Agjencitë shqiptare kanë dërguar gjatë këtij sezoni veror rreth 12 mijë pushues në brigjet e Antalias
Agjencitë turistike 8,4 milionë euro nga turistët shqiptarë në Antalia
Fjoraldi Zguro
TIRANË - Agjencitë turistike shqiptare që këtë verë charteruan Antalian, kanë xhiruar rreth 8,4 milionë euro. Vetë operatorët turistikë mendojnë se numri i shqiptarëve që këtë vit kaluan pushimet verore në zonën turistike të Antalias, në total për të gjitha agjencitë turistike shkon në 12 mijë persona. “Numri i turistëve shqiptarë në Antalia për këtë sezon veror në total për të gjitha agjencitë turistike arriti në rreth 12 mijë persona. Ndërkohë që vetëm nëpërmjet agjencisë sonë u regjistruan 3 mijë e 500 persona që i kaluan ditët e nxehta të kësaj vere pranë plazheve turke”, - tregoi Dritan Pajo, administratori i ATHS-së, agjenci e cila kapi gati 30 për qind të këtij tregu. Në këtë mënyrë, me gjithë disa probleme që u shfaqën në fillim të sezonit turistik për shkak të fushatës elektorale, edhe muajt e nxehtë të këtij viti konsiderohen si të suksesshëm nga ana e operatorëve turistikë shqiptarë, përsa i përket frekuentimit të brigjeve turke në Antalia. Nga informacioni i marrë pranë disa agjencive turistike në Tiranë, mësohet se kohëzgjatja mesatare që një turist shqiptar pushoi në Antalia ishte 10 ditë. Ndërkohë që 80 për qind e shqiptarëve preferuan të akomodohen në hotele luksoze me 5 yje, me sistem ushqimi “all inclusive” apo “ultra all inclusive”. Gjithashtu, këtë sezon veror u vu re një rritje e çmimeve të paketa turistike nga 10 deri në 20 për qind qysh në fillim të sezonit. Në këto kushte paketat turistike në tregun e agjencive në Tiranë startuan nga 400 euro për hotelet me 3 yje për të kaluar shifrat 1 mijë euro për person kur bëhej fjalë për hotelet luksoze në zonën e Antalias. Pra mesatarisht, çdo turist shqiptar pagoi rreth 700 euro pranë agjencive turistike kundrejt paketave me destinacion bregdetin turk në Antalia. Duke pasur parasysh numrin prej 12 mijë turistësh, rezulton se agjencitë turistike shqiptare kanë marrë 8,4 milionë euro këtë sezon veror, vetëm për opsionin e pushimeve në Turqi. Nëse do të marrim në konsideratë faktin se turistët janë të prirur të jenë më dorëlëshuar gjatë kohës së pushimeve, atëherë shifra prej 8,4 milionë euro mund të rezultojë dy herë më e lartë, pasi përveç pagesës për paketën turistike pranë agjencive në Tiranë, shqiptarët kanë shpenzuar edhe për suvenire, transport të brendshëm, ushqim jashtë hotelit apo argëtim në bregdetin turk.
08/09/2005
Krijoni Kontakt