Rreth 5 milionë euro investim do të ulin koston e importit të orizit me 40 % dhe do t’i hapë rrugën rieksportit
Ndërtohet fabrika e parë për zhveshjen e orizit
Ka përfunduar së ndërtuari në Durrës e para fabrikë për zhveshjen e orizit në vend, e para në Ballkan
Fabiola Çela
Ka përfunduar së ndërtuari në Durrës e para fabrikë për zhveshjen e orizit në vend. Fabrika, e cila do të fillojë nga puna në muajin shtator, është ndërtuar nga firma “Oert”. Agim Rrapaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), u shpreh për gazetën “Biznesi” se kjo fabrikë është e veçantë në të gjithë rajonin. Për ndërtimin e saj janë financuar rreth 5 milionë euro nga ku 1,2 milionë euro janë finacuar nga qeveria japoneze nëpërmjet projektit 2KR, ndërsa pjesa tjetër nga presidenti i firmës “Oert” Ilir Koka. Kapaciteti i kësaj fabrike do të jetë rreth 20-25 tonë oriz në ditë. “Në qoftë se ne e marrim orizin si lëndë të parë të papërpunuar, atëherë çmimi i tij do të ulet rreth 40 për qind”, - u shpreh Rrapaj. Sipas tij, duke qenë se kjo fabrikë është e vetmja në rajon, synohet që të eksportohet edhe në vendet si Kosovë, Maqedoni etj. Ndërtimi i kësaj fabrike, u shpreh Rrapaj, do të ndikojë edhe në rritjen e interesit të fermerëve në Shkodër e Lezhë, për të kultivuar bimën e orizit. Kjo, duke patur parasysh investimin prej 3 milionë dollarësh që ka bërë FAO para disa vitesh për përgatitjen e tokave për orizore në këto rrethe. Janë zgjedhur pikërisht këto 2 rrethe për kultivimin e bimës së orizit, pasi ato kanë kushtet e përshtatshme klimaterike. Në vendin tonë preferohet më shumë orizi farëvogël. Ai përmban jo vetëm shumë kalori, por edhe kripëra të ndryshme minerale. Sipas specialistëve të bujqësisë, orizi shfrytëzon në mënyrë tepër produktive rezervat ujore dhe tokësore. Gjithashtu, sipas tyre, kultivimi i orizit mbron tokën nga erozioni dhe ndikon në pasurimin e tokës me minerale.
Tregu i orizit në vend
Nevojat e tregut vendës për oriz plotësohen nga importi. Kështu, gjatë një viti konsumi llogaritet të jetë afërsisht 21 mijë tonë. Sipas të dhënave nga ACIT (Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare), gjatë vitit 2004 vendi ynë ka importuar rreth 21 mijë tonë oriz, me një vlerë prej 5 milionë eurosh, ndërsa gjatë vitit 2003 ka importuar rreth 22 mijë tonë oriz, me një vlerë prej 5,2 milionë eurosh. Çmimi mesatar i shitjes së orizit në treg është rreth 0,5 euro kilogrami, duke llogaritur që fitimi i këtij malli para tatimeve dhe taksave llogaritet të jetë mjaft i lartë, rreth 100%. Kështu, konsumi mesatar vjetor është afërsisht 20 mijë tonë dhe vlera totale e këtij biznesi llogaritet 10,5 milionë euro. Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetin e tyre disa firma, të cilat bëjnë ambalazhimin e orizit. Ndërkohë, pjesa më e madhe e orizit të importit vjen nga Egjipti dhe Kina. Egjipti zë vendin e parë si eksportues drejt Shqipërisë, me 9 mijë tonë, pastaj vjen Kina me 4,3 mijë tonë, dhe pjesa tjetër plotësohet nga vende si Sllovenia, Italia, Kroacia, Holanda etj. Egjipti ka një klimë të mirë për rrijten e orizit përgjatë luginës së lumit Nil. Ndërsa, përsa i përket Kinës, ajo është një ndër vendet që kanë prodhimin më të madh të orizit. Në vendet si Kina, Tailanda etj., janë vetë kushtet klimaterike që e favorizojnë rritjen e kësaj lloj kulture.
13/08/2005
KATEGORIA: Ekonomi
Krijoni Kontakt