Një histori e gjatë dhe e ngatërruar ajo e shqiptarëve nëpër botë. Të shpërndarë sipas një harte që askush deri më sot nuk është kujdesur që ta përpilojë me hollësi, vendndodhjen e paraardhësve tanë të afërt e të largët, të rinj e të vjetër, ekonomikë, politikë apo të natyrave gjithfarësh, të cilët ndodhen të përhapur në të gjithë sipërfaqen e globit, sipas një çrregullsie të mahnitshme.
Tragjedia e fundit natyrore në Nju Orlins ka nxjerrë nga pluhuri i shekujve një tjetër dosje emigracioni shqiptar në brigjet e përtej oqeanit. Rreth dhjetë mijë qytetarë të këtij qyteti, më saktë të shtetit të Luizianës, ku u përplas një javë më parë furia e verbër e uraganit "Katrin", rezultojnë të prejardhjes shqiptare. Një diasporë e vjetër arbëreshe, të shpërngulur në mesin e shekullit 19 nga Piana degli Albanesi në Siçili, drejt brigjeve të Misisipit, do t'i jepte jetë një bashkesie shqiptare që edhe sot e kësaj dite nuk i ka humbur rrënjët dhe vetëdijen se i përket një kombi të lashtë mesdhetar. Arbëreshët e Luizianës janë sot njëri ndër bashkësitë e spikatura të Misisipit, pas kreolëve, frankofonëve, hispanikëve dhe italianëve. Kjo bashkësi, e cila vazhdon të ruajë elementë të gjuhës dhe kulturës tonë, është ende e padalluar mes kombësive të shumta që popullojnë këtë pjesë të Jugut të SHBA.
Historia tregon se arbëreshët e Luizianës e kanë thuajse që të gjithë origjinën nga një fshat i Siçilisë rreth 80 km nga Palermo, i quajtur Contessa Entellina. Shpërnguljet e emigrantëve arbëreshë nga kjo qytezë e vogël drejt Luizianës datojnë që nga viti 1861, vit kur "contessiotti", siç quheshin ata, morën rrugën e gjatë të kurbetit për t'u vendosur në shumicë në brigjet e Misisipit. Të ndodhur fillimisht pa punë dhe përkrahje, këta arbëreshë mundën të krijojnë me kalimin e kohës statusin dhe imazhin e tyre pranë komunitetit vendas, si njerëz punëtorë dhe besimtarë. Ata u organizuar në kisha dhe shoqata ku flitej dhe kultivohej shqipja dhe italishtja. Prej 1886, arbëreshët e Nju Orlinsit u organizuan në vëllazërinë e tyre, një lloj vatre emigrantësh, e cila kishte si qëllim që të ndihmonte të papunët e të pastrehët që sapo kishin ardhur në SHBA.
Është shumë e vështirë të thuhet diçka për fatin e bashksësisë shqiptare në Nju Orlins. Ende shumë herët për të folur për një bilanc, do të na duhet të presim mjaft kohë para se të kemi lajme për të vrarët, e mes tyre, për viktimat me prejardhje shqiptare. Ajo ç'ka po ndodh këto orë në Luiziana, është një katastrofë, përmasat e të cilës kërkojnë akoma kohë që të kuptohen dhe zbulohen. Lajmet e deritanishme e çojnë faturën e dëmit ekonomik në rreth 26 miliardë dollarë dhe numrin e të vdekurve në disa mijëra. Një tragjedi natyrore ndoshta e paparë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diaspora e vjetër arbëreshe e Luizianës është në mënyrë të pashmangshme pjesë e kësaj fatkeqësie. Mbetet vetëm të shpresohet që kjo goditje të ketë marrë sa më pak jetë bashkëkombasish tanë. Një lutje që natyrisht vlen për të gjithë banorët e civilët e pafajshëm të një shteti me histori, kulturë e traditë shumë të pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta Shqiptare 06-09-2005
Krijoni Kontakt