Disa nga lojtarët e Lëvit janë sëbashku që nga U-15. Gjermanët harxhojnë 30 mln euro në vit për ekipet e moshave
Gjermania është përfaqësuesja e vetme që ka arritur në gjysmëfinalet e tri kampioneve të fundit botërorë. Në vitin 2002, humbi titullin në finalen ndaj Brazilit, ndërsa katër vjet më parë u mund nga Italia, 2-0 pas kohës shtesë në gjysmëfinalen e Dortmundit.
Nesër, gjermanët do të luajnë gjysmëfinalen e 12-të në 17-të pjesëmarrje në Kupën e Botës. Askush nuk është si ata, as nuk do të jetë…! Të tjerë Ozil, Myler dhe Khedira vijnë nga kombëtaret U-17, U-19 dhe U-21, ku Gjermania është kampione e Europës…
1 - Përse kësaj radhe nuk e nisën botërorin si favoritë?
Dëmtimet e shumta në muajin maj larguan disa titullarë, mes të cilëve kapitenin Mikael Balak dhe portierin Rëne Adler. Përgatitja e ekipit nuk ishte homogjene, pasi shtatë futbollistët e Bajernit dhe katër futbollistët e Verderit iu bashkuan ekipin vetëm pasi luajtën në finalet e kupave. Ishte një sezon i gjatë, sidomos për lojtarët e Bajernit, që kishin luajtur 53 ndeshje zyrtare, duke fituar dy nga tre trofetë e mundshëm.
Për më tepër, sivjet Bundesliga ka pasur pushimin më të shkurtër të historisë gjatë muajve janar-dhjetor, vetëm 20 ditë. Pastaj, nuk mund të konsiderohej pretendent një ekip që ka në përbërje 13 futbollistë me më pak se dhjetë ndeshje ndërkombëtare. Menaxheri, Oliver Bierhof, kishte thënë para fillimit të Kupës së Botës: “Çerekfinalet janë objektivi kryesor. Gjermania asnjëherë nuk mund të zhgënjejë. Sivjet pritet më pak se në edicionet e tjera, por kemi ekipin e së ardhmes, pavarësisht nga rezultati që do të arrijmë.
2 - “Fenomeni” është Lëv, apo janë futbollistët e shkëlqyer?
Trajneri është një takticien shumë i përgatitur dhe bazohet shumë te puna e stafit. Lëv është “pinjoll” i shifrave dhe skemave, si dhe ka mundësinë të ketë përkrah tij bashkëpunëtorët më të aftë të planetit. Gjatë botërorit, asnjë futbollist gjerman nuk u dëmtua, me përjashtim të Kakaut, që ka pasur probleme me muskujt e barkut.
Me 31.5 km/h si shpejtësi më të lartë loje, Gjermania është ekipi më i shkathët i Kupës së Botës. Lëv e ka zhvendosur skemën 4-4-2 në 4-2-3-1, por kur Gjermania mbrohet del në pah “vizatimi” i tij. Mesut Ozil, i dobët në mbulimin e kundërshtarëve, ngjitet në të njëjtin nivel me Klozen, ndërsa Podolski dhe Myler spostohen nga krahët drejt qendrës, për të ndalur lojën e kundërshtarit që në fillim. Lëvi ka pasur meritën që i besoi Ozilit dhe Mylerit, pak më shumë se 20-vjeç.
Por cilësia e tyre impononte një rrezik të tillë. Gjithsesi, Gjermania ka pasur një strukturë solide të përbërë nga gjashtë titullarë, që kanë luajtur në botërorin dhe europianin e fundit: Mertesaker, Fridrih, Lahm, Shvajnshtajger, Podolski dhe Kloze. Me Balakun do të kishin qenë shtatë, ndërsa portieri Jens Lehman u tërhoq nga futbolli.
3 - Ku janë diferencat që e bëjnë Gjermaninë kaq të bukur për t’u parë?
Bekenbaueri e ka cilësuar “skuadra perfekte”. Ka shënuar 13 gola, më shumë se kushdo tjetër në këtë Botëror dhe ka mbyllur tri ndeshje me katër gola, ndaj Australisë, Anglisë dhe Argjentinës. “Dinozaurët” e futbollit gjerman u larguan që me ardhjen e Klinsmanit, por asnjëherë nuk u shuajt fryma historike dhe dëshira për fitore. Kjo është një Gjermani “delikate” në pasime, e fortë dhe inteligjente taktikisht.
Kur kundërshtari është i rreshtuar pas linjës së topit, aksioni lind nga Shvajnshtajgeri, monumental në qendër të mesfushës. Pastaj topi luhet vertikalisht te Ozili, ose në krah, atje ku Lahm, Myler dhe Podolski alternojnë njëri-tjetrin. Në rastet kur kundërshtari nuk është i vendosur në mbrojtje (shembull janë golat ndaj Argjentinës dhe Anglisë) gjermanët kanë një saktësi pasimi mbresëlënëse. Kloze ka shënuar katër gola dhe në secilin prej tyre ka pasur detyrën vetëm ta shtyjë topin në rrjetë, përfshi edhe pasimin nga portieri Manuel Nojer.
4 - Te Gjermania ka shumë të rinj “të huaj”. Duhet që Italia, Anglia dhe Spanja ta ndjekin këtë shembull?
Po, në rast se ndodh si për disa nga futbollistët e Lëvit që janë “skartuar” nga kombëtaret e tyre. Me përjashtim të Ozilit dhe Podolskit, vendet e tjera nuk donin Boatengun, Khediran, Klozen, Troçovskin, etj… Vetëm një gjerman nga ata që luajnë me kombëtaren është detyruar të ndërrojë kombësi: braziliani Kakau. Të tjerët janë nipër ose djem të emigrantëve në Gjermani dhe janë lindur dhe rritur në këtë vend, duke u bërë simbol i integrimit rracial në shoqërinë gjermane.
Nuk mund të ndodhte ndryshe në një vend me mbi 15 milionë emigrantë. Ashtu si ka thënë Sami Khedira, kapiteni i ekipit U-21 që fitoi europianin: “Shumë prej nesh luajnë sëbashku që nga ekipi U-15. Jemi stërvitur mirë, kemi njohuri për taktikën moderne dhe dimë të sillemi jashtë fushe. Jemi miq brenda dhe jashtë fushe.” Gjatë verës së kaluar Gjermania u shpall Kampione e Europës në tre breza moshash U-17, U-19 dhe U-21. Gjermanët kanë dhjetë vjet që investojnë në futbollin e të rinjve.
Gjithçka drejtohet nga Matias Samer, shpenzohen rreth 30 milionë euro në vit, 500 milionë gjithsej që kur ka nisur projekti. Janë 400 zyra informacioni në gjithë Gjermaninë në “gjueti” të talenteve. Samer thotë: “Pesë janë rregullat bazë: konstrukti fizik, përgatitja fizike, teknika, taktika dhe zhvillimi i personalitetit. Jemi përgjegjës për rritjen e talenteve të Gjermanisë dhe dështojmë vetëm në ato raste kur nuk arrijmë t’i injektojmë atyre mentalitetin fitues. Janë djem emigrantësh, por askujt prej tyre nuk i imponojmë të zgjedhë Gjermaninë.” Në Angli, Itali dhe Spanjë “gjaku i huaj” mbetet i tillë…!
5 - Kjo skuadër e pandalshme e ka Botërorin në “xhep”?
Gjermania ka ndeshur vështirësi ndaj ekipeve që luajnë me tre mesfushorë në qendër, si në rastin e Serbisë dhe Ganës. Njëri markonte Shvajnshtajgerin, tjetri Ozilin dhe një tjetër Khedirën, duke mos i lënë të preknin topin e parë për ndërtimin e aksionit. Anglia luante me dy mesfushorë, por shpesh Xherrard spostohej në të majtë për të ndalur Lahmin dhe kjo lironte Khedirën.
Ndaj Argjentinës ishin gjithçka më e lehtë, sepse kur sulmonin gjermanët kishin përballë vetëm Maskeranon. Në momente të caktuara të ndeshjes, ekipi i Maradonës luante me 5 sulmues dhe 5 mbrojtjës. Kjo nxorri në pah lojën e “Shvajnit” dhe Mylerit, të aftë në depërtime. Por ndaj Spanjës mund të jetë ndryshe. Po ndaj Spanjës? Këtu duhet parë. Spanjollët e kanë mesfushën armën e tyre më të fortë. Ky mund të jetë “ilaçi” për të mposhtur Gjermaninë. Por nëse edhe Spanja dështon, atëherë kapiteni Lahm do ta vërë njërën dorë te kupa…
Krijoni Kontakt