Në maternitetin “Koço Gliozheni”, një nënë nga Tirana lindi pas shtatzënisë “in vitro”, 4 djem. Dr. Orion Gliozheni: Janë të shëndetshëm
Fekondimi artificial, lindin për herë të parë katërnjakë
Bruna Prifti
Lusnin prej kohësh mbërritjen e një fëmije, por janë gëzuar me katër njëherësh. Të katërt djem e me shëndet të mirë. Katërnjakët e lindur në maternitetin “Koço Gliozheni” të Tiranës njohur nga të gjithë si materniteti i ri, kanë ardhur në jetë pak ditë më parë falë fekondimit artificial. Sipas mjekut të njohur Orion Gliozheni, që është kujdesur për këtë shtatzëni, gjithçka ka shkuar shumë mirë. “Fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëna gjithashtu”, - tha ai dje për “Shekullin”.
Nëna, një e re nga Tirana (që nuk pranon të flasë), sipas mjekut Gliozheni e ka pritur me shumë entuziazëm mbërritjen e bebeve. Edhe pse kanë qenë plot katër djem. Madje ka pranuar se do t´i mbajë me shumë dashuri, pa marrë parasysh vështirësitë që mund të sjellë mirërritja e katër bebeve.
Gliozheni: Katërnjakët e parë
Nuk përbën ndonjë habi të madhe sjellja në jetë e katërnjakëve. Pasi në maternitetet tona janë shënuar edhe lindje pesënjakësh. Madje të gjithë të shëndetshëm. Por këtë herë e veçanta qëndron në një tjetër fakt. Megjithë mundësinë e madhe që ka lindja e më shumë se një bebeje, përmes fekondimit “in vitro”, ky ka qenë rasti i parë i lindjes së katërnjakëve. “Ky është rasti i parë që përmes fekondimit artificial lindin katër bebe”, - theksoi Gliozheni, duke shtuar se shtatzënitë e zakonshme kanë njohur lindje edhe me më shumë bebe se kaq.
Një në inkubator
Nëna, sipas mjekut, do të mbahet pak më gjatë në maternitet, pasi një nga bebet është në inkubator. Shkak për këtë ka qenë pesha e vogël me të cilin ka lindur një nga djemtë, krahasuar me tre të tjerët. Por kjo, sipas mjekut, nuk përbën shqetësim serioz për shëndetin e tij. Pasi pas kontrolleve të bëra, çdo gjë ka rezultuar në rregull. “Bebja që po mbahet në inkubator peshon 1 400 gramë, por shëndeti i tij është i mirë. Ndërsa djemtë e tjerë kanë lindur me peshë rreth 2 kilogramë”, - shtoi më tej Gliozheni. Mësohet se lindja është bërë me operacion, ndërsa nëna ka qëndruar pak kohë përpara se të lindte në këtë maternitet, për t´iu nënshtruar përkujdesjes së mjekëve. Tre bebet e tjerë, me flokë të zinj, qëndrojnë në dhomë me nënën dhe duken të urtë. Sa për ngjashmërinë, është ende herët të flasësh. Janë fare të veckël. Ndërsa pagëzimi tashmë është bërë. Vetë prindërit mësohet se i kanë vënë emra të kohës; Dejvid, Xhoel, Eden e Kejvin.
Deri tani, 52 të lindur
Djemtë e sapolindur e kanë çuar në 52 numrin e bebeve në epruvetë. “Deri tani numërohen plot 52 të lindur në këtë mënyrë”, - thotë doktor Orion Gliozheni që i ka ndjekur në çdo hap këto shtatzëni. Fekondimi artificial, ndonëse nuk ka kaluar pa u shoqëruar me “zhurmë”, në disa raste edhe kritika nga ana e fesë ka lumturuar shumë familje. Shumica e rasteve të trajtuara në këtë mënyrë kanë qenë më parë tërësisht të pashpresa, megjithë sprovat e shumta që kanë bërë. Mjekimet, kurat apo gjithçka tjetër ka rezultuar e kotë, ndërkohë që së fundi kanë pasur në dorë bebet e tyre, falë kësaj mënyre.
Më parë edhe trinjakë
Që në vitin 2004 në klinikën e tij private doktor Gliozheni ka realizuar shtatzëni artificiale, mes të cilave edhe barrë binjakësh e madje edhe trinjakësh. Por katërnjakësh, ishte kjo hera e parë. Sipas doktorit, teknika e realizimit është e tillë që krijon mundësi për sjelljen në jetë të më shumë se një bebeje. “Natyrisht që ka më shumë mundësi për të patur më shumë se një bebe, pasi punohet me shumë embrione njëherësh”, - theksoi doktori. Ndërkaq, teknika e realizimit të shtatzënive të tilla është tashmë e njohur. Realizohet stimulimi i vezëve te nëna që dëshiron shtatzëninë. Më pas bëhet "shpërngulja e përkohshme", nga mitra me anë të një shiringe ditën kur ato konsiderohen të pjekura dhe bashkimi me spermatozoidin në epruvetë. Ndërkaq, rivendosja e embrioneve të përftuara në mitër bëhet dy apo tri ditë më vonë. Më pas gjithçka ecën normalisht, si në një shtatzëni natyrore. Nuk ka panik për probleme apo të tjera gjëra të kësaj natyre thjesht për faktin se shtatzënia është artificiale. Sipas mjekëve, nëse konfirmohet shtatzënia, shanset për të lindur apo abortuar janë të njëjta.
Vjet pesënjakë në Tiranë
Shtatzënia e stimuluar me ilaç hormonal
Lindjen e fundit me shumë fëmijë e shënoi një nënë nga Kalaja e Dodës në Peshkopi. Thellëxa Kupe, 33 vjeçe, lindi një vit më parë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë pesë djem. Për të cilët deklaroi se do t´i dërgonte në jetimore, pasi e kishte të pamundur t´i rriste vetë. Për të nuk ishte lindja e parë, kishte edhe dy fëmijë para se të lindte pesë bebet. Por sipas mjekëve, lindja e pesë bebeve njëherësh ishte e provokuar nga përdorimi i ilaçeve hormonalë që vetë nëna kishte marrë.
Sipas specialistëve gjinekologë, shtatzënia është stimuluar nga një ilaç hormonal të quajtur clomifen, që bën njëkohësisht pjekjen e disa vezëve, për efektin e të cilit nëna nuk ishte informuar. Donika Bebe, gjinekologia që është marrë me rastin e pesënjakëve, thotë se çifti ka patur dëshirë për një fëmijë të tretë mbas dy të parëve, të cilët nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Duke qenë se periudha që ata kanë kërkuar për të realizuar këtë shtatzëni ka qenë mjaft e shkurtër, iu rekomandua përdorimin i Clomifen-it. Para këtij rasti, disa vite më parë, një çift nga Peqini lindi pesënjakë, shtatzëni e stimuluar nga i njëjti ilaç. Sipas mjekëve gjinekologë, ky përdoret në të gjitha ato raste kur një grua nuk mbetet dot shtatzënë dhe kur kërkohet një shtatzëni brenda një periudhe të shkurtër kohore. Efekti anësor i këtij ilaçi hormonal është ovulacioni i disa vezëve njëkohësisht, por jo gjithmonë ndodh kështu.
31/08/2005
KATEGORIA: Sociale.Shekulli.
Krijoni Kontakt