Marre nga BBC Shqip.
Botuar: E diel, 28 gusht 2005 - 17:49 CE
Petersen dënon vrasjen e serbëve
Dy qytetarë serbë janë vrarë, ndërsa dy të tjerë janë plagosur të shtunën në mbrëmje, në afërsi të komunës së Shtërpcës të banuar me shumicë serbe.
Në drejtim të viktimave është shtënë me armë zjarri në makinën e tyre.
"Viktimat po ktheheshin në komunën e Lipjanit me popullatë të përzier, kur një makinë që po i ndiqte, i qëlloi ata," kanë njoftuar autoritetet komunale të Shtërpcës.
Dy të plagosurit po trajtohen, një në spitalin e Prishtinës, tjetri në Graçanicë. Mediat serbe njoftojnë se ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Në komunën e Shtërpcës është formuar shtabi i krizës në krye të të cilit është kryetari i komunës, Stanko Jakovljeviq, ndërsa janë shtuar masat e sigurisë në të gjitha rrugët që çojnë në këtë rajon.
Incidenti është dënuar fuqishëm nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen.
“Jam i tronditur dhe i tmerruar nga ky krim i pakuptimë dhe tragjik. Jam njoftuar nga policia për rastin dhe kam kërkuar t’i kushtohet vëmendje e madhe e të mos lihet pa u lëvizur vendit asnjë gur, për të arrestuar kryesit e këtij akti kriminal të neveritshëm”, ka thënë zoti Petersen, përmes një komunikate për media.
Ai ka ngushëlluar familjet e viktimave për humbjen e të dashurve të tyre.
Shefi i UNMIK-ut ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion për këtë krim, përfshirë kryesit e kësaj vepre, të paraqiten në polici.
Edhe Zyra e Presidentit të Kosovës ka kërkuar nga organet e ndjekjes që të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të hetuar rastin dhe për t’i nxjerrë kryesit e këtij krimi para drejtësisë.
Duke apeluar te qytetarët e Kosovës që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe drejtësisë për zbardhjen e rastit, qeveria e Kosovës thotë se “pavarësisht nga motivet dhe rrethanat, Qeveria kërkon me ngulm nga UNMIK-u dhe Shërbimi Policor i Kosovës aksion të shpejtë dhe efikas në arrestimin kryesve të kësaj vepre makabër”.
Ndërkohë kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica e ka ndërlidhur incidentin e mbrëmshëm me siç ka thënë “mospërmbushjen e standardeve në Kosovë” dhe ka kritikuar UNMIK-un për atë që e ka cilësuar “mosmbrojtje të pakicës serbe”.
“Dua të dëgjoj nga ju me zë të lartë dhe të qartë se për çfarë standardesh po flisni, kur po vriten të rinj vetëm pse janë serbë”, ka thënë kryeministri serb Koshtunica në një letër drejtuar shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen.
Incidenti i mbrëmshëm në Shtërpcë ndodhë në një kohë te ndjeshme për të ardhmën e Kosovës.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e standardeve, Kai Aide aktualisht është në përgatitje të raportit të tij për të vlerësuar nëse në Kosovë janë bërë përparime të mjaftueshme në demokratizimin e vendit dhe respektimin e të drejtave të pakicave, si kusht për fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Krijoni Kontakt