PRAPASKENAT
DIKTATURA/ Për ish-kreun komunist të sovjetikëve, dashuria e një personi për një person tjetër nuk ekzistonte
Si i përdori Stalini gratë e shokëve
Ai interesohej për bashkëshortet e tyre, jo për t’i patur dashnore të mundshme, por i shihte si spiune të mundshme
Ndërsa bota asistonte në ndarjen e Evropës lindore mes Hitlerit dhe Stalinit, ky i fundit po vinte në provë bindjet e shokëve të tij, duke i nënshtruar ndaj hetimeve dhe në disa raste edhe duke vrarë bashkëshortet e tyre. Besimi i tij i brishtë tek gratë ishte minuar në mënyrë të pandreqshme pas vetëvrasjes së Nadjas, bashkëshortes së tij të dytë, por gjendja u përkeqësua akoma më shumë, kur vetë ai nisi të eliminonte gratë e armiqve. Ai interesohej për gratë e shokëve, jo sepse i konsideronte si dashnore të mundshme, por për arsyen e pazakontë, se i shihte ato si spiune të mundshme.
Dyshimet për gratë
Stalini kishte shfaqur gjithnjë një interes të çuditshëm për gratë e të tjerëve. Kur i dorëzuan listat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1939, ai nënvizoi me të kuqe emrat e grave dhe fëmijëve të disa prej njerëzve më të fuqishëm të Rusisë. Domethënia e këtyre nënvizimeve mbeti një mister. Në ndryshim nga opinioni i përgjithshëm i krijuar rreth kësaj situate, ai ndoshta thjesht po llogariste se për sa makina do të kishin nevojë familjet në fjalë. Gjatë darkave të organizuara në Kremlin, gjithnjë e më shpesh gratë nisën të mos shfaqeshin më përkrah bashkëshortëve të tyre. Qëndrimi i Stalinit ndaj të preferuarave të tij të dikurshme, Polina dhe Dora, ishte bërë dashakeqës dhe dyshues, pjesërisht si pasojë e marrëdhënieve të tyre me Nadjën. Por, ai kishte qenë gjithnjë i fiksuar pas bashkëshorteve që dinin shumë gjëra. Që në vitin 1930, ai i kishte thënë Molotovit se gruaja e X shoku “duhet kontrolluar…ajo duhet patjetër të jetë në dijeni të gjërave që ndodhin në shtëpinë e saj”. Të gjitha këto dyshime ndaj rolit dominues të grave pjesërisht buronin nga urrejtja e Stalinit për çfarëdolloj gjëje që interferonte me përkushtimin e verbër ndaj partisë dhe vetë Stalinit. Ai nuk e njihte vlerën e marrëdhënieve personale. Për të dashuria e një personi për një person tjetër nuk ekzistonte. Ai i shihte gratë si pengje që duhet të përdoreshin për t’i shtyrë shokët e tij të silleshin në mënyrën e duhur dhe për t’i dënuar drejtpërsëdrejti në rast se ata do të gabonin: “Askush nga ata që kundërshtojnë Stalinin”, do t’i thoshte Berija bashkëshortes së tij, “nuk arrin të ruajë gruan e tij”. Por masakra e grave do të koinçidonte pikërisht me mbërritjen e Berijës.
Fati i një “First Lady”
Polina Molotova, First Lady ruse, ishte në rrezik. Asokohe ajo ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe një zonjë e padiskutuar në industrinë e parfumeve. Megjithatë, Berija nisi të kryente hetime rreth saj, duke zbuluar disa “vandalë” dhe “sabotatorë” në radhët e bashkëpunëtorëve të saj më të ngushtë. Sipas tij, Polina “ndoshta edhe pa dashje kishte lehtësuar punën e tyre të spiunazhit”. Më 10 gusht, ndërsa Stalini dhe Molotovi po planifikonin akrobacitë e tyre diplomatike, Byroja Politike gjykonte Polinën. Stalini propozoi dëbimin e saj nga Komiteti Qqendror. Molotovi, me një kurajo të spikatur abstenoi, duke dhënë në këtë mënyrë prova për aftësinë e tij për të mos qenë gjithnjë në një mendje me Stalinin, të besimit në vetvete dhe së fundmi për dashurinë e tij për Polinën. Më 24 tetor ajo u shkarkua nga detyra e komisares, u kritikua për “dobësinë e treguar dhe vendimet e nxituara”, por u shpall e pafajshme ndaj akuzës për “shpifje”. Më pas, ajo do të emërohej në krye të administratës tekstile dhe veshjeve në Komisariatin e Industrisë së Lehtë. Gjatë kësaj periudhe Polina do t’i rikthehej sërish jetës luksoze, me të cilën tashmë ishte mësuar. Vajza e saj, Svedana njihej si “princesha” më e madhe sovjetike, me peliçet dhe pasionin e saj për modën franceze. Por, në çdo rast familja ishte nën kontroll. Stalini nuk e harroi asnjëherë as sfidën e Molotovit dhe as “fajet” e Polinës, të cilat më vonë do ta persekutonin sërish. Stalini dhe Berija kishin marrë parasysh edhe mundësinë e organizimit të rrëmbimit dhe vrasjes së saj. Ishte me fat që mundi të mbetej gjallë.
Përgjimi për Stalinin
Më 25 tetor 1938, Berija arrestoi gruan e Presidentit Kalinin. Në një vend ku gruaja e kreut të shtetit ishte e burgosur, askush nuk mund të ishte i sigurtë. Kalinini, një njeri i dobët, i cili që nga kohët e aventurave të tij me balerinat dhe paralajmërimet që kishte marrë në vitin 1930, nuk kishte patur kurajon të kundërshtonte Stalinin, edhe pse nuk ishte aspak i kënaqur me trajtimin që i bënin, në realitet jetonte me një tjetër grua: Aleksandra Gorakova, guvernantja e tij aristokrate. Gruaja e tij, Ekaterina, me origjinë estoneze, ishte nisur me një miken e saj për të zhvilluar një fushatë kundër analfabetizmit në tokat e Lindjes së Largët. Kur ajo dhe mikja e saj (me të cilën mendohet se kishte një marrëdhënie lezbike) u kthyen në apartamentin e Kalininit, u dëgjuan – përmes një çimke, ndërsa kritikonin etjen për gjak të Stalinit. Mikja u dënua me vdekje, ndërsa gruaja e Kalininit u internua. Kur, më pas, njerëz të ndryshëm do të apelonin tek Presidenti Kalinin për të kërkuar faljen për bashkëshortet e tyre, ai me të njëjtin justifikim u përgjigjej: “I dashur, edhe unë jam në të njëjtën pozitë! Nuk mund të bëj asgjë për gruan time dhe jo më të ndihmoj tënden”.
Joshje për diktatorin
Por jo të gjitha gratë patën fatin e bashkëshortes së Molotovit, apo edhe pse në masë më të vogël të asaj të Kalinin. Në prill të vitit 1937, doktoresha Bronska Poskrebygeva, gruaja njëzeteshtatëvjeçare, e cila shquhej për bukurinë e saj, e kreut të kabinetit, i telefonoi Stalinit duke i kërkuar takim në Kuntzevo. Për këtë rast, ajo kishte veshur fustanin e saj më të mirë, ndoshta atë me pika të zeza, me të cilin shfaqet në disa fotografi familjare. I shoqi nuk dinte asgjë për këtë takim dhe nëse do ta kishte marrë vesh, do të ishte tërbuar nga inati. Vetëm Vlasiku ishte në dijeni të takimit sekret. Bronka shkoi tek Stalini për t’i kërkuar lirinë e vëllait të saj, Metalikov, mjeku i Kremlinit, bashkëshortja e të cilit kishte lidhje farefisnore me Trockin. Pas vdekjes së Stalinit, Vlasiku foli për këtë takim familjes – sipas Poskrebygevit dhe vajzës së Bronkës, Natalija la të kuptonte se mes tyre kishte nisur një marrëdhënie sentimentale. Kjo është e pamundur, duke qenë se Stalini i urrente gratë që i luteshin për shpëtimin e të afërmve të tyre; por, është po aq e vërtetë, se një nga tragjeditë e jetesës sovjetike gjatë asaj periudhe ishte se gratë iu drejtoheshin të fuqishmëve duke i lutur për jetën e të dashurve të tyre dhe për të arritur qëllimin ishin të gatshme të ofronin gjithçka kishin, madje edhe vetë trupin e tyre. Megjithatë misioni i Bronkës dështoi. Përpara se të emërohej në Moskë, Berija e kishte ngacmuar Bronkën në Kuntzevo dhe ajo e kishte goditur me shpullë. “Do ta mbaj mend këtë”, - i kishte thënë Berija. Por Bronka nuk u dorëzua kollaj. Më 27 prill 1939 i telefonoi Berijës duke i kërkuar një takim për t’i folur për gjendjen e të vëllait. Askush nuk e pa më.
Ekzekutimi i një nëne
Poskrebygev priti deri në mesnatë dhe më pas i telefonoi Berijës në shtëpi. Ky i fundit i tha se Bronka ishte arrestuar. Mëngjesin e së nesërmes, pas një nate të pagjumë, Poskrebygevi shkoi të ankohej tek Stalini, i cili i tha: “Nuk varet nga unë. Nuk mund të bëj asgjë”. Por kjo tezë sigurisht që nuk e bindi Poskrebygevin. Stalini i telefonoi më pas Berijës, i cili i kujtoi lidhjet e Bronkës me Trockin. Të tre u takuan rreth mesnatës së 3 majit. Kreu i NKVD-së i paraqiti një rrëfim, ku përmendej emri i Bronkës. Poskrebygevi iu lut Stalinit për lirimin e saj, duke u kapur pas një argumenti aspak Bolshevik, që do të kishte mallëngjyer këdo, por sigurisht jo zemërgurësinë e Stalinit: “Çfarë do të bëj me vajzat e mia? Çfarë do të bëhet me to?” dhe duke menduar për vajzën e lindur nga martesa e parë e gruas së tij: “Galja do të përfundojë në jetimore?”. “Mos u shqetëso, do të të gjejmë një grua tjetër”, do t’i përgjigjej Stalini. Ishte një sjellje tipike e Stalinit, njeriut që i kishte thënë Krupskajës se nëse nuk do t’i bindej urdhrave të partisë, do të emëronin dikë tjetër si gruan e Leninit. Sipas standardeve dhe mundësive të asaj periudhe, Poskrebygevi bëri edhe pak rezistencë, por më pas u dorëzua pa mundur të ndihmojë aspak nënën e fëmijëve të tij. Dy vjet më vonë, ndërsa gjermanët po i afroheshin Moskës, Bronka u ekzekutua: Ishte vetëm tridhjetë e një vjeç. Përgatiti: Entela Bajraktari
EKZEKUTIMI/ Besnikëria ndaj “babait të madh”, e shtyu Ela Shysterin që të çonte drejt vdekjes dy bashkëshortët
Ndëshkimet që erdhën prej idealeve komuniste
Në vitin 1917, kur u bashkua plot entuziazëm me revolucionin e tetorit, Ella Shyster nuk ishte më shumë se një adoleshente bukuroshe, që karakterizohej nga një vullnet i pazakontë. E lindur në një familje të varfër punëtorësh, kishte linja tepër fisnike, saqë dukej se prejardhja e saj vinte nga shtresat aristrokrate. Falë revolucionit, ajo kishte mundur të studionte në Universitetin e Moskës. Dëshira e saj më e madhe ishte të bëhej inxhiniere. Teksa dëgjonte Leninin të shprehej se komunizmi ishte “revolucion dhe elektrifikim”, nuk pati më dyshime. Do të bëhej inxhiniere dhe do të projektonte një central elektrik.
Martesa e parë
Ella u diplomua në vitin 1923 dhe në vitin 1925 kishte dhënë kontributin e saj në projektimin e rrjetit elektrik të Moskës. Një vit më vonë ajo u martua me Andreij, një bolshevik i orëve të para, asokohe funksionar i partisë. Jetuan të lumtur deri në vitet ’30. Gjatë atyre viteve, nga pozicioni i tij politik, Andreij nuk mund të mos shihte strategjinë gjakatare të Stalinit. Edhe pse e kishte të qartë se për këto lloj argumentash nuk duhet të fliste as edhe me bashkëshorten e tij, një ditë teksa po hanin drekë, Andreij u zbërthye përpara Ellës: “Stalini po vret të gjithë anëtarët e Politburo (Byroja Politike)”. Reagimi i Ellës ishte i dëshpëruar. “Babai i madh” nuk mund të prekej. Mbërtheu të parën gjë që i zuri dora, një thikë dhe e lëshoi në drejtim të bashkëshortit të saj. Vetëm rastësia do ta shpëtonte këtë të fundit nga vdekja e sigurt. Të nesërmen ajo ia rrëfeu ngjarjen komisarit politik. Andreij u pushkatua, pasi përmes torturave të tmerrshme rrëfeu për bindjet e tij politike. Përpara se ta pushkatonin, ai u përpoq të bërtiste: “Poshtë Stalini, rroftë komunizmi”, por prej gojës së tij të përgjakur, nga ku ishin shkulur të gjithë dhëmbët, nuk mundi të nxirrte veç një gjëmim të mbytur.
Martesa e dytë
Disa vite më pas Ella u martua me një funksionar, me të cilin ndante besimin politik dhe devotshmërinë ndaj Stalinit, por edhe ai ra në mjerim dhe u pushkatua. Kësaj here, Ella, si bashkëshorte e një armiku të popullit, u internua në lagerin e Magadanit. Mbi “vagonzak”-ët, karrot e përshtatura për transportin e të burgosurve, Ella dhe gratë e tjera ishin të bindura se bashkëshortët e tyre ndodheshin në karrot pranë tyre dhe mund t’i dëgjonin, ndaj ngritën një kor që në një përkthim të varfër përmbante pak a shumë fjalët:
“Ne jemi këtu, bashkëshorte dhe miket tuaja/ Nga Moska po na çojnë në Siberi, /Fatin tonë në burg e mësuam, /Çdonjërën nga ne me tetë vjet e dënuan, /Dokumentet tona i kanë rojet, /Njëqind vetë në një vagon kemi përfunduar”
PENDIMI
“Armiku më i madh i socializmit”
Vitet e internimit ishin tepër të ashpra për të gjitha të burgosurat, por ajo që i shkaktonte më shumë dhimbje Ellës, më shumë se të ftohtët, më shumë se uria e tejskajshme, më tepër se brutaliteti, ishte kujtimi i gabimit të madh që kishte bërë ndaj Andreijit të saj të dashur. Ndoshta ishte dëshira për të harruar fyerjen vdekjeprurëse që i bënë, që e lejuan t’i mbijetonte ferrit të Gulagut. Sot Ella jeton në një shtëpi në periferi të Moskës. Pas fytyrës së rrudhur të rrethuar nga flokët e bardha, vështirë të dallohen shenjat e një bukurie të hershme, por një gjë është e sigurtë: Tashmë ajo e ka kapërcyer ndjenjën e fajit. Gjithçka shihet në qetësinë me të cilën tregon episodet që tashmë i përkasin historisë. Biseda e saj mbyllet me fjalët: “Stalini ka qenë pa asnjë dyshim armiku më i madh i socializmit. Por, nëse nuk do të kishte qenë ai, dikush tjetër do ta kishte shkatërruar gjithsesi, pasi ndoshta nuk kishte ardhur ende momenti i duhur për këtë lloj shoqërie”.
Krijoni Kontakt