Miqtë shqiptarë të verës, “klubi” që kërkon të sjellë në restorantet shqiptare figurën e profesionistit të verës dhe të ringjallë traditën e lashtë të verës në Shqipëri
Belina Budini
TIRANË
– Po ringjallet shijimi i verës? Ndërsa lokalet ekskluzive të verës nuk mungojnë më në Tiranë dhe shoqata e parë e verës ka lindur, ajo që përgatitet të ndodhë është një panair i shijimit (degustimit) të verës. Një festë e madhe e shijimit të verës, tradita e të cilës mungon në Shqipëri, përjashtuar promocionet e llojeve të veçanta të verërave, siç është, për shembull, festa franceze e verës “Beaujolais”, e cila prej pak kohësh mbërrin edhe në Shqipëri si në shumë vende të botës të enjten e tretë të nëntorit. Tentativë e një feste degustimi të “pijes së të vërtetës”, ishte edhe mbrëmja e së hënës në hotel “Tirana”, që mblodhi miqtë shqiptarë të verës, të cilët kanë krijuar “klubin” e parë shqiptar të sommelierisë, pra shijetarëve dhe njohësve të verës.
Bëhet fjalë për një grup miqsh, disa prej të cilëve sommelierë (njohës profesionistë të verës), por edhe poetë apo thjesht të pasionuar pas verës, të cilët kërkojnë të sjellin edhe në Shqipëri kulturën e verës, kësaj tradite që, sipas tyre, i ka rrënjët e lashta te ne. Përveç promovimit të traditës dhe kulturës së verës, ata kërkojnë, në fakt, që një gjeneratë sommelierësh të mund të lindë edhe në Shqipëri, gjë e cila, sipas tyre, nuk bën gjë tjetër veçse përmirëson shërbimin dhe edukon mënyrën e servirjes së verës, e cila konsiderohet profesion më vete. “Misioni ynë kryesor është krijimi dhe kualifikimi profesional i figurës së sommelierit shqiptar, vlerësimi dhe promovimi i kulturës së vreshtit, përpunimit të rrushit dhe prodhimit të verës”, - thonë miqtë e “Shoqatës Shqiptare të Sommelierisë” .
Madje në misionin e tyre hyn edhe kultivimi i kulturës dhe njohurive për pijet si dhe largimi i brezit të ri nga vesi i konsumimit pa kriter i alkoolit (mbetet për t’u parë se si), ndërsa kanë krijuar edhe një revistë të specializuar të quajtur "Sommelieri shqiptar", për të mbledhur jo vetëm kureshtarët, por edhe të interesuarit për ta thelluar njohjen në “fushën e verës”. E konsiderojnë edhe vetë një start të vonuar gjithë këtë, kur shërbimi në bare dhe restorante e kërkon me ngut specialistin e verës si figurë profesionale të nivelit të lartë. “Figura e sommelierit, duke qenë hallka lidhëse ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve, e cila i mungon momentalisht ambientit kulinar shqiptar, do të rrisë në mënyrë të dukshme nivelin e shërbimit dhe si pasojë do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së turizmit në vendin tonë”, - thotë njëri nga themeluesit e klubit të miqve të verës, Dashamir Elezi.
Nuk duket punë e lehtë, në fakt, të krijosh një profesion të ri dhe t’u japësh profesionistëve të komunikimit me verën mundësinë për të pasur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, por miqtë tanë të verës e synojnë. Madje shkojnë më tej, duke kërkuar një rol për sommelierët jo vetëm në shërbimin e restoracionit, por edhe në prodhimin dhe shpërndarjen e verës, gjë që, sipas tyre, “ndikon pozitivisht në zhvillimin e këtij biznesi, duke bërë të mundur rritjen e cilësisë dhe përhapjen e produkteve enogastronomike shqiptare nëpër botë”.
Krijoni Kontakt