NË VEND TË PETICIONIT
PËRSE “DËNOHET” KADAREJA!?…
(SA MIRË QË ISMAIL KADAREJA ASHT SHQYPTAR)
Ka vite që flitet dhe thuhet se Ismail Kadare nuk po i jepet çmimi Nobel, sepse nuk e ka biografinë e pastër…Gjykim shkretan komunist, dashakeqës, antishqiptar. Kadare endé nuk i mban në gjoksin e vet Çmimet Nobel atë të Letërsisë dhe të Paqes, sepse ay e don kombit shqiptar më shumë sesa i vyen dhe sesa e dëshiron Europa Plakë.
Lexuesi nuk duhet të tronditet nga titulli. Ismail Kadare, gjeniu shqiptar i mijëvjeçarit të trazuar, po vuan dënimin e pamerituar nga Europa arrogante dhe menefregiste nga komisione dhe klane, struktura dhe segmentë antishqiptarë, që tek gjeniun ynë shohin cakun e mjerimit të tyre moral.
Ambasadori më luksoz dhe përfaqsuesi më dinjitoz i forcës dhe energjisë intelektuali mbarëshqiptare në botë ka qenë dhe mbetet Ismail Kadare. Ky është fakt vajtues për antishqiptarët, është kërcënim që lë pa gjumë shpërfillësit e mendimit paqtues dhe madhor kadarejan, ky kolos i kombit është sulmuar sistematikisht nga krrokamat e korbave antishqiptarë që mezi presin t’i nxjerrin sytë të Madhit Ismail. Janë përpjekur t’a përbaltin në diktaturë, në katrahurë, në neodiktaturë dhe në kulisat ku gatuhet gjella antishqiptare. Por jo! Ismaili mbrohet nga elektorati i tij gjigand, nga lexuesi i nderuar shqiptar që e do kombin, që e adhuron emrin e nderuar shqiptar dhe që krenohet me vlerat e shqiptarëve zulmëmëdhenj e aspak zëmërakë.
Shqiptarët kurrë si komb nuk i kanë shpallur luftë popujve shovinistë fqinj këndej dhe andej detit e detrave. Shqiptarët zulmëmëdhenj janë cilësuar Fatosë të Krishtërimit dhe Mbrojtës të Europës (nga fjalimi i mbajtur më 13 prill 1993 nga Papa Gjon Pali i dytë në Sheshin “Skënderbej” Tiranë kur e priti gjithe Shqipëria Hirësinë e Tij).
Shqiptarët qeverisën në vitet e mbrapshta të Luftës së Parë Botnore edhe Libanin e largët me personalitetin e Pashko Vasë Shkodranit në 1914 (anipse Shkodra hante mish kali asokohe).
Shqiptarët dhanë talentin e tyre (shkodrani Karlo Gega) duke hapur tunelet e Europës për të lidhur shtetet “neutralë” midis tyre që nga Semeringu e deri tek Shën Gothardët e Shën Bernardët.
Shqiptarët me 19 tetor 2003 me miratimin e Selisë së Shenjtë i dhanë njerzimit Shenjtërinë e Saj Gonxhe Kol Bojaxhiun – Anjezen e Madhe të mbiquajtur Madre Tereza e Kalkutës, që dikush duke qenë intelektual “interesant” me origjinë arumune me “urdhër” të nuk di se të kujt dhe me lajthitje të pafalshme na e bëri të Bijën e Kolës nga Prizreni dhe të Dranes nga Gjakova – Gonxhe Bojaxhiun me origjinë llaciface nga Çarrshia e Shkupit(!) Nuk ka gja, sepse “Robin Hudi shqiptar” Isa Boletini i Isniqit në krye të 73.000 mijë çlirimtarëve kosovarë aty e lidhi konopin etnik bash në mesin e Urës së Vardarit duke sokëllitur: „Deri këtu asht Shqypni!“
Pa dasht me habitë lexuesin dhe pa ngulkambje, Ismail Kadare asht pinjoll i vlerave intelektuali mbarëkombëtare, asht trashëgimtar i vlerave ma të spikatura të kombit shqiptar që ka nxjerrë emra që zbukurojnë dhe nderojnë historinë e njerzimit si p.sh.:
· i Jan Kukuzelit, i pari në botë që shkroi para 800 viteve në pentagram “Te Deum” për muzikën kishtare bizantine.
· apo i Onufrit të madh që me të kuqen e tij në muralet e vendeve të shenjta la gjurmët e pashlyeshme të një artisti të madh që endé sot e kësaj dite nuk po e arrin askush në botë.
· Ismail Kadare është trashëgimtar i denjë i artit të dy arkitektëve mahnitës të vlerave klasike ndërtimore botnore të realizuara nga Ark. Sinani dhe Ark. Kasemi, skraparlliut që ka projektuar veprat më mahnitëse në Istambulin e tolerancës së pashembullt (aty është Patriarkana Botnore e Orodoksisë dhe çuditërisht Turqia nuk pranohet(!) në Europë…) me qindra objekte që i përkasin vlerave botnore si Xhaminë Blu, të shpallura Monumente Botnore të Kulturës së Njerëzimit.
· Ismail Kadare është pinjoll i vëllezërve Frashërllinj e veçanërisht i Naimit të Madh dhe i Sami Frashërit, këtij kolosit përmetar që është autor i Enciklopedisë së Turqisë dhe së bashku me Prof. Hasan Tahsinin ishin të parët Rektorë të Universitetin dhe Gjithëmësonjtores së perandorisë së paanë Osmane.
· Kadare është dimension i artit botëror siç ka mbetur edhe Aleksander Moissiu i famshëm me origjinë nga Kavaja që tronditi për dhjetra vite me radhë skenat botnore të Teatrit Klasik dhe Modern.
Ishte pikërisht Ismail Kadaré ai, që parashikoj ato ditë të paharrueshme të majit 2004 futjen me dinjitet të 17 vjeçares Anjeze Shahini me këngën “Dua të bëhem imazhi i yt” në Finalen e Madhe të Parlamentit Europian të Artit dhe të Kengës të kompozuar nga E. Zhulali, që u mbajt në Istambul tek Arena e Madhe “Abdi Ipekçi” - “Abdi Pejani”(!) që kështu përkthehet në gjuhën e Fishtës dhe të Konicës
Askush nuk mund të mohojë gërmazet brohoritëse të diktaturës, të servilëve dhe dashakeqësve mjeranë që lidhnin pantallonat me tel bakri (R. Brahimi me tevabi) kur i vërsuleshin Ismail Kadaresë në Kongreset e LSH.-së në praninë e R. A-së dhe N.Xh.-së, kur E.H.-ja porosiste “Ismaili është si udhiri (ulliri), sa më shumë t’a shtridhni (shtrydhni), aq më shumë vaj nxjerr!…”
Ismail Kadaré ishte dhe do të mbesë gjatë në letrat shqipe e vetmja pendë e artë që i kallte frikën regjimit. Plagët e diktaturës do shërohen dikur, ndërsa Raqërat e ishpolicisë sekrete nuk do të harrojnë kurrë çjerrjen e maskës dhe thonjtë që ua nguli në surrat Ismail Kadarea, duke i lënë me magjinë e pendës së vet kujtesës popullore personazhet e urryera të sigurimsave si shëmbëlltyra të së keqes.
Ismail Kadaré Kadare theu kornizat e realizmit socialist, ai gjithshka ishte, vetëm shkrimtar i realizmit socialist nuk ishte. Ai tek çdo lexues, ishte dritaria e vetme ku ne të gjithë, të shkolluar dhe të pashkolluar, lexonim dhe përpinim me ëndje midis rreshtave në veprën e tij tërësisht disidente. Botimi i veprave të Kadaresë asokohe, kalonte nepër vrimën e gjëlpërës në të gjitha sitat dhe shoshat e KQ. Por nuk kishin se çfarë t’i bënin sepse Kadaré në letërsinë e asaj kohe të mbrapshtë me shumë mënçuri dhe me shumë shkathtësi që më tepër ngjasonte me “hilenë” futi diktatorin personazh në roman dhe meqënse ky quhej “hop cilësor” e “hodhi lumin”. Nëse e hante Ismail Kadare – qytetar denbabaden me aftësi gjeniale pozitive, e hante edhe personazhi paranojak dhe dredharak Enver Hoxha – fshatar dendy me aftësi geniale negative. Të dy gjinokastriotë. Fitoj qytetari Kadaré dhe humbi ai, “qoftëlargu” ndenji 50 vite mbi kurrizin e drobitur të kombit dhe që vari, pushkatoi, dënoi, dhe dogji përsëgjalli heronjt që çliruan vendin nga nazi-fashistët, shokët e vet më të ngushtë. U helmuan apo u varën, u dogjën përsëgjalli dhe u pushkatuan komandantë brigadash partizane, ushtarakë me akademi madhore të kryera në Europë, u asgjësuan familje të tëra nacionalistësh të cilët si personazhe të veprës Kadareane në faqet e librave të tijë guximtarë thonin: “Malli për zotërinjt e përmbysur që i ka zënë këta(politbyroistët), do jetë fillimi i fundit të tyre!…” – Mukadez Hanëmi tek “Nëntori i një kryeqyteti” apo Marku – shoferi i kamionçinës IF, që bënte “gjeografinë” e tërheqjes zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit duke “respektuar” hierarkinë, mbasi flirtante me vajzën e zv.ministrit në pushtet…
Zëra të mbrapshtë, që janë veçse intelektualë renegatë, që sistematikisht bëjnë thyerjen morale të kombit, çuditërisht edhe zhgani i enveristave, sot e kanë halë në sy Gjigandin Kadaré. Ngjan paradoksale por ja që kështu është, sepse pikërisht enevristat, ata që e akuzojnë se gjoja Kadaré paska qenë shkrimtar i oborrit komunist, pikërisht po ata sot e kanë armik për jetë a vdekje gjeniun Ismail Kadaré. Interesant ë!?…Aspak!! Kjo spiegohet vetëm vetëm me frikën, tutën, trembjen që ata ndjejnë në psiqikë, në zemër dhe kudo kur Kadaré ua çjerr maskën e krimit.
Në Veprën Kadareane ne ndjenim forcën parlajmëruese se po na ha dreqi…! Nepërmjet alegorisë, metaforës, simbolikës, stilit të Tij magjepsës dhe mbartjes me tingull aktual të së kaluarës shqiptare sa të ndritur aq dhe të mallkuar nga tradhëtitë e xhelozitë princërore apo të oborreve, nepërmjet kumteve të Tija shpresëdhënes dhe zgjimatare, na shkundi nga letargjia marramendëse e Maksimoviç Gorkit, nga Pavëll Vllasovët dhe Pavël Korçaginët, duke na dhuruar veprat tronditëse si: “Përbindëshi”, “Kronikë në gurë”, “generali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Endërr mashtruese”, “Muri i madh”, “Kush e solli Doruntinën”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Koha e shkrimeve”, “Dimrin e Vetmisë së Madhe”, “Munxadhënësi”, “Pallati i Gër Mërrit”, “Koncert në fund të dimrit”, “Nata me hënë”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Kështjella”, “Ura me tre harqe”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Emblema e dikurshme”, “Pashallëqet e mëdha”, “Daullet e Shiut”, “Nepunësi i Pallatit të Endrrave”, “Pesha e Kryqit”, “Nga dhjetori në dhjetor”, “Dosja H”, “Europa e mbretërve”, “Balladë për vdekjen e J.G.”, “Ra ky mort dhe u pamë”, “Përkthyesi i katërt” etj.etj.
Ka vite që flitet dhe thuhet se Ismail Kadare nuk po i jepet çmimi Nobel, sepse nuk e ka biografinë e pastër…Gjykim shkretan komunist, dashakeqës, antishqiptar. Kadare endé nuk i mban në gjoksin e vet Çmimet Nobel atë të Letërsisë dhe të Paqes, sepse ay e don kombit shqiptar më shumë sesa i vyen dhe sesa e dëshiron Europa Plakë.
Njeriut që bëri e ç’ nuk bëri për t’a shpëtuar Shqipërinë tonë nga kthetrat e diktaturës dhe izolimit, duke e vendosur kokën e tija dhe familjes së tij në gijotinë, me ndërgjegje të plotë.
Ndoshta ngaqë Ismail Kadare është Njeriu që u dëgjua fuqishëm në kthesën më të madhe historike që po e kalonte Ballkani gjatë luftës në Kosova në kapërxyell të viteve ’98 – ‘99. Asokohe Kosova ishte pa Nënë, pa lidership e pa inteligjencë të mirëfilltë.
Ndoshta ngaqë është Njeriu i cili bëri e ç‘ nuk bëri për të bindur një pjesë të parisë , kokëtrashë, mercenare e makiaveliane mbarëshqiptare për t’a nënshkruar dokumentin e Rambujesë.
Ndoshta ngaqë Ismail Kadare vërtetë është Gjeni, por ç‘e do që është mysliman.(!)
Në vend të dënimit të Gjeniut pse është mysliman dhe jo katolik apo ortodoks do duhej t’ia jepni Dy Nobelet të Paqes dhe të Letërsisë për Punën dhe Veprën Madhore që Ai e ka bërë deri në vetësakrifikim, që toleranca e paparë ndërfetare e popullit tonë fisnik të marrë dimesione monumentale, që populli shqiptar ndër më të lashtët në Gadishullin e trazuar të Ballkanit dhe ndër më të vjetrit në Europë, të mos jetë sherraxhi.
Apo “dikush” shqetsohet sepse profesionit fitimprurës të antishqiptarizmës Ismail Kadare i ka treguar vendin e merituar të turpit dhe demaskimit!?
Në ecniklopeditë e vendeve të zhvilluar europiane citohet që: “Intelektual quhet një Njeri i Shkolluar, i cili të gjitha energjitë e veta fizike dhe mendore i jep në dobi të Paqes, të Njerëzimit dhe të Kombit të vet!”
Këtë dimension real ka Ismail Kadare. Askush nuk mund të mohojë, sado shpirtvogël qoftë, që shqiptari i shquar dhe i nderuar Ismail Kadaré i kalon sukseshëm këto tre „pengesa“ morale.
Mos vallë duhet të pyesim: Ja pse dënohet Ismail Kadare!?...
Shkrimin po e mbyll me MENDIMIN „Sa mirë që Ismajl Kadareja asht shqyptar“
Agim Doçi
Krijoni Kontakt