NGJARJA/ Si u pasuruan drejtuesit e Fondit. Paga e kreut shqiptar, Kushi arrinte mbi 5 mijë USD në muaj

Kush u pasurua nga “Anglo-Adriatika”

Pesë vjet pas mbylljes së skemës, asnjë përgjegjës nuk është identifikuar. Qeveria, ende e lëkundur për vlerën e bonove

Laura Dashi


TIRANË- Pesë vjet pas mbylljes së Fondit “Anglo-Adriatika”, një nga gjërat e vetme të qarta që kanë mbetur pas “fantazmës” së saj, është pasurimi i njerëzve që drejtuan dhe menaxhuan atë. Ronald De Martino, i cili krijoi fondin në vendin tonë, sot vazhdon një jetë të qetë dhe luskoze, larg Shqipërisë dhe kreditorëve, në Irlandën e Veriut. Edhe drejtuesi shqiptar i Fondit, Pirro Kushi, i cili nga ’94-2000, gëzoi të ardhurat që i vinin nga “Anglo-Adriatika”, ka mundësuar një jetesë “të majme” dhe një karrierë në administratë, ku për mbi 2 vjet kreu funksionin “drejtor Drejtorie” në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe vetë qeveritarët, të cilët lejuan ngritjen, funksionimin dhe zhdukjen “pa zë” të Fondit, nuk kanë bërë asnjë sqarim apo deklaratë publike dhe nuk kanë kërkuar përgjegjësit e kësaj skeme. Zyrës në katin e dytë të hotel “Rogner” i ka ikur tashmë gjallëria që kishte 5 vjet më parë, kur administronte paratë e kreditorëve të “Anglo-Adriatika”. Pak kush nga punonjësit e sotëm të hotelit e di se dikur ajo ishte një nga zyrat më të pasura në vend, që nga viti ‘94-2000 mblodhi afro 10 miliardë lekë.

Historia

Dega e Fondit “Anglo-Adriatika” për Shqipërinë, e cila kishte zyrën e saj kryesore në katin e dytë të hotel “Rogner”, u ngrit në vitin 1994 dhe funksiononte me një administratë të plotë. Në krye të Fondit ishte Pirro Kushi, paga e të cilit vërtitej në mbi 5 mijë dollarë në muaj. “Anglo-Adriatika” u zgjerua duke hapur degët në disa sportele të ish-Bankës së Kursimeve, numri i të cilave arrinte në 14 të tilla. Nëpunësit e bankës paguheshin gjithashtu edhe nga Fondi për procesin e mbledhjes së bonove të privatizimit. Nga vitit 1995-1997, “Anglo-Adriatika” mblodhi mbi 2 miliardë lekë, ndërkohë që gjatë trazirave të ’97-ës, kur u vodhën bankat, u grabitën gjithashtu edhe paratë e kreditorëve të “Anglo-Adriatika”. Krerët e Fondit vazhduan punën normalisht pas trazirave, deri në prill të vitit 2000, kur u volën edhe mbi 8 miliardë lekë të tjera. Ndërkohë, pas mbylljes së Fondit, asnjë sqarim apo deklaratë publike nuk është bërë nga drejtori i Fondit në Shqipëri, Pirro Kushi, i cili për katër vite rresht menaxhoi këtë skemë, nga ku doli tepër i pasur. Zyra e tij në hotel “Rogner”, e cila nga viti ’94-’99 mblodhi përmes degëve që u hapën afro 120 milionë dollarë nga kreditorët e “Anglo-Adriatika”, u mbyll pa dhënë as më të voglin sqarim për ta.

Krijimi

Ronald de Martino, që ishte përfaqësues në vendin tonë, krijoi Fondin në vitin 1994, ku ishte i ftuar nga vetë qeveria. Qeveria e Meksit bëri një marrëveshje, ku përcaktohej se Fondi do të grumbullonte letrat me vlerë dhe do t’i fuste në privatizim, ndërkohë që “Anglo-Adriatika” mori licencën për të grumbulluar afro 10 për qind të totalit të bonove, afro 10 miliardë lekë. Fondi mblodhi letra me vlerë deri në vitin 1997, afro 2 miliardë lekë, ndërkohë që u rikthye sërish pas trazirave, për të mbledhur edhe mbi 7 miliardë lekë të tjera, deri në vitin 1999. Pas këtij viti përfaqësuesi amerikan u rishfaq në vitin 2000, për t’u zhdukur më pas.

MARRËVESHJA

“Kreditorët e Fondit duhet të shlyheshin brenda vitit 2000”


TIRANË- Në bazë të marrëveshjes që krerët e “Anglo-Adriatika” kishin me qeverinë, përcaktohej se kreditorët do të likujdoheshin brenda vitit 2000. Këtë vit menaxheri i madh amerikan Ronald De Martino rivjen në Shqipëri, ku doli me konkluzionin e vetëm se do të hidhte në gjyq qeverinë, duke u zhdukur më pas pa lënë gjurmë. Ndërkohë, qeveritarët e sotëm shprehen se shfrytëzimi nuk mund të shkojë më shumë se 10% të vlerës kontabël, pra vlerës së aseteve që do të shiten, përndryshe ngelet që përdormi më i madh i letrave me vlerë ndikon në një eficencë më të ulët të ndërmarrjeve. Në këtë këndvështrim, ky është edhe niveli më i lartë që mund të përdoren letrat me vlerë gjatë proceseve të privatizimit, pasi nëse do të kalonte këtë kufi, do të kishte ndikim në eficencën e ndërmarrjeve. Të tilla privatizime mund të jenë ai i kompanisë së naftës ARMO, Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, etj. Mënyra se si do të përdoren ato është nëpërmjet kalimit të tyre në aksione. “Letrat me vlerë kanë një vlerë nominale, të cilat do të përdoren për t’u shndërruar, për t’u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë. Pastaj është vlera e aksionit që ndryshon në varësi të vlerës së tregut, e cila llogaritet në momentin që konvertohet në vlerë askioni dhe është vlera e certifikatës së aksionit”, shprehen ekspertët. Pra, vlera në treg merret nga aksioni dhe jo nga bonot, sepse bonot nuk janë instrumente që mund të kenë vlerën e tyre, përderisa nuk ka një treg aksionesh dhe ky treg do të thotë në vlerën reale të tyre.

TREGTIMI

Përdorimi i bonove në privatizimin e ndërmarrjeve


TIRANË- Bonot e privatizimit ishin të tregtueshme në tregun e lirë, duke përjashtuar përdorimin direkt të parave për privatizimin e ndërmarrjeve me metodën e privatizimit masiv (MPM). Kështu, çdokush mund të blinte bono privatizimi në treg me një çmim shumë më të ulët se vlera e tyre nominale, për të blerë më pas aksionet e shoqërive anonime, që do të privatizoheshin MPM me vlerën e tyre nominale. Nga muaji maj, deri në fillim të vitit 1997 u privatizuan me MPM shumë ndërmarrje, që praktikisht u transformuan në shoqëri aksionere shtetërore. Këto shoqëri i përkisnin sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si: industria mekanike, industria e përpunimit të ushqimeve, industria kimike, industria e lehtë dhe tekstile. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, procedurat e ankandit të aksioneve nuk u bazuan në ndonjë çmim të parallogaritur, sipas të cilit oferta dhe kërkesa për aksione të shoqërisë që do të privatizohej, shkojnë gjithnjë paralelisht, domethënë gjithë bonot blejnë gjithë aksionet. Gjithashtu, mungoi edhe informacioni rreth ecurisë së shoqërive, situatës së tyre ekonomiko-financiare dhe planet perspektive të zhvillimit të tyre. Kështu që kërkuesit e aksioneve nuk kishin asnjë ide për shoqërinë për të cilën ata ofronin bonot e privatizimit për të marrë aksionet e saj. Privatizimi me anë të MPM krijoi shoqëri me një numër të madh aksionerësh. Kjo situatë krijoi shumë probleme për shumë shoqëri të privatizuara, sepse aksionerët kishin mangësi në njohjen e të drejtave dhe detyrimeve. Nga ana tjetër, vlera e bonove të privatizimit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme në treg. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, zhvlerësimi erdhi si rrjedhojë e procesit të dështuar të privatizimit masiv, nga raporti i disfavorshëm i vlerës së kapitaleve shtetërore të hedhur në treg dhe vlerës së shpërndarë të bonove, si dhe për shkak të efektit të krizës së piramidave në fillim të vitit 1997.

Dita.