Miliitanti i sakrificave për liri kombëtare
Skënder Emërllhu, djali i Sabit dhe Hasime Emërllahut lindi në një familje në të cilën shkrimi dhe leximi, dashuria për vendin, lirinë dhe kulturën kombëtare ishin ideale, qëllim dhe frymëzim jetësor. Ai hyn në radhën e lexuesve të pasionuar. Përveç librave shkollor Skënderi lexonte edhe libra tjerë nga kultura dhe historia e popullit tonë. Ai lexonte edhe shtypin e përditshëm, dëgjonte Radio Tiranën dhe rrinte edhe me njerëz të moshave të ndryshme dhe mësonte nga provoja dhe dituria e tyre.
Një edukatë dhe kulturë kombëtare ai e mori pikërisht në gjirin familjar e posaçërisht nga i ati i tij, i cili i shpjegonte shpesh për historinë kombëtare dhe figurat e shquara të kombit.
Ngjarje që e frymëzuan
Demonstratat e vitit 1981, përmes së cilave populli shqiptar në Jugosllavi po kërkonte pavarësi politike, ekonomike dhe territoriale përmes statusit të Republikës, guximi dhe vendosmëria e të rinjve dhe të rejave shqiptare për të dal me gjokse të hapura para tankeve serbe, u bënë për Skënder Emërllahun burim frymëzimi dhe udhërrëfim në jetën dhe angazhimin e tij për liri dhe pavarësi. Shembujt e flijimit, shembujt e sakrificës, shembujt e guximit Skënderi i gjeti në familjen e tij, i gjeti tek prindërit e tij, i gjeti tek Mehmet Emërllhu, pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968 në Ferizaj, i gjeti tek Faredin Emërllahu i plagosur në demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë dhe pjesëtarë aktiv i lëvizjes për pavarësi i gjeti tek Naim Emërllhu, pjesëmarrës i Lëvizjes Ilegale me 1981 dhe kundërshtar i hapur i politikës së diferencimit. Populli nuk thotë kot “dardha pikë nën dardhë”. Por edhe dashuria për atdheun, shpirti i sakrificës dhe gatishmëria për flijim, pikin aty ku ka dashur për atdheun, aty ku ka frymë kombëtare, aty ku flakëron flaka për lirinë. Dhe këtë flakë Skënderi e gjeti mes qytetarëve të Ramjanit, të Sllatinës, Dardanisë dhe e barti kudo ku shkeli këmbë e tij nga Ramjani në Dardani, nga Vitia në Prishtinë, nga Austria dhe Zvicra në Gjermani.
Ngjarjet e ndryshme që ndodhnin pas vitit 1981, tek Skënderi lanë përshtypje të veçanta siç ishte rasti i Tahir Mehës në Drenicë.
Vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, në Untergrupenbach të Gjermanisë, shtuan tek Skënderi urrejtjen për armikun të cilin duhej luftuar. Nga përshkrimin e kësaj ngjarje në ditarin e tij personal, shihet se sa shumë Skënderin e ka brengosur vrasja e këtyre tre atdhetarëve.
Rasti tjetër, i cili po ashtu ka ngjallur urrejtje të madhe ndaj pushtetit, ishte edhe vrasja mizore në lokalet e UDB-së e nxënësit te vitit të dytë të shkollës së mesme në Ferizaj, Afrim Abazit.
Hapat e parë në lëvizjen ilegale
Gjatë viteve 1982-83 Skënderi fillon të lexoj edhe literaturë për fytyrat më të ndritura të kombit shqiptar si për Bajram Currin, Ismail Qemajlin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin,Isa Boletinin e të tjerë. Veprat e tyre e frymëzojnë dhe ndikojnë tek ai që të mos rrijë duarkryq para armikut shekullor. Kështu Skënderi fillon të njihet dhe bëjë hapat e parë në lëvizjen ilegale.
Në vitin 1983 Skënderi filloi të shoqërohet ngushtë me Afrim Agushin dhe Defrim Ramadanin ku vendosën të formojë grupin ilegal me emrin “Grupi Revolucionar i të Rinjve të Kosovës“ (GRRK). Shokë të tjerë, të cilët iu bashkuan grupit, sipas ditarit personal të Skënderit, janë edhe Naim Sylejmani, Naim Ismajli, Sabit Sylejmani, Ismajl Bushi, Shyhrete Sabiti, Lule Ramadani etj.
Dhe në këtë rrugë Skënderi siç shkruan në ditarin e vet, u mbështet, u inspiruar dhe u orientua nga kushëriri i tij Faredin Emërllahu. Nga Faredin Emërlahu, Skënderi merr dhe lexon afishe të ndryshme e pastaj revista si “Zëri i Kosovës” e material tjetër ilegale të kohës.
Më 1984 Skënderi shpeshton kontaktet me Fatmir Bajramin nga fshati Dardani me të cilin njihej që nga koha e fëmijërisë. Me Fatmirin diskuton për punët e ilegalitetit, për organizimin ne Kosovë, për aktivitetet e Perëndimit dhe përmes tij njihet edhe me shokë të tjerë. Në këtë kohë Skënder Emërllahu vendos t’i bashkëngjitet radhëve të Lëvizjes Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Nga Fatmir Bajrami merr materiale të ndryshme propagandistike si gazetën “Zëri i Atdheut”, “Punëtori”, trakte të ndryshme dhe i lexon, i shpërndanë dhe shumëzon me qëllim të mbjelljes së farës së lirisë.
Rënia e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në ditarin e Skënderit përshkruhet si një ngjarje që ka lënë mbresa të paharrueshme në kujtesën e tij.
Në Prishtinë si student 1985-86, Skënderi banon në shtëpi të Rrahim Zekës. Aty njihet edhe me Irfan dhe Bajram Musmuratin dhe Izmi Zekën. Në ditarin e tij Skënderi përmend edhe shpërndarjen e “Traktit të mësuesit“ të shkruar në Prishtinë nga Fahredini Emërllahu. Trakti u shpërnda në emër te LRSSHJ-se nëpër shumë komuna të Kosovës dhe u botua edhe në gazetën ilegale të LRSSHJ “Punëtori”.
Në ditarin e tij Skënder Emërllhu përmend edhe Skënder Hajdarin me të cilin ishte njohur me 1985 në Prishtine dhe tregon se si ka biseduar me të për unifikimin dhe zgjerimin e radhëve të LRSSHJ-ës. Takimet e tij me shokët e idealit e frymëzojnë dhe i krijojnë bindjen që Lëvizja Ilegale kishte forcë për t’i përballur makinerisë propagandistike dhe policore të regjimit.
Pararoja revolucionare
Është shumë mendim largpamës e guximtar thënia e Skënderit në ditarin e tij ku shkruan: “Në vitin 1985-86 tek unë mbretëronte mendimi se ashtu si lumenjtë që derdhen në det po ashtu edhe të gjitha forcat revolucionare, komuniste demokratike e përparimtare të Kosovës e viseve të tjera shqiptare duhej bashkuar në një pararojë revolucionare për të luftuar armikun titisto-rankoviqian, politikisht dhe ushtarakisht. Këto mendime i kishin edhe shumë shokë e shoqe nga shumë fshatra të Komunës së Vitisë, Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës etj. Disa shokë në këtë kohë si Rexhep Bislimi, Jakup Nuhiu, Ramadan Sejdiu, Afrim Agushi, Defrim Ramadani e të tjerë, që kishin mbështetjen time, shkruan Skënderi në ditarin e tij, shpreheshin edhe për rezistencë të armatosur, për formimin e njësiteve guerile. “Të mendimit se duhej organizuar rezistencë e armatosur ishin edhe Sazani dhe Fahredini.“ - përfundim i citatit.
Veprimtaria e Skënderit karakterizohet në disa drejtime: Së pari ai formon grupin e tij ilegal. Se dyti radhët e tij i zgjeron edhe me anëtarë të tjerë siç është rasti me dëshmorin Rexhep Bislimi. Së treti ai vepron dhe punon për një bashkim të të gjitha grupeve dhe për unitet të përgjithshëm dhe shkrirje të të gjitha grupeve. Për këtë detyrë ai edhe merr rrugën për Zvicër dy herë dhe bisedon gjerë e gjatë me Abdullah Prapashticën, Fatmir Bajramin, Osman Osmanin e Faton Topallin.
E kam njohur Skënder Emërllahun në Schaffhausen të Zvicrës. Erdhi në Zvicër me idealin e Kosovës, me shpirtin e sakrificës dhe të flijimit për vendin e tij. Në personalitetin e tij përmblidheshin idealet e rinisë dhe të popullit të Kosovës.
Skënderi Emërllahu nuk ishte i fjalëve të mëdha, por njeri i sakrificave të mëdha.
Krijoni Kontakt