Raporti i Kosovës i dorëzohet Ananit
Rugova tha se raporti i hap rrugën një takimi ndërkombëtar për statusin e Kosovës
Autori i Lajmit: Red.
KOMBET E BASHKUARA - i dërguari i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e standardeve, ambasadori Kai Eide i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan, raportin me rekomandimet nëse duhet të fillojnë bisedat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zëdhënësi i OKB-së tha se Anan do të studiojë raportin dhe pastaj, së bashku me rekomandimet do t’ia dërgojë Këshillit të Sigurimit, për të vendosur rreth hapave të mëtejmë. Këshilli i Sigurimit pritet të diskutojë për Kosovën në gjysmën e dytë të tetorit.
Vullneti politik
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi deklaroi dje se hapi politik i Bashkimit Europian për njohjen e vullnetit politik të popullit kosovar do të ndihmojë në zhvillimin e proceseve pozitive në Kosovës. Kosumi e bëri këtë deklaratë pas takimit që pati me ministrin filandez të Punëve të Jashtme Erik Tuomijam. Burime diplomatike në selinë e Kombeve të Bashkuara bëjnë të ditur se ambasadori Kai Eide në raportin e tij që ia dorëzoi dje Kofi Anan rekomandon fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Sipas agjencisë së lajmeve Tanjug, në raport vlerësohet se standardet nuk janë plotësuar në masën që ka pritur bashkësia ndërkombëtare, por megjithatë bisedimet për statusin do të nisin.
Reagimi
Nëse do të reflektojë përparimin e bërë në Kosovë, raporti i ambasadorit Eide do të jetë pozitiv dhe do të hapë rrugën e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, thanë udhëheqës të institucioneve të Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova tha se raporti i ambasadorit Eide i hap rrugën një takimi ndërkombëtar për statusin. “Pas vlerësimit të raportit të ambasadorit Eide mund të hapet rruga për biseda për të ardhmen e Kosovës, pra që është pavarësia”, tha Rugova pas takimit me ministrin e Jashtëm finlandez Erki Tumioja, që vizitoi dje Prishtinën.
Bisedimet
Eurokomisioneri për zgjerim Oli Rehn, ka deklaruar se përveç njohjes së reformave demokratike në Serbi e Mal të Zi, vendimi për hapjen e bisedimeve të asociim stabilizimit me Beogradin, është gjithashtu edhe shenjë se Bashkimi Europian pret qasje konstruktive të autoriteteve të Beogradit rreth çështjes së Kosovës. Ren, tha se pret që bisedimet për statusin e Kosovës të fillojnë gjatë kësaj vjeshte.
Kundërshtimi
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se hapja e kapitullit të statusit është e parakohshme për shkak të qëndrimeve të kundërta të shqiptarëve dhe serbëve për këtë status. Sidoqoftë, ministri i Jashtëm finlandez Erki Tumioja tha se Kosova ka një vizion evropian, ndërsa qeveria e tij do ta mbështeste zotin Mati Ahtisari, nëse ai do të ishte i dërguar i OKB-së për statusin.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2005
Krijoni Kontakt