Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Mesha hyjnore dhe shpjegimi i elementëve të saj.

    ENËT E SHENJTA

    Enë të shenjta quhen ato që shërbejnë për kryerjen e Falënderimit Hyjnor. Ato janë: Potiri i shenjtë, Disku, Shtiza, Luga, Ylli, Sfungjeri; Ena e ujit të nxehtë dhe Artofori. Gjithashtu edhe ato që janë të nevojshme për kryerjen e mistereve të tjera dhe që janë të domosdoshme për kryerjen e çdo shërbese tjetër të hirshme.
    * * *
    Nuk ekziston diçka më e shenjtë për të krishterët nga Potiri dhe Disku i shenjtë, sepse i punojnë drejtpërdrejtë misterit shumë të hirshëm të Falënderimit Hyjnor. Ajo që i bën Enët e shenjta të çmueshme dhe të frikshme, nuk është materiali i shtrenjtë prej të cilit janë punuar, por Shpirti i Shenjtë që i shenjtëroi. Me përdorimin vetëm e vetëm në misterin e Falënderimit Hyjnor, bëhen të shenjta dhe të hirshme. Për këtë arsye, kanuni i 73të apostolik, ndalon madje edhe prekjen nga personat që nuk i përkasin gradës së klerikut, aq më tepër paraqitja njerëzve të feve apo besimeve të tjera. Sinodi i Laodikisë (365) i ndalon shërbyesit të kishës të prekin Enët e shenjta, për sa kohë nuk kanë uratën përkatëse.
    A. Potiri i Shenjtë është enë prej ari apo prej argjendi, me fron të lartë, në të cilin hidhet vera dhe uji, në momentin kur kryhet proskomidhia e shenjtë. Në Meshën Hyjnore, duke u shenjtëruar vera dhe uji, shndërrohen në Gjakun e Krishtit. Brenda Potirit të shenjtë vendoset edhe Trupi i Krishtit, pas uratës së shenjtërimit, dhe me të kungohen besimtarët. Simbolika e Potirit të shenjtë u shfaq nga vetë Krishti, i Cili e quajti sakrificën e Tij mbi kryq, potir, që ia dha Ati për ta pir. Pas kryqëzimit të Krishtit, potiri i vdekjes u bë potir bekimi dhe shpëtimi për njeriun. Simbolizon atë potir që Zoti meshoi dhe u dorëzoi Apostujve misterin e Fëlënderimit Hyjnor (Luka 22:20).
    B. Disku i Shenjtë. Me pësimet e pacënuara të Krishtit ka lidhje edhe Disku i shenjtë. Është i vogël, i cekët, i rrumbullakët, i artë ose i argjendtë, në të cilin vendoset Qengji -Trupi i Krishtit- në momentin kur kryhet proskomidhia dhe shenjtërohet në kohën e shenjtërimit të dhuratave të çmueshme. Gjithashtu mbi të vendoset pjesa e së Tërëshenjtës, e shenjtorëve -9 rangjeve të shenjta- të të gjallëve dhe të të parafjeturve.
    Për sa i përket lëndës, Disku i shenjtë është i njëjtë me Potirin e shenjtë. Simbolizon grazhdin e Betlehemit, shtratin e vdekjes dhe tokën. Shën Joan Damaskinoi (shek. VIII), na përshkruan Diskun e shenjtë, dhuratë të perandorit Theodhosi i Madh, në të cilin paraqitej në basoreliev Darka Mistike e Zotit me 12 Apostujt.
    Enët e shenjta, Potiri dhe Disku i shenjtë, para se të përdoren, shenjtërohen me një shërbesë të veçantë inaugurimi. Disku dhe Potiri duhet të jenë të reja dhe të papërdorura. Në këtë shërbesë prifti, për sa i përket Diskut të shenjtë, i lutet Zotit Perëndisë, të dërgojë bekimin e Tij, “që në të, të therë Qengjin dhe të ofrojë Trupin e Krishtit tek besimtarët, duke i çuar ata nga vdekja në jetë”. Kurse për Potirin e shenjtë lutet që, “nëpërmjet tij të jepet Gjaku i çmueshëm, me anën e të cilit përdëllimi u derdh mbi grigjën”, dhe pason lyerja me miron e shenjtë.
    Në vitet apostolike, enët e shenjta ishin prej qelqi apo prej metali të thjeshtë, madje edhe prej druri. Me kalimin e kohës dhe sidomos kur pushuan përndjekjet, të krishterët filluan të ofrojnë në tempuj Enë të shenjta prej ari apo prej argjendi.
    Sigurisht kjo është një shprehje shpresëtarie ndaj Krishtit. Por Krishti bashkë me këto shprehje na kërkon të duam vëllezërit e Tij. Na kërkon t’i bëjmë të zjarrta zemrat tona me dashuri. T’i bëjmë të ndritshme dhe të arta dhe t’ia ofrojmë Atij: “prandaj dhe Perëndia nuk ka nevojë për enë të arta, por për zemra të arta”, thotë Gojarti i hirshëm.
    Nëse do t’i tregosh dashurinë Krishtit dhe të nderosh sakrificën e Tij, “ofro shpirtin për të cilin u sakrifikua, atë bëje të artë. Përndryshe, nëse ena është e artë kurse shpirti bëhet më keq se një enë plumbi apo balte, cili është fitimi?... Kisha nuk është punishte argjendi apo institucion ku priten monedhat, por panair engjëjsh. ” Që të marrin pjesë në këtë panair engjëllor duhet që shpirtrat tanë të jenë më të pastër dhe më të shkëlqyer nga enët e shenjta. Sepse, “ato nuk pjesëtojnë nga hiri i Krishtit që është brenda tyre, nuk ndjejnë. Por ne pjesëtojmë. Tani pra, kur nuk pranon të përdorësh enë të papastër, ti afrohesh me shpirt të ndotur?”
    Tryeza e Darkës Mistike nuk ishte prej argjendi dhe as potiri ishte prej ari, por të gjitha ishin të shenjta dhe të frikshme, sepse ishin të mbushura me Shpirtin e Shenjtë.
    Ajo që i bën enët liturgjikale të shenjta dhe të hirshme, nuk është materiali i çmueshëm prej të cilit u bënë, por Hiri i Shpirtit të Shenjtë që i shenjtëron. Prandaj Kisha, para se të përdoren enët e reja, inauguron me një shërbesë të veçantë gjatë së cilës, siç e parathamë më sipër, Kryeprifti lyen Potirin dhe Diskun e shenjtë me miro, simbol të dhuratave të Shpirtit të Shenjtë. Më pas kryeprifti lutet: “O Zot Jisu Krisht, Perëndia ynë, dërgo Shpirtin tënd të Shenjtë mbi këtë Potir të ri dhe bekoje dhe shenjtëroje dhe bëje të përsosur”.
    Enët e shenjta, me përdorimin e tyre në misterin e Falënderimit Hyjnor, bekohen dhe shenjtërohen. Shën Simeoni i Selanikut, duke iu referuar zakonit të epokës së tij, të dalin priftërinjtë në hyrjen e madhe duke mbajtur secili nga një Potir të shenjtë, shkruan: “Besimtarët duhet të gjunjëzohen para priftërinjve edhe për enët e shenjta, edhe pse disa prej tyre mund të jenë të zbrazëta. Sepse gjithë enët e shenjta janë të shenjta, përderisa brenda tyre shenjtërohen dhuratat e çmueshme”. Të gjithë ne, meshtarët e Krishtit dhe besimtarët tregojmë shprestari ndaj enëve të shenjta duke ditur se edhe vetëm pamja e tyre na shenjtëron.
    C. Luga. Mënyra e hershme e kungimit të besimtarëve ishte ajo që kryhet sot nga meshtarët; së pari jepej Trupi, nga Disku, dhe më pas Gjaku, nga Potiri. Vendosnin pëllëmbën e djathtë mbi të majtën dhe u jepej nga episkopi apo prifti Trupi i shenjtë i Krishtit. Dhe më pas, me shpresëtari, duke mbajtur pecetën e kuqe, i afroheshin Potirit të shenjtë dhe kungoheshin me Gjakun e çmuar të Krishtit. Dhe përsëri, Gojarti i Hirshëm, bën secilin të kujdeset, duke thënë: “Kupto mirë çfarë pranon në dorën tënde... dhe ruaje atë nga çdo lakmi dhe rrëmbim”. Njësoj dhe shën Qirilli i hirshëm, kryepiskopi i Jerusalemit, bashkë me shën Joan Damaskinoin, na thonë: “Në formë kryqi të bashkojmë pëllëmbët tona, që të pranojmë Trupin e të Kryqëzuarit”. Edhe Sinodi i pesë-gjashtë Ekumenik (692), në kanunin e 101të, urdhëron: “Gjatë kohës së Liturgjisë Hyjnore, kush dëshiron të bëhet pjesëtarë i Trupit të pacenuar, pasi bashkon pëllëmbët në formë kryqi, le të afrohet që të bëhet pjesëtarë i Kungatës Hyjnore, që na ofron hiri dhe dhurata e Perëndisë”.

    Punën e lavidhës, domethënë lugëzës së kungatës, e bënin atëherë, në mënyrë metaforike, gishtat e duarve priftërore, me të cilat Trupi i shenjtë futej në gojët e besimtarëve; më pas lugëza u përdor lokalisht, si fillim, dhe u shtri gjerësisht, më vonë.
    * * *
    Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Kjo kohë është momenti i takimit tonë personal me Zotin. Meshtari, si një bari tjetër i mirë, “i fton delet e tij në emrin e tyre”. “Thonë pra, etërit, kur shikon meshtarin të të japë misteret e shenjta, mos mendo se është prifti që e bën këtë, por dora e shenjtë e Krishtit që shtrihet drejt teje”. “Le të afrohemi, pra, me besë e me dashuri, që të bëhemi pjesëtarë të jetës së përjetshme”. U bëftë.



    Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
    Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
    † IGNATI
    Berat me 17.03.2013



  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Mesha hyjnore dhe shpjegimi i elementëve të saj.

    RROBAT TË KLERIKUT GJATË CEREMONIVE FETARE

    Rrobat priftërore janë të shenjta dhe transmetojnë shenjtërim. Njeriu që jeton jashtë kishës është i zhveshur nga Hiri Hyjnor. Por me pagëzimin, njeriu vishet me stolinë e perëndiendur: “Sa u pagëzuat më Krishtin, me Krishtin u veshët”. Prifti, përderisa pranoi Hirin Hyjnor me pagëzimin e shenjtë, me hirotonisjen, e pranon përsëri për t’ia ofruar botës. Me misterin e Priftërisë, njeriu bëhet “kujdestar i mistereve të Perëndisë” (1 Kor. 4:1). Këtë shërbesë të lartë të klerikut, të mistereve të shenjta, simbolizojnë rrobat e hirshme.
    I
    Kleriku, që nga dita e hirotonisjes së tij, sa herë përgatitet për të meshuar, merr një nga një rrobat e shenjta, i bekon në formë kryqi, i puth dhe i vesh, duke treguar se ato “janë shenjtëruar dhe shenjtërohen me kryqin e Krishtit, dhe veshja e tyre transmeton shenjtërimin”. Prandaj, ai që tregon shpresëtari ndaj rrobave të shenjta dhe i puth, “kryen një vepër besimi dhe do të shpëtohet siç shpëtuan -domethënë, u shëruan- edhe ata që preknin cepin e rrobës së Jisu Krishtit” (Marku 6:56).
    Besimtarët tregojnë shpresëtari ndaj rrobave të shenjta të klerikëve sepse janë të hirshme. Dhe prifti, duke veshur stolinë e tij, na kujton se, megjithëse është nga kjo botë, nuk i përket vetëm kësaj bote. Qëndron midis njeriut dhe Perëndisë, si një urë prej së cilës ngjiten lutjet tona tek i Larti dhe zbresin dhuratat e Perëndisë.
    Këto rroba ruajnë formën e hershme sipas gradave të priftërisë. Janë shtatë, sipas shtatë dhuntive të Shpirtit të Shenjtë dhe sipas numrit të hirshëm të plotësisë dhe ndahen përkatësisht në tri gradat e priftërisë.
    Dhjaku ka tre, në emër të Trinisë së Shenjtë, Stiharin, Orarin dhe Mbimëngët. Prifti pesë, sipas numrit të shqisave: Stiharin, Petrahilin, Mbimëngët, Brezin dhe Fellonin. Episkopit i përkasin shtatë, plotësia e priftërisë. Katër të parat, sikurse prifti, plotësuar më tej me Sakon kryepriftërore, në vend të fillonit, Epigonatin dhe Omoforin. Për të vlerësuar më tepër gradën kryepriftërore u shtuan Kryqi, Engolpioni, Skeptri Baritor dhe Mitra. Kurse tek priftërinjtë jepen si ofiqe -vlerësime- Kryqi dhe Epigonati, tek ikonomi dhe protoprezviteri.
    II
    Rrobat e shenjta dhe kuptimi i tyre.
    A. Stihari. Stihari është një këmishë e gjatë deri tek këmbët, e përbashkët për të tri gradat e priftërisë, me mëngë të gjëra që lidhen tek kyçet e duarve për lehtësi përdorimi në shërbesa. Ngjyra e tij është zakonisht e bardhë, për të simbolizuar veshjen e ndritshme të engjëjve dhe pastërtinë, për të cilën meshtarët denjësohen nga Hiri Hyjnor. Këtë dëshmon edhe vargu biblik që thuhet gjatë veshjes së tij: “Do të ngazëllohet shpirti im më Zotin; se më veshi me veshje shpëtimi dhe më pështolli me rrobë gëzimi; më vuri kurorë si një dhëndri, dhe si nuse më stolisi” (Isaia 61:10).B. Orari. Oro -nga latinishtja, lutem- është një shirit rrobe që rrotullohet në supin e majtë dhe në skajet, që varen para dhe mbrapa, shkruhet shenjt, shenjt, shenjt. Simbolizon krahët e engjëjve, përderisa dhjakonët “dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim” (Heb. 1:14). C. Mbimëngët. Me to, të përbashkëta për të tria gradat e priftërisë, mbështillen kyçet e duarve. Ato simbolizojnë veprimin e tërëfuqishëm të Perëndisë dhe dhuratat e çmueshme, që i blatohen Perëndisë me duart e meshtarëve. Prandaj thuhen vargjet e psaltirit: “Dora jote e djathtë o Zot, u lavdërua me fuqi; e djathta jote, o Zot, theu armiqtë, dhe me lavdinë tënde të shumtë dërrmove kundërshtarët. Duart e tua më bënë dhe më dhanë formë, bëmë të mençëm dhe do të mësoj porositë e tua.” (Psalmi 118:73). Ato simbolizojnë gjithashtu prangat e Zotit me të cilat, i lidhur, iu dërgua Pilatit.D. Petrahili. Asnjë shërbesë nuk bëhet në kishën tonë pa petrahil. Atë e mban prifti dhe episkopi dhe simbolizon Hirin e Shpirtit të Tërëshenjtë që zbret së larti. Prandaj edhe kur vendoset, thuhet: “I bekuar është Perëndia që derdhi Hirin e Tij mbi priftërinjtë e Tij, si miro mbi kryet, që zbret mbi mjekrën, mjekrën e Aaronit, që zbret në anën e rrobës së tij.” (Psalmi 131:16). Thekët që vendosen në fund të petrahilit simbolizojnë shpirtrat e besimtarëve për të cilët klerikët janë përgjegjës dhe do të japin llogari, ditën e Gjyqit, para Perëndisë.E. Brezi. Sipas uratës që thotë prifti, brezi, kur vendoset rreth mesit, simbolizon, së pari, fuqinë e Perëndisë, që forcon meshtarin në Liturgjinë Hyjnore dhe, së dyti, pastërtinë dhe mençurinë që duhet ta stolisë. Duke u vendosur drejt veshkave, që konsiderohen qendra e dëshirave, na kujton vdekjen e tyre. Vetë Zoti na thotë: “Le të jenë meset tuaja ngjeshur, që të jeni të gatshëm dhe të zgjuar për të zbatuar vullnetin e Perëndisë dhe të fitoni kështu thesare në qiej.” (Lluka 12:35).F. Felloni. Është veshje e hershme pa mëngë, për të treguar, sipas shën Kozmait të Etolisë, “që prifti nuk merret me gjërat e botës”. Simbolizon “mantelin e paqepur” të Zotit, të përbërë vetëm prej një cope, dhe Kishën mbi tokë, që do të thotë se kështu duhet të jetë Një edhe Kisha, e papërçarë. Simbolizon mantelin e kuq (Mateu 27:28), që veshën Jisu Krishtin në pallatin e Pilatit, për ta përqeshur. Kështu çdo prift që ecën në gjurmët e Krishtit shpesh, përqeshet, padrejtësohet, kryqëzohet. G. Epigonati. Epigonati që mban kryeprifti, simbolizon peshqirin (Joani 14:4), me të cilin Zoti fshiu këmbët e nxënësve të tij. Simbolizon edhe thikën shpirtërore (Efes. 6:17). Sipas shën Simeonit, kryepeshkopit të Selanikut, simbolizon edhe fitoren e Zotit kundër vdekjes dhe ngjalljen e Tij, prandaj edhe meshtarët thonë: “Ngjeshe kordhën tënde, o i fuqishëm, me bukurinë tënde, përqendroi forcat dhe shko përpara me ngadhënjim dhe mbretëro për të vërtetën, për butësinë dhe për drejtësinë; dhe e djathta jote do të të udhëheqë çuditërisht.” (Psalmi 44: 4-5). H. Sako kryepriftëror. Kjo veshje zëvendësoi, në periudhën e perandorisë otomane, fellonin me shumë kryqe të episkopit, dhe u bë në ngjashmëri me sakon perandorake. Por e mbajti simbolikën e fellonit, përderisa kryeprifti simbolizon Krishtin. Kumborëzat, ngjasojnë me kumborëzat e sakos së Aaronit, si një simbol të mësimdhënies dhe predikimit, që është kompetenca dhe detyra kryesore e kryepriftit.I. Skeptri baritor. Është simbol i pushtetit baritor dhe shpirtëror të episkopit. Në pjesën e sipërme mban kryqin midis dy gjarpërinjve, që të kujtojnë mençurinë baritore, sipas fjalës së Zotit: “Ja tek po ju dërgoj unë ju si dhen në mes të ujqërve; bëhuni pra të zgjuar si gjarpërinjtë dhe të butë si pëllumbat” (Math. 10:16).J. Omofori. Është shirit rrobe që varet në qafë dhe simbolizon delen e arratisur që Zoti e gjeti dhe e mori mbi supe. Prandaj dhe rekomandohet të endet prej leshi deleje. Deri në leximin e apostullit episkopi mban Omoforin e madh, pas ungjillit dhe deri në fund të meshës mban Omoforin e vogël, ashtu si edhe në gjithë shërbesat e tjera. K. Mitra kryepriftërore. E ka fillimin e saj në Dhiatën e Vjetër. Simbolizon kurorën prej gjembash por edhe pushtetin mbretëror të Zotit, për të treguar se kryeprifti është ikona e gjallë e Krishtit në kishën e Tij. Përdorimi i saj u përhap pas shekullit të 16. L. Engolpioni kryepriftëror. Varet me zinxhir të artë në qafën e kryepriftit. Është shenja dalluese e gradës kryepriftërore. Simbolizon vulën dhe dëshminë e besës. Në formën e tij vezake ikonizohet Zoti Krisht që bekon me dorën e djathtë dhe në të majtë mban Ungjillin.M. Dyqeri dhe Triqeri. Mbahen nga kryeprifti dhe me to bekon popullin. Dyqeri simbolizon dy natyrat e Zotit Krisht si Perëndi dhe Njeri. Triqeri simbolizon Trininë e Shenjtë. Me ta vulos Ungjillin përgjatë psaljes së himnit Trishenjtor dhe më pas bekon popullin.N. Mandia kryepriftërore. E mban kryeprifti kur kryen shërbesa në të cilat nuk nevojitet stolia e plotë. Për shembull gjatë shërbesës së mbrëmësores, mëngjesores, litanive etj. E ka prejardhjen e saj nga perandorët.

    Meshtarët veshin tërë stolinë priftërore sipas tipikosë, gjatë Liturgjisë Hyjnore dhe në disa shërbesa të tjera si për shembull kur kryen proskomidhinë, mëngjesoren e të Shtunës së Madhe, mbrëmësoren e Pashkës dhe të Pentikostisë. Në të gjitha ceremonitë e mistereve të tjera, në hyrjen e mbrëmësores së madhe, gjatë leximit të Ungjillit të mëngjesit, prifti vesh petrahilin dhe fellonin, Episkopi petrahilin dhe omoforin kurse dhjakoni stiharin dhe orarin. Në shërbesa të tjera më të thjeshta, prifti mban vetëm petrahilin.
    Duke përfunduar këtu këtë fjalim dhe duke falënderuar Zotin, lutemi të na denjësojë në vazhdimin e shpjegimit të Liturgjisë Hyjnore.

    Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
    Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
    † IGNATI
    Berat me 10.03.2013



  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Mesha hyjnore dhe shpjegimi i elementëve të saj.

    MESHA HYJNORE ENËT E SHENJTA (VAZHDIM)

    D. Shtiza
    Shtizë quhet një pjesë e vogël prej metali fisnik, që ka formë shtize dhe përdoret për nxjerrjen e “Qengjit të Shenjtë”, shpimin e tij dhe për nxjerrjen e pjesëve. Shën Simeoni i Selanikut, duke iu referuar Proskomidhisë, shkruan se meshtari pasi të marr një nga meshët që u ofruan nga besimtarët “e vulos atë me shtizë, në formë kryqi, dhe në këtë mënyrë simbolizon pësimin shpëtimtar të Krishtit”. Pastaj, pret vulën e meshës nga të katër pjesët e saj dhe, duke e shpuar anash, nxjerr një katror, Trupin e Krishtit, dhe e vendos në Disk. Në vazhdim, shën Nikolla Kavasila, shkruan: “Mbas kësaj, shpon Bukën nga ana e djathtë e saj -siç e shikojmë Bukën e shenjtë- duke treguar me plagën e Bukës, plagën e brinjës së Shpëtimtarit. Sa veprohen nga prifti janë një tregim real i pësimeve dhe vdekjes së Krishtit.” Në shërbesën e të Enjtes së Madhe, gjatë daljes së Kryqit, prifti këndon: “Me shtizë u shpua i Biri i Virgjëreshës”. Shtiza na kujton atë shtizë të ushtarit, me të cilën shpoi brinjën e Zotit të Kryqëzuar dhe prej së cilës “rrodhi gjak dhe ujë”. Uji simbolizon Pagëzimin dhe gjaku Falënderimin Hyjnor. Nga kjo brinjë e Shpëtimtarit “u shërua plaga e madhe, njeriu” sipas himnografit të hirshëm.
    E. Ylli
    Ylli përbëhet nga dy fletë metalike të bashkuara në formë kryqi, i cili mban mbulesën mbi Diskun kur meshtari, pas mbarimit të shërbesës së proskomidhisë së shenjtë, “mbulon Dhuratat e parapërgatitura”. Simbolizon hapësirën e qiellit dhe yllin e Magëve.
    F. Ena e ujit të ngrohtë
    Është një enë e vogël metalike, që përdoret për të prurë ujin e nxehtë. Gjatë orës së Kungatës së shenjtë, meshtari e derdh në potirin e shenjtë. Shën Gjermanoi, kryepiskopi i Kostandinopojës, dhe kanonologu Theodhor Balsamoni, duke u përballur me Armenët dhe Latinët, vëren se: “Uji i nxehtë, që bashkohet me Bukën dhe Gjakun e shenjtë në potir, është një njoftim se ato që rrodhën nga brinja e shenjtë e Zotit tonë Jisu Krisht, domethënë gjaku dhe uji, janë jetëprurëse dhe nuk janë të vdekura.” Profesori i teologjisë, Joan Mesolorai, shkruan: “Uji i nxehtë simbolizon nxehtësinë e shpirtit me të cilën duhet të kungojnë besimtarët me Misteret e Kulluara”. Prandaj, ata që shërbejnë në Ajiodhimë të kujdesen të mos harrojnë t’i ofrojnë priftit, në momentin përkatës, ujë shumë të nxehtë dhe jo të ftohtë.
    G. Sfungjeri
    Është sfungjer në formë të rrumbullakët. Mbas mbarimit të Meshës Hyjnore dhe pastrimit të Potirit të shenjtë me shaminë e kuqe, meshtari vendos sfungjerin brenda potirit për të thithur lagështinë dhe të parandalojë oksidimin. Prandaj sfungjeri, meqenëse vazhdimisht është në kontakt me pjesën e brendshme të potirit të shenjtë, duhet të ketë një diametër më të vogël nga Potiri. Sfungjeri simbolizon atë sfungjer, me të cilin i dhanë Zotit uthull kur, i varur në dru, pak para se të japë shpirt, tha, “kam etje”. Atëherë, “njëri rendi dhe e mbushi sfungjerin me uthull dhe mbasi e mbështolli në një kallam e i dha të pijë Krishtit duke thënë, lëreni të shohim nëse do të vijë Ilia ta zbresë nga kryqi” (Joani 19:29, Marku 15:36).
    H. Musa
    Është një sfungjer i shtypur; përdoret në pastrimin e diskut dhe të andiminsit. Ruhet brenda në andimins.
    I. Shamitë
    Janë shami të kuqe që përdoren në kungimin e shenjtë të klerit dhe të popullit. Me ato fshijmë buzët tona. Kur e mbajmë në rregull -me të dy duart tona poshtë mjekrës-, ruhemi nga rënia e margaritarëve poshtë nga pakujdesia.
    J. Artofori
    Është një kuti metalikë e përshtatshme dhe e veçantë, që përdoret për ruajtjen e kungatës së shenjtë. Përmban Bukën e shenjtë të ngjyer në Gjakun e Krishtit -domethënë Trupin dhe Gjakun e Tij-. Nxirret të Enjten e Madhe dhe thahet, që të rezistojë. Përdoret -e njomur me verë të zakonshme- në nevoja urgjente, jashtë Liturgjisë Hyjnore, përgjatë vitit, që të kungojnë priftërinjtë të sëmurët dhe personat që nuk kanë mundësi të shkojnë në kishë. Quhet Artofor dhe kutia shtesë tek e cila ruhet Qengji i Zotit -Trupi dhe Gjaku- nga e Djela deri në ditën që do të përdoret në Meshën e Parashenjtëruar. Artofori, duke përmbajtur Mishin dhe Gjakun e Krishtit, i vendosur mbi Altarin e Shenjtë, e shndërron në Varrin e Zotit, ku fuqia e Ngjalljes së Tij zhduku njëher e përgjithmonë vdekjen.
    K. Kambanëza
    Është një kambanëz e vogël të cilës i bie prifti në një moment të Mëngjesores, gjatë Proskomidhisë, si një sinjal fillimi, që populli të kujtojë mendërisht emrat e të gjallëve dhe të fjeturve dhe meshtari të nxjerrë pjesëzat për të gjithë “ata që ka cilido ndër mënd”.
    L. Kryqi i Nderuar
    Në mënyrë analoge për përdorimin e tij liturgjikal, kemi:
    1. Kryqin për Litani.
    2. Kryqin për Ajazëm.
    3. Kryqin e bekimit në altarin e shenjtë.
    4. Të kryqëzuarin, që del të Enjten e Madhe dhe të Shenjtë në mes të kishës për t’u falur.
    M. Epitafi
    Është beze e përshtatshme, e qëndisur ose e pikturuar, e Krishtit të vdekur, si ishte pas Zbritjes nga Kryqi. Më vonë në Epitaf u shtuan rreth Krishtit shën Maria, Josifi dhe Nikodhimi, Joani, Mirëprurëset dhe Engjëjt, në “vajtimin mbi varr”. Këtij Epitafi i falemi dhe e nxjerrim në litani, të Premten e Zezë, të shtruar mbi një tryezë të përshtatshme dhe mbi atë kemi kupolën, e cila simbolizon gurin që vendosën mbi varrin ku mbahej Trupi i Krishtit, duke pranuar këto shërbime mortore.



    Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
    Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
    † IGNATI
    Berat me 24.03.2013







  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Mesha hyjnore dhe shpjegimi i elementëve të saj.

    MESHA HYJNORE ENËT E SHENJTA (VAZHDIM...)

    N. Temjanicat
    Janë enë metalike përkatëse, të lëvizshme, që mbajnë karbonin dhe temjamin, me të cilat temjanisen, Tryeza e Shenjtë, Ikonat e shenjta dhe Populli. Varen nga katër zinxhirë -që simbolizojnë katër Ungjillorët- me dymbëdhjetë zile, që simbolizojnë dymbëdhjetë Apostujt. Trupi i temjanicës simbolizon të Tërëshenjtën dhe karbonet e ndezur, Jisu Krishtin.
    Në shërbesat e Orëve të Mëdha, në agripni, gjatë momentit që psalet polieli, apo në Mbrëmësoren e vogël, kur do të pasojë agripni, përdoren “Kacitë”,një lloj cimbali që shoqëron psalmet. Me temjamin, që blatojmë në kohën e lutjes, ndihmohet lartësimi i shpirtit drejt të lartave. “Le të ngremë lart zemrat tona”. Ashtu si temjami, kur nxehet në thëngjill, ngjitet lart duke përhapur aromë, kështu edhe shpirti i besimtarit,me besë të nxehtë, duhet të fluturojë lart duke ofruar aromë, i shkëputur nga kujdeset e jetës. Trupi i temjanicës tregon natyrën njerëzore të Krishtit,zjarri natyrën hyjnore të Tij dhe tymi aromatik “na njofton” aromën e Shpirtit të Shenjtë që paraprin.
    O. Gjashtëkrahët
    Janë disqe metalikë të gdhendur nga të dyja anët me ikonën e Serafimeve me gjashtë krahë, të vendosur në një dru. Përdoren në Hyrjen e vogël dhe të madhe dhe nëpër Litani. Në kohët e hershme kishin përdorim të ndryshëm. Përbëheshin nga krahë shpendësh -njëlloj erashke- dhe i përdornin dhjakonët, për të mbrojtur potirin e shenjtë nga insektet. Sot, kjo lëvizje, në mënyrë simbolike, bëhet me mbulesën e shenjtë tëpalosur, nga prifti, në momentin kur këndohet “Le të qëndrojmë mirë...”.
    P. “Flamurët e varur”
    Janë një lloj flamurësh të shenjtë, me ikona shenjtorësh nga të dyja krahët, të qëndisura ose të pikturuara, që përdoren në Litani.
    Q. Shandanët
    Janë mbajtëse metalike për qirinj që ndizen për ndriçim ose në shenjë shpresëtarie, dy në Tryezën eShenjtë dhe një në Proskomidhi. Ka edhe shandanë më kompleks, ku besimtarët ndezin qirinj, para Proskinitarëve. Të krishterët e parë, në mbledhjet e tyre adhuruese, përdornin lambadha. Atëherë, kur apostull Pavli ishte në Troadë, “e zgjati fjalimin deri në mes të natës,edhe në dhomën e sipërme ku ishin mbledhur ishin mjaft qirinj të ndezur” (Veprat 20:7-8).Lambadha ishte mjeti kryesor i ndriçimit në jetën adhuruese të Kishës së parë.Të porsandriçuarit mbanin lambadha. Lambadha -qirinj- ka edhe në shërbesën evarrimit, në trisai dhe në përkujtimore. Lambadha mbizotëron natën e Ngjalljes,simbol “i Diellit të lindur nga varri ierrët”. Kjo natë karakterizohet “e ndritshme”.Shën Grigor Teologu e konsideron si “kopje të Dritës së Madhe, që është vetë Krishti”. “Unë jam Drita e botës”.
    R. Kandilat
    Kandili është një mjeti hijshëm dhe i lashtë, veçanërisht i lidhur me jetën fetare të Kishës sonë.Shën Simeoni i Selanikut shkruan se kandilat shfaqin “hirin e Perëndisë së panisur dhe të pafund dhe shkëlqimin dhe veprimine Tij”, që rrezatohet tek shenjtorët, në mënyrë që, “të fuqizuar dhe të ndriçuar” prej kësaj, shenjtorët, mundën të luftojnë në botë dhe tani ndodhen bashkë me Perëndinë, duke mbajtur “të pandërprerë”hirin e Tij.
    Kandilat kanë formë “të rrumbullakët”, sepse hiri i Perëndisë nuk ka as fillim as fund. Dhe vazhdon: “kandili para ikonës së Shpëtimtarit ka tre drita, që tregon se Perëndia është një, por shfaqet në tre persona, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë”. Dhe shton: “kandili i Krishtit është Kisha, e cila, nëpërmjet vajit që ndizet, transmeton mëshirën ePerëndisë dhe është shkaktare ndriçimi hyjnor, prandaj dhe kjo dritë përhapet”.Kandili gjithashtu, është simbol vetësakrifikimi, përulësie dhe meditimi, dhe vaji i saj simbolizon dhembshurinë e Perëndisë.
    S. Çangat dhe kambanat
    Janë kambana me të cilat ftohen besimtarët, nëpër tempujt e shenjtë, me tinguj përkatës. Përshembull, për Liturgji Hyjnore, për litani, për shërbesë varrimi, etj. Në manastiret e shenjta ka edhe çanga, kopanë dhe “talanta” të drunjta, me të cilat murgjit, sipas rregullit të çdo manastiri, lajmërohen hollësisht përparapërgatitje ose për ecurinë e shërbesave.
    T. Lëndëndriçimi
    Të krishterët, që në vitet e para, përdorën në adhurim qiririn dhe vajin. Arsyeja është e dukshme.Janë lëndë që nuk bien erë, të qashtra dhe të pastra. Për këtë arsye kanë“hijeshi të lashtë” fetare.
    U. Qiriri
    Të krishterët duhet të dinë, se e ndezin qiririn në shenjë shprestarie ndaj Perëndisë, nderimi për shenjtorin dhe shprehje gëzimi shpirtëror apo pikëllimi. Lambadha simbolizon gëzimin dhe fitoren e Kishës. Është dhe tregim i shprestarisë së besimtarëve. Sipas shën Simeonit të Selanikut, qiriri që ofrohet ka kuptim të shumëfishtë dhe simbolikë.Është blatim i pafajshëm, dhe sipas besimit tonë na kujton pendimin dhe riformimin;është lëndë e formueshme dhe e butë. Simbolizon Shpirtin e Shenjtë, që na riformon dhe na rinovon shpirtërisht; flaka e tij simbolizon Hyjninë. Rrjedhimisht,është një blatim i plotë dhe një sakrificë totale. Zëri i lambadhës është: “sakrifikohem duke ndriçuar të tjerët”.I krishterë do të thotë: “jam në dispozicion të të afërmit tim”. “I Biri i njeriut nuk erdhi të shërbehet, por të shërbejë, dhe të japë jetën e tijshpërblim për shumë veta” (Marku10:45).Qiriri simbolizon qashtërsinë, pendimin dhe hyjnizimin. Gjithashtu, simbolizon dritën e Ungjillit dhe nxehtësinë e besës së të Krishterëve. Qiriri i qashtërështë simbol i natyrës njerëzore të Jisu Krishtit. Ashtu si qiriri prodhohet nga bletët që janë të virgjëra, kështu dhe trupi i Zotit erdhi nga Virgjëresha Mari.
    V. Vaji
    Simbolizon paqen,gëzimin, miqësinë, nderin, dhembshurinë dhe përdëllimin e Perëndisë, sipas fjalëve të Shkrimit të Shenjtë. “Dua përdëllim e jo therore” (Mateu9:13).Simbolizon gjithashtu hirin e Shpirtit të Shenjtë, sidomos në misterin e Pagëzimit, ku njeriu rilindet shpirtërisht dhe paqësohet me Perëndinë, sipas Shën Simeonit të Selanikut.
    Zoti vaditi ullirin me djersën e tij “si pika gjaku” (Luka 22:44)nën degët e gjelbra të të cilit gjunjëzohej përgjatë natës martirike të tradhtisë. Dhe pëllumbi i Noes, “duke mbajtur një degë ulliri në sqepin e tij”, u kthye në arkë duke shpallur ndalimin e zemërimit hyjnor. Drita hyjnore u shfaqë në botë, në dhé, më Krishtin. U zbulua në histori, por nuk vjen nga kjo botë. Krishti predikoi. “Unë jam drita e botës” (Joan8:12). Është Drita e përjetshme, Drita e vetme. Jeta e Tij, shembulli i Tij, mësimdhënia e Tij dhe sakrifica e Tij, janë drita e botës. Shën Simeon Teologu i Ri, shkruan: “Ne dëshmojmë se Perëndia është dritë dhe ata që u denjësuan ta shikojnë, të gjithësi dritë e panë dhe duke e marrë, si dritë e morën”. Shën Serafimi i Sarovit,shkruan: “Perëndia është zjarr, i cili gjallëron dhe flakëron zemrat”. Kurse teologu rus, Loski, shkruan se: “Drita hyjnore bëhet fillimi i dijes sonë,me atë e njohim Perëndinë dhe ne njihemi prej Tij”. Dhe një teolog tjetër i shquar Evdokimov, shton: “Atëherë shpirti ngrihet lart, mbi çdo shenjë të caktuar, jashtë nga çdo shfaqje dhe nga çdo përfytyrim: jeta e shpirtit, nga ikonë, bëhet banesë e Perëndisë”. Ndërsa Shën Grigori i Nisës plotëson: “Prandaj, kësaj drite, duke iu afruar shpirti, dritë bëhet” (PG 44, p. 868). “Se pranë teje është burimi i jetës, me dritën tënde do të shohim dritë” (Psalm35:10). U bëftë.

    Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
    Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
    † IGNATI
    Berat me 31.03.2013






    Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 04-04-2013 më 05:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •