me ish-policinë e regjimit të mëparshëm. Naser Aziri, nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, ish Udhëheqës i grupit për Formimin e Policisë Multietnike, sqaron se “përmes stacioneve të tilla mund të lehtësohen kërkesat e qytetarëve, ër sa i përket nevojave të përditshme. Sipas tij, pala shqiptare ka kohë që në fillim ka insistuar që të hiqen një numër i madh i të ashtuquajturve “kontejnerë policorë” nëpër vendbanimet dhe të formohen stacione krahas standardeve ndërkombëtare. I të njëjtit mendim është edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skender Desatni i cili është optimist për një stabilitet në gjendjen e sigurisë me kyçjen në një numër më të madh të shqiptarëve në këto mini-stacione policore. Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Lokale në fshatin Tërnoc, Galip Beqiri, venbanim ky ku është formuar stacioni i ri policor, thekson se qytetarët nuk kanë arsye për brengosje, ngase do të jenë vetë bijtë e tyre që do të kujdesen për nivelin e sigurisë. “Qytetarët kanë qenë ata, të cilët kanë kërkuar të formohet ndonjë stacion i tillë, për shkak se kohëve të fundit janë paraqitur shumë dukuri negative. E kuptoj edhe frikën e disave, por për një gjë të tillë nuk ka vend, ngase do të jenë vetë bijtë e tyre që do të kujdesen për sigurinë “, ka thënë Beqiri. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka marrë vendim që të formohen gjithsejtë 11 mini-stacione policore, 6 në komunën e Preshevës dhe 5 në atë të Bujanocit. Sipas informacioneve në shumicën e mini-stacioneve policore do të komandojnë eprorët shqiptarë në kuadër të policisë multietnike, forcë kjo e krijuar në vitin 2001.