SHTËPIA MBI UJË [EP 1]
**********************
**********************
mesditë.
ngre shikimin
20 gradë mbi tokë,
vendos krahët në drejtim të diellit,
këmbët shtrirë janë,
pingul me rrezen më të drejtë.
mendja e kthjellët,
udhëtimin nis
duke lexuar qiellin.
**********************
Shtëpia mbi ujë
**********************
në krye të korridorit të gjatë
me mure dallgësh
Pranë dritares
vështrojnë sytë e hirtë
të djalit me violinë.
Në anën tjetër,
Të ftuarit nga qielli
Që Pijnë esencë shpirti
Të tjerët nga nëntoka
Thithin ajër tingujsh
Cfarë ishte krijuar,
Dukej ndryshe.
Një vend pa kohë
Për të mësuar fluturimin
Ose rënien e lirë.
***********************
***********************
vegjetojnë mbi fijet e thurjes së territ,
pa idenë e vuajtjes së madhe,
në psherëtima që rikrijojnë veten perceptimeve.
është e vështirë jo e pamundur.
kllapia zë fill në qelbëzimin e lotit,
në shtrydhjen dhe spërkatjen.
rrëmimi është i ndërsjelltë.
blegërimi të këput në shpirt.
dhimbja është kalimtare,
e pavëmëndshme,
rrotull, mbi dhe nën të.
varkat notojnë përkundër llucës.
bllokim.
ndër mesmer
i presim thonjtë njëri-tjetrit.
******************
******************
vetë-absorbohet mishi
në qetësinë e thikave.
ritmikisht gufon
metamorfoza e ndjenjave.
mendimet përdalë,
mbështjellin trupin e ftohtë
me rrjeta këstesh
fytshtrënguese.
kostumi
u bë pis,
ndjellur në vrima kotësie e hici.
vrimat intuojnë shndërrimin,
gropat hapësinore.
cdo qelizë e imja varroset në to,
për së gjalli.
asfiksimi,
duke (e) pritur vjen natyrshëm
duhet të durosh imazhe të vetes
që përdhunojnë idetë (veten);
një nga një, pa rradhë.
shtrëngim dhëmbësh,
mpleksje gishtash pa thonj.
shtypja.
koret palosen
mbi njëra tjetrën,
udhëtim vertikal
e shpejtësi skëterre.
pajtim gjakrash
a të paktën thithje sadiko-reciproke.
shkartisje sferash,
riformulime kubesh
e fjalime thuprash,
që vetë-shihen në pasqyrë.
dementia.
impulse të ngërthyera
e të pabarabarta.
kokëfortësi rrypash
e vdekjesh lineare.
metrika kapelesh të mbi palosura,
mbushur cit me insekte.
therja e mishit,
copëzimi i njëtrajtshëm,
diagonale të hedhura me kujdes
cepave brinjë-përthyer,
të paepur për merimanga, helm dhe tharm.
clodhja e pllakave,
papastërtia e tyre,
ekstaza dhe egërsia.
humbja dhe rifitimi i koncepteve.
********************
********************
bëhet fjalë për restaurim maskash,
afshesh-drithërimë.
bëhet fjalë për kuti
të mbushura me objekte,
marrjen-dhënien me to.
bëhet fjalë për dy, tre
apo më shumë dykëmbësha,
tredimensionalë.
bëhet fjalë për thasë mërie e mllefi,
riciklimi konstant.
bëhet fjalë për mohim formash të pakëndshme,
shtrembërim sysh e fyerje.
bëhet fjalë për qelqe që fiken,
ndizen,
fiken prapë.
djegie.
flitet për gjumë të vegjëlish
dhe ëndrrat e tyre.
**********************
**********************
format janë transformuar në përshtypje,
ndijimi është rifituar primitiv,
gishtërinjtë e pemës
mbi të cilën kacavjerrur jam ;
lëshohen duke prekur
helmin mbi sipërfaqe.
dërrasat janë shtrirë të kalbura,
që unë të rrëshqas,
një tjetër herë.
rrotullohem në rënien,
drejt epiqendrës
së jetëve të jetuara paralelisht,
shumë jetë paralele,
kube të shembura përdhe.
jetët ndalen,
atëherë kur prishet simetria e kuptimit.
një histori që fundin e kish të mirëpërcaktuar.
*****************
kuadratet u përcëlluan,
flakët kurvërojne brenda kubeve
që më pas lakohen
fill duke u rikthyer në origjinë.
nga një gisht për cdo kub,
për të manovruar këndshëm flakët.
prekja insiston liturgjike,
në një kohë të caktuar të ditës,
në sekonda të bukura amnezie.
ambjentet shndërrohen,
sic ndryshon perceptimi për to.
sikur do të mund ti jepja kuptim,
sikur të ishim ne të pafajshmit
që vuajnë dënime të padrejta.
kuadratet bëhen kube,
kubet lakohen dhe flakët flenë
e prapë zgjohen.
***************
Dritë-hije nën derë.
***************
Dritë-hije nën derë
Dhe kopsat në mur,
Frika përvidhet nën lëkurë.
Plasaritja në dorë,
Bëhet tempull
ku kolonitë parazitojnë.
Dje ishte ditë.
E dielli ndriconte,
E djersët nën sqetull,
E fryma e ngrohtë,
Mbi akull shkrinte tretjen.
E molla e pangrënë u kalb,
Dhe mizat silleshin rrotull njerëzve duke nuhatur
C’gatuhej brenda tyre,
E njerëzit u panë në sy,
Si për herë të parë,
Dhe nuk njohën njëri-tjetrin.
Dritë-hije nën derë
Dhe kopsat në mur (faktorë të pazbërthyeshëm),
Frika përvidhet nën lëkurë.
Krijoni Kontakt