DEKLARATA/ Kreu i BSH-së paralajmëron: “Trajtimi jo i mirë i punonjësve ju rrezikon financiarisht”

Fullani: “Bankave po u ikën personeli”

Nëse nuk merren masa për të përmirësuar situatën, BSH do të vlerësojë negativisht disa prej institucioneve

Laura Dashi


TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani konfirmon se bankat e nivelit të dytë nuk po krijojnë ende “atmosferë” të pranueshme pune për punonjësit e tyre. “Në kushtet e rritjes së konkurrencës është vërejtur një rritje e qarkullimit të personelit, veçanërisht atij me përvojë dhe aftësi të spikatura profesionale, drejt bankave dhe institucioneve të tjera financiare që ofrojnë kushte më të mira pune. Megjithëse ky është

një zhvillim i natyrshëm, Banka e Shqipërisë kërkon nga të gjitha bankat të bëjnë përpjekjet maksimale për të nxitur më mirë dhe për të ruajtur personelin e tyre”, ka deklaruar kreu i BSH-së.

Vërejtjet

Sipas Fullanit, objektivi për t’i siguruar kushte më të mira pune personelit të institucionit nuk kufizohet vetëm në shpërblimin material sipas performancës në punë, por shtrihet edhe në mundësitë që krijon institucioni për trajnim dhe ngritje profesionale, për nxitje nëpërmjet zhvillimit në karrierë, për përfitime të ndryshme sociale etj. “Nëse këto mundësi nuk do të shfrytëzohen në maksimum, banka të veçanta rrezikojnë të provojnë rritje të kostos së veprimtarisë së tyre dhe ulje të cilësisë së shërbimit për publikun, me ndikim negativ të ndjeshëm në ruajtjen e pozicionit të tregut dhe në rezultatin e tyre financiar”, deklaroi guvernatori. Nga ana e Bankës së Shqipërisë lëvizjet e konsiderueshme të personelit në kushtet e mungesës së përpjekjeve reale të drejtimit të bankës për ta motivuar atë, do të konsiderohen si paaftësi e drejtimit dhe do të ndikojnë në vlerësimin e përgjithshëm të bankës.

Situata

Në gjysmën e parë të vitit 2005 sistemi bankar është karakterizuar nga një nivel i konsiderueshëm i likuditetit të tepërt, i shkaktuar nga rritja e lartë e depozitave në lekë në muajt e parë të vitit. Niveli mesatar i likuditetit të tepërt në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005 rezulton 7,9 miliardë lekë, krahasuar me 5 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2004 dhe 5.2 miliardë lekë në gjashtëmujorin e dytë të tij. Teprica e kredisë është rritur mesatarisht me rreth 3.7 miliardë lekë në muaj gjatë periudhës janar-maj 2005, duke shënuar në fund të periudhës një rritje në total prej 18.7 miliardë lekësh. Ky nivel është i njëjtë me rritjen e kredisë gjatë gjithë vitit 2004. Zhvillimet pozitive të kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e të gjithë treguesve makroekonomikë të kredisë. Në terma vjetorë kredia për ekonominë, në fund të muajit maj shënoi një rritje 58 për qind. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së kredisë me afat maturimi mbi 1 vit, e cila ka kontribuar me rreth 79 për qind në rritjen totale. Gjithashtu vihet re se pesha e kredisë afatgjatë në mënyrë të vazhdueshme ka fituar terren ndaj kredisë afatmesme, duke dëshmuar një angazhim në rritje të bankave drejt investimeve me afate të gjata maturimi.

BESIMI

Shqiptarët shtojnë “prurjet” në banka

TIRANË- Gjashtëmujori i parë i vitit ka shfaqur një rritje të ndjeshme të kontributit të depozitave në valutë në rritjen e ofertës monetare. Norma e rritjes vjetore të tyre në fund të muajit maj u rrit në 23.2 për qind, nga 17.1 për qind që ishte në fund të muajit dhjetor. Kjo ecuri e depozitave në valutë ka pasqyruar kryesisht nënçmimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë periudhës janar–maj 15, si rezultat i të cilit është ulur ndjeshëm efekti negativ i mbiçmimit vjetor të lekut, nga -9.2 për qind në muajin dhjetor, në -3.5 për qind në muajin maj. Në terma realë norma e rritjes vjetore të depozitave në valutë ka patur një ecuri të qëndrueshme, duke shënuar një nivel të lartë prej 27.6 për qind në muajin maj. Kontributin kryesor në rritjen e depozitave në valutë e kanë dhënë depozitat me afat dhe ato të individëve, të cilat kanë përbërë përkatësisht rreth 76 për qind dhe 73 për qind të rritjes së depozitave totale në valutë për periudhën janar-maj. Rritja më e madhe e depozitave me afat në valutë të individëve vlerësohet të jetë ndikuar nga vazhdimi i flukseve të larta valutore nga remitancat, rritja e besimit në sistemin bankar dhe normat më të favorshme të interesit në dollarë.