Kostandina Laloti është operuar nga një sëmundje e rrallë në Greqi. Kirurgu dërgon kërkesë, konsullata s’i jep vizë
E sëmura: Jeta ime e rrezikuar, konsullata greke s’më jep vizë
Jorgjeta Gjançi
KORÇË - Është 53-vjeç dhe vuan nga një sëmundje e rrallë, prej së cilës vetëm një pacient në të gjithë botën ka shpëtuar. Kostandina Laloti nga Korça ka tre muaj që lëngon para dyerve të Konsullatës Greke në këtë qytet për të marrë një vizë, me qëllim bërjen e një vizite në spitalin grek ku është operuar dy vjet të shkuara. Tre herë është paraqitur para sportelit të kësaj Konsullate e po kaq herë e kanë kthyer mbrapsht, duke i kërkuar ndonjë dokument të ri. “Në të tria intervistat kam paguar nga 4900 lekë, gjithaq sa është kampi im mujor”,-rrëfen për “Shekullin” Kostandina Laloti. Herën e fundit, gruaja 53-vjeçare është paraqitur në konsullatë me kërkesën e spitalit të Unasios, të firmosur nga drejtori A.S Mihalis. “Herën e kaluar më kërkuan këtë dokument, ndërsa sot më kërkuan një mandat pagese nga spitali grek, për të vërtetuar nëse e kam paguar operacionin. Po si mund të dërgonte faks drejtori i spitalit grek, nëse unë nuk do të kisha paguar”,-thotë Kostandina, së cilës pritja për një vizë i rrezikon dita-ditës jetën.
Historia
Kostandina ka qenë emigrante në Greqi për afro dhjetë vjet rresht. Fill pas fitores së demokracisë, së bashku me burrin e saj, Servetin, mbetën pa punë ndaj zgjodhën mërgimin për të siguruar jetesën. “Ndodhesha në Greqi kur u sëmura nga zemra. Ishte punëdhënësja ime, Antonia Pangeiou, që më çoi në klinikat më të shtrenjta për vizita mjekësore. Doli se vuaja nga “spanja”, mishi i huaj në barkushen e majtë të zemrës. Unë isha e dyta që u operova nga kjo sëmundje dhe fakti që jam ende gjallë ka të bëjë me besimin tek kirurgu grek që më operoi”,-tregon e sëmura. Sipas Kostandina Lalotit, kirurgu Mihalis, që është edhe drejtor i spitalit të Unasios, gjatë gjithë karierës ka kryer vetëm këtë operacion të tillë dhe e quan sukses faktin që pacientja nga Shqipëria është gjallë. “Ai kërkon në mënyrë të përsëritur informacion për gjendjen time shëndetësore, ndërsa dy vjet pas operacionit, unë kam dhimbje dhe enjtje të lehtë të gjoksit. Ishte kirurgu ai që më kërkoi të shkoja në Greqi për vizitë, por këta të konsullatës më zvarrisin për vizë, duke më rrezikuar jetën”,-shton Kostandina. Kirurgu Mihalis, që prej kohësh ka kërkuar të vizitojë pacienten e tij për të parë gjendjen e për të arritur në konkluzione shkencore, tani është treguar më këmbëngulës në kërkesën e tij. Në 30.8.2005 dërgoi faks , sipas kërkesës së Konsullatës në Korçë. Kanë kaluar 45 ditë dhe kjo e fundit pas zvarritjes refuzoi dhënien e vizës. “Unë u kërkova dokumentet dhe lekët e aplikimit për vizë, por ata më nxorrën jashtë, pa përfilluar gjendjen time shëndetësore”,-shton e sëmura.
Akuza për korrupsion
“Kur dola nga konsullata isha shumë e shqetësuar dhe ndieja një shtrëngim therës në gjoks. Në atë çast m’u afrua një djalë i ri, i cili më tha se do më nxirrte vizën, në këmbim të 300 eurove”,-denoncon 53-vjeçarja. Ajo tregon se e njihte atë djalë që punon si sekser në konsullatën greke, por nuk pranon të bëjë publik emrin e tij. “Gjithçka është e mundur, se unë kam lidhje me sekretaren aty brenda”,-mësohet t’i ketë thënë sekseri. Kostandina shton se tashmë nuk ka ku të trokasë, për të kërkuar ndihmë, ndërsa shton se shëndeti i saj sa vjen e përkeqësohet. “Unë vetë nuk kam lekë, por në Greqi kam dy fëmijë të rritur, emigrantë të rregullt dhe të siguruar. Ata do të mi përballojnë gjithë shpenzimet. Argumenti i vetëm i punonjësve të konsullatës që më refuzuan vizën ishte fakti se mund të ikja pa paguar nga spitali, por po të ishte kështu, drejtori i spitalit nuk kishte pse të më dërgonte faksin për vizë”,-përfundon Kostandina Laloti.
Krijoni Kontakt