Ekspertët pohojnë se rajoni ka zhvlerësuar monedhat vendase për të stimuluar eksportet. Në vendin tonë, mungesa e prodhimit dhe nënçmimi i ekzagjeruar i lekut sjell çmime të larta
Monedha vendase -- e këmbyer me euro
Monedha vendase vazhdon të pozicionohet akoma më e fortë në tregun valutor vendas, në krahasim me monedhën e përbashkët evropiane, euron. Por situata paraqitet krejt ndryshe në vendet e rajonit, në të cilët theksohet zhvlerësimi i kursit të këmbimit të monedhave vendase, dhe kjo bëhet për shkak të hapjes së tregjeve të shkëmbimit të mallrave. Pra, leku shqiptar pozicionohet si monedha më e fortë në këmbim me euron, e krahasuar kjo me vendet e rajonit. Por ndryshe nga sa po ndodh, ekspertët parashtrojnë idenë se, sipas tezave ekonomike, zhvlerësimi i monedhës vendase do të ndihmonte në forcimin e ekonomisë, pasi do të kishte më shumë përfitime në eksporte. Por sipas tyre, në rastin e vendit tonë, zhvlerësimi i lekut në një kohë kur mungon prodhimi vendas, do të ishte thikë me dy presa për ekonominë. Pra, kjo do të sillte rritje të mëtejshme të çmimeve. Ekspertët parashtrojnë idenë se zhvlerësimi i lekut në vendet e rajonit ka pasur si qëllim stimulimin akoma më shumë të prodhimit vendas, por ka mbuluar edhe deficitin tregtar. Politika e zhvlerësimit të lekut në rajon ka qenë e diktuar nga bankat qendrore, një veprim ky i cili nuk mund të ndërmerret nga ne. Problemi i deficitit tregtar është i pranishëm në shifra alarmante në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, deficiti tregtar për muajin janar të këtij viti arriti në 220 miliardë lekë. Pra, sipas ekspertëve, e vetmja mënyrë për zhvlerësimin e monedhës vendase mbetet ajo për një zhvlerësim të diktuar nga Banka e Shqipërisë, në rastet se ekonomia do ta kërkonte atë. Sakaq, ulja e normave të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë në një kohë kur ekonomia paraqet mungesë të prodhimit vendas, do të sillte çmime akoma më të larta. Po ashtu, ulja e normave të interesit të lekut është edhe në interes të qeverisë, pasi kjo nuk do të sillte kosto të lartë në shlyerjen e borxhit të brendshëm. Por nga ana tjetër, ekspertët parashtrojnë idenë se rritja e normave të interesit redukton uljen e parasë “cash” në qarkullim, ku sipas tyre, me normat e larta që janë sot deri në vitin 2009, të gjitha transaksionet do të kryhen nëpërmjet bankave. Një tjetër faktor i cili mund të ndikojë në zhvlerësimin e parasë vendase, është edhe kriza ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Rezerva Federale është e detyruar sërish të ulë normat e interesit. Kjo situatë do të përcillet në vendet e Evropës, e cila pritet të vijë dhe tek ne. Gjithashtu, ekspertët veçojnë se faktorët kryesorë që po mbajnë një monedhë vendase të forcuar, janë fillimisht të ardhurat në nivel të lartë të emigrantëve. Pavarësisht se prej tyre kjo periudhë njihet si “e qetë”, të ardhurat e emigrantëve ndikojnë në forcimin e monedhës së huaj. Po këtu veçohet edhe mungesa e prodhimit bujqësor në vend, si dhe investimet e huaja. Por duke iu referuar situatës në rajon, mësohet se zhvlerësimi i monedhave vendase ka sjellë hapjen e tregjeve. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë, vërehet zhvlerësim i theksuar i kursit të këmbimit të dinarit përkundrejt euros (5.1 për qind), duke filluar nga fillimi i vitit 2008 (nga 79.24 në 83.46 për një euro). Kështu, në datën 28 shkurt, guvernatori i Bankës së Serbisë, Radovan Jelasiç, njoftoi rritjen e normës së interesit me 0.75 për qind, duke e çuar atë në 11.50 për qind. Për sa i përket Kroacisë, kursi i këmbimit midis kunës (monedha kroate) dhe euros pati një zhvlerësim të lehtë me 0.2 për qind në muajin dhjetor 2007, ku euroja u vlerësua nga 7.31 kuna më 30 nëntor dhe me 7.33 kuna më 31 dhjetor 2007. Në terma nominalë, kursi i këmbimit të kunës me euron është forcuar me 0.3 për qind në fund të vitit 2007, krahasuar me 7.35 kuna/euro në fund të vitit 2006. Kursi nominal i këmbimit të kunës ndaj euros iu nënshtrua presioneve rritëse në njëzetë ditët e para të muajit dhjetor. Kërkesa për kuna u rrit për shkak të rritjes sezonale të konsumit dhe të parasë jashtë bankave. Në të njëjtën periudhë, tregu valutor pati një rritje të ofertës valutore, e ardhur si rrjedhojë e fluksit të madh hyrës të remitancave nga jashtë. Kurse në Maqedoni, vetëm në fund të muajit kursi i këmbimit të denarit kundrejt një euroje në tregun valutor ishte 61.29, duke ruajtur nivele relativisht të qëndrueshme.Kodi:Leku shqiptar 124.6 Dinari serb 79.24 Denari maqedonas 61.29 Kuna kroate 7.31 Levi bullgar 1.95 Paundi i Qipros 0.58 Koruna çeke 27.53 Krone daneze 7.45 Kruni estonez 15.6 Litasi lituanez 3.45 Lira e Maltës 0.43 Koruna sllovene 34.23 Zloti polak 3.77
KORRIERI
Krijoni Kontakt