STUDIMI/ Kritiku Abdurrahim Myftiu publikon kronologjinë e kinematografisë shqiptare që në embrion
Diktatura në filmat e demokracisë
Sot kinemaja jonë përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut
Elisabeta ILNICA
TIRANË – Komunizmi ra, por sërish ai mbeti në qendër të vëmendjes. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga hapja e dyerve të demokracisë, sistemi totalitar ka mbetur po aq aktual sa dikur, mbase edhe më shumë. Ky fakt është karakteristik për kinematografinë shqiptare. Do të mjaftonte vetëm një monitorim i filmave të prodhuar pas vitit ’90, për të parë se sa vend zë komunizmi në industrinë e kinematografisë në vendin tonë. Dhe realisht prodhimet me këtë temë kanë rezultuar edhe ndër filmat më të suksesshëm, si: “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut, “Parrullat” e Gjergj Xhuvanit dhe plot të tjerë me histori nga diktatura. Suksesi i tyre nuk ishte vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve, madje duke u vlerësuar me çmime ndërkombëtare nëpër festivale të ndryshme.
Komunizmi mbetet akoma subjekti më i lakmuar nga regjisorët shqiptarë, edhe pse ka 15 vjet që ka rënë poshtë. Pikërisht mbi këto fakte është nisur edhe kritiku Abdurrahim Myftiu, kur thotë: “Në filmat artistikë shqiptarë të kësaj periudhe gjejmë një pasqyrë të realitetit shqiptar në dy kohë: në kohën e regjimit totalitar para vitit 1990 dhe në periudhën e quajtur të “tranzicionit” nga shoqëria totalitare në shoqërinë demokratike, pas vitit 1990”. Për më tepër, Myftiu ka shpalosur mendimet e tij në një libër kritik, i cili titullohet “Filmi në kapërcyell të shekullit”, ku më tepër bazohet në prodhimin e kësaj industrie pas demokracisë. Megjithatë, pena e tij ka shkruar edhe mbi një kronologji të kinematogroafisë shqiptare që në fazat e para të “embrionit”.
Fillimet
Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-1912. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës I Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat.
Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
Pas çlirimit
Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, Franca e Italia. Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovjetik Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës). Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë “Fëmijët e saj”, film i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani), dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet ‘60
Këto vite shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht një film në vit, kryesisht me subjekte nga lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani. Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës, u shënua një rritje të ndjeshme të prodhimit, nga 5-6 filma artistikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet ’80. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regj. Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim “Beni ecën vetë”, 1975); kinokomedia e parë “Kapedani” (1972, regj. F. Hoshafi e M. Fejzo); u bënë filma historikë e muzikorë; po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të tjerëve bënë filma një brez i ri regjisorësh, R. Ljarja, S. Kumbaro, I. Muçaj, K. Mitro, E. Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë edhe TV Shqiptar (“Udha e shkronjave”, 1978, regj. V. Prifti).
“Boom!” filmash
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin, si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si “Ballë për ballë” (1979, regj. K. Çashku e P. Milkani), “Dora e ngrohtë” (1983, regj. K. Çashku), “Agimet e stinës së madhe” (1981, regj. A. Minga), “Kohë e largët” (1983, regj. S. Pecani), “Tela për violinë” (1987, regj. B. Kapexhiu), etj. Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit, dhe pati tipare të thella propagandistike po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin “Zana dhe Miri” (1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në vit.
Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve dhe industrisë kinematografike. Deri më 1990-ën, nga rreth 200 filma artistikë, 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Pas komunizmit
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella. Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio dhe filmat tani prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike private (kryesisht regjisorë të kinostudios së mëparshme), në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90 dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri, që ka dhënë tashmë rezultatet e para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në bazë të Ligjit për Kinematografinë, mjaft i diskutuar nga kineastët.
Kinemaja sot
Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit në sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshem, dhe vetëm kohët e fundit janë bërë dhe po bëhen përpjekje për ngritje sallash të reja bashkëkohore, si kinemaja “MILLENIUM” në Tirane dhe një tjetër në Elbasan. Nga ana tjetër, forcat krijuese janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara nga trysnia etatiste, totalitare dhe ekonomike e përqendruar, si dhe me iniciativë private përherë në rritje. Mund të thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër.
FESTIVALET
Si konkurrohej bota me prodhime vendase
TIRANË - Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet ’90 u bë institucion më vete. Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit. Që prej vitit 1976 në Shqipëri janë organizuar Festivale Kombëtare të Filmit, në fillim një herë në dy vjet për të gjithë filmat, e më pas në mënyrë alternative, një vit për filmin artistik, e një vit për filmin dokumentar e vizatimor. Në vitet ’90 festivalet janë organizuar një herë në pesë vjet. I fundit, Festivali XI – prill 2000, mblodhi gjithë prodhimin e pesë vjetëve, 10 filma artistikë, 27 dokumentarë, 14 vizatimorë. Në prodhimin e viteve ’90 vazhdon të ndjehet tipari i thellë social, preokupimi i artistëve për problemet e shoqërisë, në veçanti të lidhura me dukuritë e reja të periudhës së tranzicionit. Një numër filmash kanë stigmatizuar totalitarizmin. Në këtë festival, për herë të parë u shfaqën prodhime të kineastëve shqiptarë nga trevat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në dy festivalet e fundit (1995, 2000), përveç çmimeve të tjera, u dhanë edhe çmime të karrierës, të cilat u fituan nga regjisorët Dh. Anagnosti e K. Dhamo e nga aktorët K. Roshi e S. Pitarka. Megjithatë, nga viti në vit ka patur një përmirësim të prodhimeve shqiptare, edhe pse ende regjisorët nuk kanë gjetur “veten”. Siç duket tranzicioni do të vazhdojë për një kohë të gjatë, ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe në industrinë e filmit. “Diktatorët” duan shumë përpjekje dhe kohë që të zhduken.
SHKOLLIMI/ Në vitet ’50 nisi të ndërpritej specializimi i kineastëve jashtë
Arti i prodhuar me “forcat tona”
TIRANË – Dëshira për të prodhuar sa më shumë filma në vend shtoi edhe domosdoshmërinë e trajtimit profesional të artistëve që do të prodhonin. Për këtë arsye, veç shkollimit në Shqipëri, nisi në “modë” specilizimi në vendet e ish-bllokut komunist. Por kjo zgjati vetëm pak vite, vetëm në dhjetëvjeçarin e parë të pasçlirimit. Më pas u ndoq një tjetër taktikë. Ashtu si edhe për shumë gjëra të tjera, edhe arti duhet të prodhohej në vend dhe me “forcat tona”. Shkollimi i kineastëve shqiptarë nisi në vitet ’50 në vendet e Europës Lindore; më pas, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u bë më jashtë vendit, por brenda vendit, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, ose me specializime në Kinostudio. Kritika dhe studimet për kinemanë u zhvilluan disi krahas rritjes së prodhimit, kryesisht nga vetë kineastët apo nga gazetarët. Revistë e posaçme ka qenë në vitet ’80 “Skena dhe Ekrani”, e cila pushoi së botuari në fillim të viteve ’90. Në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave historia e kinemasë shqiptare studiohet në një departament të veçantë. Deri në fillim të viteve ’90 kineastët kanë qenë të organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; më pas ata u veçuan dhe formuan Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë.
LIBRI/ Studiuesi Abaz Hoxha sjell një tjetër botim mbi sekretet e kinematografisë
Histori “yjesh” edhe në Tiranë
TIRANË - Një studim dhe një botim mbi kinematografinë botërore dhe yjet e saj ka dalë në qarkullim në këto ditë të nxehta vere. Është studiuesi dhe pedagogu i njohur Abaz Hoxha, i cili sjell për studentët e Akademisë së Arteve dhe publikun e gjerë, një botim të fundit në fushën e filmit. Hoxha ka rendur në etapat e para këtu e 110 vjet përpara për të sjellë momente nga dita e lindjes së kinematografisë botërore, kësaj shpikje të madhe, e cila u quajt më e bujshmja dhe më sensacionalia e shekullit të 19-të. Në botimin e tij të parë të titullur “Kinematografisë botërore 1” Hoxha sjell periudhën e filmit që nga shpikja e tij në vitin 1895 dhe deri në vitin 1945. Pjesën tjetër të kësaj historie, e cila nis me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore e deri tek ditët tona, ai do ta sjell në vëllimin e dytë. Në këtë botim studiuesi Hoxha sjell “Yjet më të mëdhenj të kinematografisë botërore”, Clara Bow, Mirna Loy, Bette Dvis, Liz Taylor, Brigite Helm, Greta Garbo, Gary Cooper, Lorenc Oliver, Nelson Eddy, Harry Baur, Ingrid Bergman, Shirley Tempel George Allis, etj. Në këtë botim kinematografia botërore është ndarë në katër pjesë, në të parën shtrihet çështja se si lindi kinematografia botërore, kalimi i saj nga një shpikje teknike në industri fitimprurëse, e më pas jepen momente kyçe nga kinematografia e Francës, SHBA, Gjermanisë, Anglisë e shumë vendeve të tjera. Hoxha sapo ka hedhur në treg dhe një botim mbi kinematografinë shqiptarë që nga fillimi i saj e deri në ditë e sotme. Ai njihet si botuesi i 16 librave dhe aktualisht është pedagog pranë Akademisë së Arteve. A. Çuli
KUNDËR
“Vdekja e Kalit”, filmi i parë postkomunizëm
TIRANË – Kur “perdja e hekurt” ra, kineastët mendonin se çfarë do të bënin tashmë. Në dilemën e tyre për të guxuar, më në fund regjisori Saimir Kumbaro dhe skenaristi Nexhat Tafa arritëm të dilnin nga udhëkryqi ku kishte mbetur kinematografia shqiptare. “Vdekja e kalit” ishte filmi i parë postkomunist, ku u dha qartë fati individit në vitet e diktaturës. “Filmi shtjellohet rreth fatit të një njeriu të thjeshtë, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, për lidhje me ushtarakët “puçistë” dhe akuzohet pa asnjë lloj fakti. Pas arrestimit të tij, vijojnë internimet e familjes, ndarja nga e fejuara, e cila aborton dhe gjen vdekjen. Ndërkohë, intrigranti që e kishte kallëzuar në polici ngrihet në detyrë dhe bëhet zv/kryeministër”. Ky është subjekti i filmit, i cili veç një fatit tragjik të një çifti, nuk mundi të mos japë edhe dramën e madhe të komunizmit. Më saktë, të dyja plotësuar njëra-tjetrën në film. Trajtimi i kalit si një qënie e vetmuar dhe e një tufe që gjallon pas tij, është jo vetëm poezia dramatike e prozës dramatike të jetës, e dhënë në imazh me frymë thellësisht tragjike, por edhe një përgjithësim i fuqishëm artistik i fatit të individit e të shoqërisë në kushtet e totalitarizmit: kali i vetmuar, kali i vrarë, është individ pa lidhje të vërteta shpirtërore me shoqërinë, kurse tufa kolektive është ajo turmë që në gjuhën e kohës quhej “popull i nderuar”, por që në të vërtetë trajtohej pa dinjitet. Për këtë film, kritiku i njohur i kinemasë shqiptare, thotë: “Vdekja e kalit” është një film i ndjerë, më i miri i atyre viteve me frymë humaniste e nota publicistike të aktualitetit, një dokument, madje për rrjedhat e kinematografisë shqiptare, si filmi i parë artistik i xhiruar pas ndërrimit të sistemeve shoqërore, pa frikën e censurës partiake të dikurshme”.
Dita.
Krijoni Kontakt